Rama në Preshevë: Shqiptarët
në betejë për Europën e Madhe
Vd/ Rama:Vuçiç më garantoi për ju

Rama në Preshevë: Shqiptarët<br />në betejë për Europën e Madhe<br />Vd/ Rama:Vuçiç më garantoi për ju
SERBI -  Ndërsa Lugina e Preshevës, komuna serbe me shumicë shqiptare e priti si kryeministrin e dytë të tyre, kreu i ekzekutivit Edi Rama u kujdes të sqarojë se beteja e shqiptarëve nuk është Shqipëria e Madhe por një Evropë e Madhe që ka nevojë për të gjithë shqiptarët. 

Lugina e Preshevës, ishte ndalesa e kryeministrit Edi Rama në ditën e dytë të vizitës historike në Serbi. Vizita ne Beograd, Rama e thote shqip: Kosova e pavarur! Por historike mbetet edhe vizita në Preshevë, pasi Rama shkoi për herë të parë si shef i qeverisë shqiptare, pas dy vizitave si kryetar i opozitës në 2012-ën.  Nga salla e Shtëpisë së Kulturës, Rama përcolli mesazhe të forta dhe domethënëse përballë minoritetit shqiptar që jeton në komunën serbe. Teksa i konsideroi pakicat kombëtare si ura lidhëse mes vendeve, kryeministri tha se nuk ka asnjë arsye që shqiptarët e Preshevës të kenë më pak të drejta se minoritetet që jetojnë në Shqipëri.

 “Atë që i japim tjetrit asnjë tjetër nuk mund të na e mohojë ne”, tha Rama.

Rama foli për një faqe të re historie mes Shqipërisë dhe Serbisë, dhe ndryshe nga “përplasja” live për çështjen e Kosovës, në mbrëmje dy kryeministrat Rama e Vucic, arritën marrëveshje të rëndësishmë për shqiptarët e Preshevës, të cilat kreu i qeverisë shqiptare zgjodhi t’i bëjë publike pikërisht përballë tyre. Rama tha se është rënë dakord për njohjen e diplomave shqiptare nga ana e Serbisë, andej i bëri thirrje shqiptarëve të Preshevës që të studiojnë në vendin tonë. Po ashtu, kryeministri Rama mori garancinë nga homologu i tij serb për përmirësimin dhe ndërtimin e qendrave shëndetësore, si një nga problemet më të mëdha për komunitetin shqiptar deri më tani në Luginën e Preshevës.

Rama tha se mbetet shpresëplotë që kryeministri Aleksandër Vucic do të mbajë fjalën se qeveria serbe do respektojë të drejtat e shqiptarëve. Kreu i ekzekutivit e mbylli fjalën e tij duke theksuar se destinacioni i vetëm i Shqipërisë dhe pjesës tjetër të rajonit është Europa. 

Rama mbërriti në Preshevë rreth orës 12:00 ku u prit me tapet të kuq në Komunë ndërsa mijëra qytetarë shqiptarë të grumbulluar në sheshin qendror të Luginës e pritën më këngë e valle dhe me flamujt kombëtar kuqezi. Me mbërritjen në Preshevë, Rama u takua me kryetarin e komunës Ragmi Mustafa dhe komunitetin shqiptar të Luginës ku iu dorëzua titulli “Qytetar Nderi i Luginës së Preshevës”.



Më tej, mes brohorimash, duartrokitjesh e qytetarëve që thërrisnin të entuziazmuar emrin e tij, kryeministri shqiptar eci në këmbë në sheshin “Liria” të Preshevës dhe mbajti një fjalim në Shtëpinë e Kulturës “Abullah Krashnica”. 

Një numër i lartë i forcave speciale serbe dhe të xhandarmërisë “blinduan” të gjithë komunën, për mbarëvajtjen e vizitës së Ramës në këtë trevë, ku për 102 vjet, asnjë kryeministër apo president shqiptar nuk e ka vizituar zyrtarisht.  Policia serbe hoqi të gjithë flamujt shqiptarë që u vendosën në Preshevë për pritjen e Ramës, por mbetën banerat në hyrje të komunës me mbishkrimin “Mirësevjen Kryeministër” të shoqëruar me foton e Edi Ramës. Për shqiptarët e Preshevës Rama u prit si një kryeministër i dytë i tyre.

Tensioni në prag të vizitës së Ramës në Preshevë u shfaq që në orët e para të mëngjesit kur autobusi i gazetarëve shqiptarë që kanë udhëtuar me Ramën për vizitën në Serbi, u bllokua përreth 50 minuta nga policia serbe në dalje të Nishit, një orë larg Luginës së Preshevës. Sipas policisë serbe kjo u bë  për të lejuar që në fillim të mbërrijë në Preshevë delegacioni që shoqëron Ramën për arsye sigurie.

Kjo ishte dita e dytë e vizitës historike të Edi Rama në Serbi, e para e një kryeministri shqiptar pas asaj të 68 viteve më parë të ish-diktatorit komunist Enver Hoxha në 1946. Në konferencën e djeshme për mediat me kryeministrin serb Aleksandar Vuçiç, Rama preku një temë jo pak të ndjeshme për Beogradin zyrtar kur tha në shqip se Kosova është e pavarur, dhe se ky fakt i pamohueshëm duhet të respektohet nga të gjithë. Kryeministri shqiptar nuk la pa prekur edhe çështjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës ku kërkoi njohje të të drejtave të tyre. 

Rama: Respektoni shqiptaret e Presheves, sic ne minoritetet ne Shqiperi 
 “Atë që i japim tjetrit asnjë tjetër nuk mund të na e mohojë ne”. Kështë shprehje përdori Rama duke marrë shembujt e bashkëjetesës së minoriteteve në Shqipëri dhe faktin që në asnjë cast qeveria shqiptare nuk i ka bërë të ndihen të diskriminuar. Video/ Fjala e plotë e Kryeministrit Edi Rama

rama ne presheve

“Nuk ka arsye që shqiptarët e Luginës së Preshevës të kenë më pak të drejta se serbët e Veriut Kosovës”, tha Rama. 

Rama: Arrita marrëveshje me Vucic, Serbia njeh diplomat tuaja nëse studioni në Shqipëri
Rama zgjodhi pikërisht Luginën e Preshevës për të bërë publike një marrëveshje të arritur në mbrëmje me qeverinë serbe. Bëhet fjalë për njohjen e diplomave shqiptare nga ana e Beogradit zyrtar.

“Ajo që dëshirova ta lë për ta njoftuar këtu në këtë takim është se pas një diskutimi intensiv me kryeministrin e Serbisë dhe me ekipin qeveritar serb ne në orët e fundit të mbrëmjes kemi firmosur marrëveshjen për shkëmbimet e të rinjve edhe për njohjen reciproke të diplomave. Çka do të thotë se kësisoj kemi hapur një faqe të re për të gjithë ata që me diplomën e Shqipërisë do të duan të realizojnë ambiciet e tyre. Diploma shqiptar nuk do jetë më një letër e panjohshme por e barazflefshme me diplomën e marrë këtu në republikën e Serbisë”, tha Rama.

Rama: Ja bëra të qartë Vuçiç-it, ne asnjë betejë për Shqipërinë e Madhe por për një Europë të Madhe
Nga Lugina e Preshevës Rama tha se gjatë takimit me kryeministrin serb në Beograd, i bëri të qartë Vucic se shqiptarët nuk kanë asnjë beteje për Shqipërinë e Madhe por për një Europë të madhe që ka nevojë për të gjithë shqiptarët.

"Kam folur hapur dhe shkoqur në takimin me Vuçiç. Ua bëra të qartë se ne shqiptarët nuk jemi në betejë të përbashkët për Shqipëri të Madhe por për Europë të madhe që duhet ti përfshijë të gjithë shqiptarët bashkë me gjithë të tjerët." tha Rama 

Rama: Marrëveshje me Vuçiç për hapjen e qendrave shëndetësore
Më tej Rama tha se është rënë dakord edhe për përmirësimin dhe ndërtimin e qendrave shëndetësore, si një nga problemet më të mëdha për komunitetin shqiptar deri më tani në Luginën e Preshevës.

“Ja kam kërkuar shprehimisht se do ta thoja këtu me zë të lartë se ai personalisht do të kuujdeset për qendrat spitalore për të gjithë ato nëna që për të lindur duhet të ikin me dhjetëra e dhjetëra e dhjetëra km larg. Shpresoj dhe besoj se do ta mbajë fjalën se kur të ja përmend të mos më thotë se është provokim.” tha Rama
Kryeministri shqiptar nga Presheva, u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që të tregohen të duruar duke shtuar se kurrë më parë shqiptarët nuk janë dëgjuar dhe respektuar më shumë se tani. 

Mustafa: Rama stoik në Beograd, tregoi përkushtim për të gjithë shqiptarët kudo jetojnë
Ora 12:55 Kreu i Komunës së Preshevës Ragmi Mustafa, në fjalën e tij përshëndetëse në Shtëpinë e Kulturës me rastin e vizitës historike të kryeministrit Edi Rama në këtë zonë, u shpreh se tashmë shefi i qeverisë shqiptare, është vendosur në rolin e liderit të shteteve ballkanike.
 
Mustafa, teksa e vlerësoi këtë vizitë, që sipas tij është historike dhe se vjen në prag të 102 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, përgëzoi kryeministrin për qëndrimin e mbajtur në Beograd përballë homologut të tij serb Vuçiç.
 
Mustafa theksoi se kryeministri shqiptar përmbushi një obligim, për tu kujdesur për të gjithë shqiptarët kudo jetojnë në rajonin e Ballkanit.
 
 “Vizitë historike nuk do mend se tani në këto festa të nëntorit, në ditët që pritet të shënohet 102-vjetori i pavarësisë për herë të parë po zbret një kryeministër shqiptar. Nuk do mend se kryeministri shqiptar Edi Rama tanimë është vendosur në pozicionin e liderit të shteteve ballkanike i nominuar nga kancelarja Merkel. Kujtojmë se do të udhëheqë edhe pse është një korsi e vetme për ecje drejt portës së integrimit në BE, do të eci e para sic ka ecur e para në NATO. Dua ta përgëzoj qëndrimin e tij stoik në Beograd dhe konferencën me Vucic dhe përkushtimin e tij ndaj shqiptarëve të Preshevës. Një përkushtim i vecantë që është njohur edhe më parë, nga Beogradi kërkoi që të zgjidhet ky problem. Ka përmbushur një obligim kushtetues për tu kujdesur në lidhje me pozicionin e shqiptarëve kudo ku jetojnë sot në Ballkan”. tha Ragmi Mustafa

rama ne preshev

Rama mbërrin në Luginën e Preshevës
Ora 11:50 Kryeministri Edi Rama delegacioni shqiptar që e shoqëron, kryesuar nga ministri i Jashtëm Ditmir Bushati dhe Arben Ahmetaj i Ekonomisë, si dhe grupi i gazetarëve shqitparë, kanë mbërritur në Luginën e Preshevës. 

rama ne presheve

Rama merr titullin "Qytetar Nderi i Presheves"
rama ne presheve

(Ne foto: Kryeministri Edi Rama ne Komunen e Presheves)

Presheva në festë për mbërritjen e Ramës, këngë e valle
Ora 11:15 Qytetarët e Preshevës e kanë pritur kryeministrin Edi Rama me festë, muzikë e kërcime në sheshin qendror të komunës, “Liria”.

atmosfera ne presheve


Banderola



Blindohet Lugina e Preshevës, masa të larta sigurie
Thuajse në cdo cep të Luginës së Preshevës janë vendosur forca policie për të garantuar siguri dhe shmangie të incidenteve të mundshme gjatë vizitës së kryeministrit Rama në qytet me shumicë shqiptare.
 
xhandarmeria serbe ne presheve

snajper mbi shtepine e kultures
masat e sigurise ne presheve

(Ne foto: Snajperisti të xhandarmërisë serbe mbi kulmin e shtëpisë së kulturës "Abdullah Krashnica" në Preshevë)  Foto të tjera

rama ne presheve



Bllokohet autobusi i gazetarëve shqiptarë
Ora 09:00 Autobusi me te cilin gazetarët shqiptarë, të cilët janë akredituar për të ndjekur vizitën historike të kryeministrit Edi Rama në Serbi, udhetonte nga Beogradi drejt Lugines se Presheves u bllokua perrreth 50 minuta.



Ata janë bllokuar rreth orës 09:00 për arsye sigurie të kryeministrit Rama, sipas policisë serbe. Drejtori i Përgjithshëm i televizionit A1 REPORT Ilir Babaramo tha në një lidhje telefonike se nuk i është dhënë asnjë shpjegim tjetër, dhe se kanë zbritur në autostradën që lidh Beogradin me Luginën e Preshevës, në dalje të qytetit të Nishit rreth një orë larg Preshevës.
 


Sipas policisë serbe kjo u bë  për të lejuar që në fillim të mbërrijë në Preshevë delegacioni që shoqëron Ramën për arsye sigurie.

delegacioni i gazetareve
delegacioni i gazetareve

Shqiptarët e Preshevës e presin Ramën si kryeministrin e dytë të tyre
Entuziazmi i shqiptarëve të Preshevës duket që në hyrje të komunës. Banerat ku shkruhet “Mirësevjen kryeministër” gjenden pothuajse në çdo pjesë të Preshevës.
 
Padurimi i banorëve të Luginës së Preshevës për pritjen e Ramës duket edhe nga deklaratat e tyre, sipas të cilave, Ramën do ta presin sikur të ishte kryeministri i dytë i tyre.

rama presheve

presheve

rama ne presheve
(Në foto: Tabletat në Preshevë "Mirësevjen Kryeminister) Foto të tjera

banerat ne presheve

Por si e shohin qytetarët vizitën e Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama?

 

Për herë të parë pas shumë vjetësh një kryeministër shqiptar viziton Preshevën, mendoj se do të jetë shumë pozitive dhe në interes të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, do japi mesazhe të mira te ndërkombëtarët dhe është një hap drejt integrimit në Europë” - shprehet një banor i Preshevës.

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Mat/ I vuri zjarrin tokës, por u dogj dhe vetë, humb jetën në spital i moshuari

Mat/ I vuri zjarrin tokës, por u dogj dhe vetë, humb jetën në spital i moshuari