Rama nënshkruan kontratë për
legalizimet me qytetarët

Rama nënshkruan kontratë për<br />legalizimet me qytetarët
KAMZË (TIRANË) - Partia Socialiste zhvilloi një miting elektoral në Kamzë. I pranishëm ishte edhe kreu socialist, Edi Rama, i cili ka nënshkruar me firmën e tij një megakontratë, ku zotohet për procesin e legalizimeve falas dhe brenda mandatit të parë, për të cilin ka marrë përgjegjësi personale. Ai ka shtuar se do të ndjekin zbatimin e këtij procesi edhe kapiteni i skuadrës së Rilindjes për Tiranën, Pandeli Majko dhe ish-shefi i policisë, kandidati për deputet i PS, Pjerin Ndreu. Rama e ka quajtur Sali Berishën "të vetmin shpellar në Shqipëri", "në këto 20 e kusur vite ka vetëm një njeri, që e ka kthyer Shqipërinë në shpellën e Ali Babës dhe 40 hajdutëve dhe ai quhet Sali Berisha". Sipas Ramës, Berishën e ka kapur sindorma e Fatos Nanos: "Unë jam Fatos Nano, prapa më vjen historia". 'Kur i kap kjo sindromë janë në fund fare". Kandidatët për deputetë të PS u kanë kujtuar banorëve "legalizimet falas" dhe "nevojën për një kryeministër si Edi Rama". 

RAMA: KONTRATA IME ME JU, 4 VJET NË SHESH
Pasi kandidati i PS, Pjerin Ndreu kërkoi të sillnin në podium një kontratë të madhe në formë posteri dhe pasi lexoi 3 pikat e kësaj kontrate, erdhi dhe vetë kreu socialist, për t'u zotuar; 1) për procesin e legalizimeve falas; 2), i cili do të përfundojë brenda mandatit të parë dhe 3) për të cilin Rama ka marrë përgjegjësi personale. "Kjo letër do rrijë këtu për 4 vjet, në syrin tuaj. Dhe për 4 vjet unë do jem këtu me ju dhe do bëjmë atë që katragjyshi nuk e bëri dot për çerek shekulli', premtoi Rama.
"Edhe sa akoma do të jenë ata të PD këtu në Kamzë, të cilët kur erdhën për të ndërtuar shtëpitë e tyre ishin fare të rinj, familjet fare të reja, tani po bëhen gjyshër dhe sa akoma do rrinë pas katragjyshit gënjeshtar?!", u është drejtuar Rama banorëve.

RAMA: PËR LEGALIZIMET, KAM CAKTUAR MAJKON DHE NDREUN
“Pandeliu, kapiteni i skuadrës së Rilindjes për Tiranën, njeriu që hapi dyert për 500 mijë vetë, që i përzuri Sllobodan Milosheviçi, do të jetë me ju derisa të legalizohet çdo shtëpi. Pjerin Ndreu, i cili ka dënuar shkelësit e ligjit, nuk do më ndahet mua për të mos e shkelur zotimin. Do ju nxjerrim nga humnera, ku iu hodhi Saliu, duke iu tundur nga lart letrat e Shabanit", tha Rama.

RAMA: INJORANTËT PO MBAJNË PENG SHQIPËRINË
"Shikoni çfarë janë këta? Edhe fjalën integrim e shkruajnë “integrem”, sepse në mendjen e tyre ngatërrojnë grimin me gripin", tha Rama, duke vënë re një mbishkrim përballë. "Agjencia e integremit. Këta janë këta injorantë, që mbajnë peng Shqipërinë, që i frynë zjarrit të ndasisë mes shqiptarëve, që e mbuluan Shqipërinë me baltë shpifjesh dhe gënjeshtrash. Integremi europian i këtyre", tha Rama,duke ironizuar. Më pas shtoi se "se sa herë ka fushatë, këta të integremit thonë “legalizime’. U bënë çerek shekulli, po ku janë legalizimet?! Keni vetëm ca Shaban Tapi, që nuk i duhen as dreqit. Zotohem që brenda mandatit të parë të gjitha shtëpitë do të jenë të legalizuara", deklaroi Rama.

RAMA: SALIU USHQEN NDASITË VERI-JUG
"Saliu vazhdon t’u bëjë mish për fushatat e tij elektorale. Ka çerek shekulli, që ushqen ndasi Veri-Jug, sepse i duheni të varfër, të papunë, që t’ju përdorë sa herë ka fushata elektorale. Edhe sa akoma do vazhdoni ta dëgjoni?!", u tha qytetarëve Edi Rama.

RAMA: NË SHQIPËRI KA VETËM NJË SHPELLAR: SALI BERISHA
"Dua të përsëris në Kamzë atë që kam thënë para ca ditësh: Me paturpësi ngado shkon u thotë se Edi Rama u ka quajtur "shpellarë". Nëse Saliu dhe arkivat e televizioneve të tij gjejnë ta kem thënë një herë të vetme këtë gjë me zë dhe figurë, unë tërhiqem nga politika dhe iki nga Shqipëria", deklaroi Rama. Sipas tij, "në Shqipëri ka vetëm një shpellar, ai quhet Sali Berisha; ka vetëm një figurë politike, që i do shqiptarët brenda shpellës së tij, ai është Sali Berisha". Rama ka shtuar se "në Shqipëri në këto 20 e kusur vite ka vetëm një njeri, që e ka kthyer Shqipërinë në shpellën e Ali Babës dhe 40 hajdutëve dhe ai quhet Sali Berisha". Rama ka theksuar se po ia thotë këto fjalë në këtë shesh, "ku ka bërë shumë përsheshe, duke mbjellë prapambetje, skamje dhe uri". "Thotë edhe diçka tjetër zëri i asaj shpelle; që mos i jepni votën Edi Ramës, se do t’u kthejë andej nga keni ardhur", tha Rama.  

RAMA: SALIU JU BËN PËR BUDALLENJ
"Ju bën për budallenj, duke kujtuar se ka forcë mbi këtë tokë, që t’u nxjerrë ju nga shtëpia", iu është drejtuar Rama kamziotëve. "Edhe Enver Hoxha të ngrihej nga varri s’do guxonte t’u kthente ju nga rruga juaj për t’u bërë pjesë e kryeqytetit. As mund të imagjinohet të kthehet njeri andej nga ka ardhur. Me numrin 29 do t’i jepni vetes titullin e pronarit të shtëpisë suaj dhe titullin e kryeqytetarit. Projekti ynë s’është vetëm legalizim, por edhe zhvillim urban social dhe jo “integrem”, por integrim si pjesë e kryeqytetit. Kamza është pjesë e kryeqytetit. Komunitetet duhet të bëhen kryeqytetas. Aq shumë ju do Saliu, sa edhe linjën e urbanit ua ka bërë veç e veç e nuk u bashkon me Tiranën se bëjnë pazare me xhepat tuaja të çpuar këta. Pas 23 qershorit do jenë pjesë e të njëjtit rrjet transporti urban. Një biletë transporti. Integremi është Xhelali", ka thënë Rama.
 
RAMA: BERISHA ME SINDROMËN E FATOS NANOS
Ka filluar thotë shpesh kohët e fundit: “Unë jam Sali Berisha”. E ka kapur sindroma e Fatos Nanos, që thoshte: Unë jam Fatos Nano dhe prapa më vjen historia. Kur i kap kjo sindromë janë në fund fare”.
 
UNË BËRA TIRANËN, UNO DO BËJ DHE KAMZËN
“Unë jam ai që bëri Tiranën dhe do ta bëj dhe Kamzën si Tirana. Kush beson se Tirana është bërë si Kamza le të rrijë me Saliun dhe Xhelalin. Kush do Kamzën si Tirana le të votojë PS dhe numrin 29”, premtoi ish-kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama.

RAMA: FËMIJËT TË BINDIN PRINDËRIT
"Kam një fjalë për më të rinjtë", tha Rama, duke përshkruar se shumë prej tyre e kanë babën demokrat. "Baba është normalisht ai që i thotë çunit se ç’duhet bërë. Por ka ardhur koha, që çuni ta marrë babën përdore. Thuaji babës nuk ka më votë me sy mbyllur, se mbetëm pa shtëpi, pa ujë, pa punë, pa rrugë dhe pa një biletë për të shkuar në Tiranë, o babë. Saliu i ndau demokratët në dy pjesë; demokratë që futen në punë me lekë dhe demokratë që rrinë pa punë, se s’kanë lekë. Ata me lekë le t’i mbajë, na duhen ata pa lekë, të ndershmit, të zakonshmit, që çanë malin për të ardhur këtu për t’i dhënë familjes jetë kryeqyteti", u shpreh Rama. "Me zemër ju them: Rroftë ky popull i jashtëzakonshëm tropojanësh, kuksianësh, hasianësh, dibranësh, pukianësh, shkodranësh, malsorësh. Roftë Kamza kryeqytet, pjesë e kryeqytetit, pjesë e Tiranës europiane”, përfundoi mitingun Rama.

NDREU: KAMZA ME PUSHTET LOKAL GOGOL
Ish-shefi i policisë, kandidat i PS, Pjerin Ndreu u shpreh se "Kamza në këtë shesh ka rilindur. Ju jeni shpresa, Rilindja, e ardhmja. Kurrë më parë sheshi nuk është mbushur si sot, se ne kemi gjetur rrugën e Rilindjes dhe fitores së Edi Ramës. Më shumë se kushdo Kamza ka nevojë për Rilindje, se për 25 vjet ju i dhatë votën PD, por PD abuzoi me ju duke ju lënë pa legalizime, pa ujë, duke marrë nëpër këmbë aktivitetin e njerëzve të Kazmës. PD ju ka varur në qafë një pushtet lokal, që është bërë gogoli i Kamzës. Data 24 shënon fundin e gogolëve të tipit Mziu. Nuk jemi një grusht njerëzish, por uragan i pandalshëm drejt fitores. Si deputet juaji, po ju lexoj një tabelë me disa premtime për banorët e Kamzës: Legalizimet falas; Legalizimet përfundojnë brenda mandatit të parë; Edi Rama do jetë përgjegjës për ecurinë e procesit të legalizimeve."

BARE: TROPOJANËT NUK JANË SI SALI BERISHA
Kandidati për deputet i PS, Besnik Bare u tha banorëve, se "jam nip në Tropojë dhe fjala tropojan ka një konotacion të keq për shkak të origjinës së Sali Berishës, si njerëz që mashtrojnë, që vjedhin, vrasin për të mbajtur pushtetin, por tropojanët nuk janë të tillë, por janë njerëz të ndershëm".

BUSHATI:KAMZA PA LEGALIZIME
Kandidati i PS, Ditmir Bushati u shpreh se Kamza reflekton të njëjtën problematikë si Kashari, Kodra e Priftit me banorët e ardhur, të cilët nuk kanë legalizuar pronat e tyre.

NIKOLLA: ÇLIROJUNI NGA I PABESI
Lindita Nikolla: Ju flas si mirditore! Çlirojuni nga i pabesi, që ju ka konsideruar numra dhe vetëm numra. Vetëm fëmijëve ua kemi borxh e jo një gënjështari si Sali Berisha. Kush është ai zakon që djersën, mundin ta lëmë në duart e një gënjëeshtari që troket vetëm për vota. Çlirojuni si njerëz të lirë dhe lejoni Edi Ramën të flasë me vepra, çlironi pasuritë tuaja dhe Rilindje!

MAJKO: KAMZA, LAPIDAR PËR MOSLEGALIZIMET
Pandeli Majko vërejti se "për turpin e politikës, ky miting po zhvillohet tek godina e legalizimeve. Kjo godinë me vetulla të ngritura me ngjyrën e pushtetit është lapidari më i mirë për mosrealizimin e premtimeve të 8 viteve në pushtet. Ne nuk ofrojmë premtime dhe llafe boshe. Vimë me kontratën e qytetarëve të barabartë. Numri 29 nuk është vetëm i socialistëve, por i Shqipërisë dhe shqiptarëve pa asnjë dallim. Mitingun më të madh në 23 qershor në kutinë e votimit.
 
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Dyshoj se për 10 vjet, nuk ka gjykatë që guxon të dënojë Berishën dhe Ramën

Spahiu: Dyshoj se për 10 vjet, nuk ka gjykatë që guxon të dënojë Berishën dhe Ramën