TIRANË, 14 Maj/ATSH/- Kryeministri Edi Rama ndaloi të enjten pasdite në Paskuqan, ku shpërdau për banorët e kësaj zone rreth 750 leje legalizimi falas.
Në total në një vit qeverisje, theksoi kreu i qeverisë, janë shpërndarë mbi 1 mijë leje legalizimi falas, ose 10 herë më shumë se sa qeverisja e djathtë shpërndau në 8 vite.
"Kjo zonë, që tashmë është Bashkia e Kamzës, dhe ku është zemra e problemit të ndërtimeve informale, në 8 vite mori 155 legalizime, më pak se 2 % e kërkesave që për 8 vite prisnit për të marrë lejen. Pjesa më e madhe nuk janë fare shtëpi, janë dyqane, magazina, histori biznesi me lekë", deklaroi kryeministri.
Ndërkohë, vijoi fjalën ai, ne sot do të shpërndajmë 750 leje legalizimi, që në total përbëjnë 1 mijë leje legalizimi vetëm këtë vit. "Janë ende mijëra të tjera që duhen dhënë për të mbyllur këtë proces, që është 'litar në qafën e çdo familje' e që ka bllokuar kapitalet, sepse të gjitha paratë, familjet që presin sot legalizim i kanë derdhur për ndërtimin e shtëpive", theksoi kreu i qeverisë. Më tej, Rama shtoi se pas legalizimit, shtëpia kthehet në kapital të qarkullueshëm, që lehtëson ekonominë tuaj familjare e fuqizon ekonominë tonë kombëtare.
Kryeministri u ndal edhe në reformat që po ndërmerr qeveria. "Reformat janë i vetmi drejtim për të bërë të mundur që fëmijët të mos mbeten në rrugë dhe që Shqipëria të mos mbetet rrugëve, por të shpëtojë nga ai 'kancer i madh' që thithte gjakun e ekonomisë sonë", u shpreh Rama. Ai ftoi qytetarët që të gjithë së bashku të pranojnë reformat e qeverisë. /a.gjonaj//m.m/











