“Raporti i të ardhurave me shpenzimet ka kaluar cdo sens logjik. Për hir të atyre shiritave të rrugëve, rruga e rrënimit ekonomik është zgjatuar si asnjëherë në gjysmën e vetme të vitit”- thotë kryetari i PS-së, Rama duke shprehur shqetësimin dhe për ngritjen në detyrë nga KLD e drejtuar nga Presidenti Nishani, të disa gjyqtarëve javën e kaluar.
Rama përsëriti apelin se çdo vendim apo tender privatizimi i marrë pas 23 qershorit do anulohet prandaj i kujton subjekteve private të mos vazhdojnë më këtë lojë me qeverinë fantazëm pasi është e rrezikshme.
Para se të marrë çelësat e kryeministrisë Rama kërkon të bëjë të qartë edhe marrëdhëniet në të ardhmen e afërt me Presidentin Bujar Nishani por dhe Kryeprokurorin Adriatik Llalla, të cilët nuk janë votuar nga kjo e majtë. Fjala e plotë e Ramës në mbledhjen e Grupit Parlamentar.
"Presidenti të punojë me mua dhe kryetarin e kuvendit jo si noter i një pale që i ka humbur zgjedhjet, por si garant kushtetues. Prokuroria të shënojë progres real në betejën me gangrenën e këtij vendi krimin e korrupsionin”- deklaron kryetari i Partisë Socialiste në mbledhjen e sotme të grupit Parlamentar të PS-së të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit.
Kryetari i PS-së informoi deputetët për takimet që zhvilloi ditët e fundit në funksion të këtij 2 mujori tranzicioni me presidentin Bujar Nishani, kryeprokurorin Adriatik Llalla dhe Guvernatorin e Bankës Ardian Fullani.
Hodhi dhe piketat për qeverisjen e ardhshme e cila do të qeverisë si një forcë e vetme, “ku do të ndahen përgjegjësitë dhe jo shteti në parcela". Foli për garantimin e paprekshmërisë se cilësisë së burimeve njerëzore, shmangien e fshesës në administratë, si paraktikë që është ndjekur, dhe ngritjen e një agjencie të posaçme të burimeve njerëzore, e cila do të finalizohet brenda javës së tretë të korrikut, dhe ku do jetë e plotë baza e të dhënave të kapitalit njërezor të këtij vendit.
"Do ta përsëris pa u lodhur se ne në qeverisje jemi zgjedhur në partneritet strategjitk me LSI dhe aletatë të tjerë. Fjalët për ndarjen e posteve ministrore, janë thashtheme mediatike të pabaza. Duhet të jemi garantët e meritës dhe transparencës, përndryshe do të humbasim njerëzit dhe mundësinë historike për këtë vend, që të bëjmë histori duke bërë shtet."- tha Rama para 66 deputetëve që përbëjnë grupin parlamentar socialist të dalë nga 23 qershori mes tyre 25 deputetë të rinj.
BERISHA TE NDALE RRENIMIN, NUK MUND TE SILLET SI FITUES IMAGJINAR
Rama nisi fjalën e tij duke i përsëritur thirrjen Berishës të ndalë rrënimin e Shqipërisë, pasi me votën e 1 milionë shqiptarëve ka humbur të drejtën të shpenzojnë paratë e tyre. dhe të tërheqi Shqipërinë zvarrë. E fton të shfrytëzojnë këto dy muaj për të kaluar në opozitë si humbës normal dhe jo për të qeverisur si fitues imagjinar.
"Kryeministrit i përsëris edhe sot thirrjen publike për vetëpërmbajtje dhe përgjergjshmëri. Jetojmë në Europë dhe qeveria në detyrë të sillet sipas standardeve të Europës. Shqiptarët meritojnë respekt pasi zgjodhën me 1 mln vota projektin tonë fitues dhe refuzuan projektin e qeverisë aktuale. Humbësit nuk mund të sillen sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe aq më pak si fitues. Është rrëzuar modeli i tyre qeverisës, qasja e tyre ndaj ekonomisë dhe financave, raporti i tyre me pasurinë kombëtare në tërësi, sjellja e tyre me opozitën e publikun.
Më vjen keq, që për shkak të sjelljes së tyre me paret e popullit, dua tu kujtoj përsëri se janë mundur aq keqas, por e kemi detyrë publike për ta kërkuar me zë të lartë të ndalin projektin rrënues të Shqipërisë. Kanë humbur të drejtën të shpenzojnë paratë e popullit sovran për të çuar përpara projektin e tyre. Kanë humbur të drejtën të tërheqin Shqipërinë zvarrë pas tyre.
Ndaloni shpenzimet e mëtejshme të parave të popullit shqiptar përmes vendimesh që nuk kanë asnjë legjitimet moral e politik. Mos merrni më as vendime që rëndojnë në kurriz të vendit e njerëzve. Shfrytëzoni këto dy muaj për të kaluar në opozitë si humbës normal dhe jo për të qeverisur si fitues imagjinar."- tha Rama
RAMA-SUBJEKTEVE: MOS VAZHDONI ME LOJEN ME QEVERIA FANTAZEM
Rama përsëriti apelin se çdo vendim apo tender privatizimi i marrë pas 23 qershorit do të anulohet prandaj i kujton subjekteve private të mos vazhdojnë më këtë lojë me qeverinë fantazëm pasi është e rrezikshme.
"Do anulojmë cdo shpenzim, që shko përtej 23 qershorit. Do zhbëjmë çdo vendim për tendera privatizime e koncesione të marra pas 23 qershorit sipas avazit: Të kapim të kapim c'të mundim. Mos vazhdoni më tej këtë lojë të rrezikshme dhe mos i rrisni më tej kostot e papërgjegjshmërisë tuaj mbi sipërmarrësit. Jam i detyruar t’i përsëris thirrjen subjekteve të mos përfshihen në asnjë marrëdhënie të re parash apo pronash me ketë qeveri fantazëm për të nxjerrë përfitime të cilat jo vetëm nuk do i nxjerrin por do dalin me humbje”- tha Rama
NISHANI TE LEXOJE MIRE VOTEN E 1 MILIONE VOTUESVE, TE MOS JETE NOTER I HUMBESVE
“Gjatë ditëve të fundit mora takime në funksion të këtij 2 mujori tranzicioni me presidentin Bujar Nishani, kryeprokurorin Adriatik Llalla dhe Guvernatorin e Bankës Ardian Fullani. I falenderoj për disponimin dhe frymën pozitive të bashkëpunimit, por nuk mund të mos bashkohem me shqetësimin e ngritjes në detyrë nga KLD të një sërë gjyqtarësh. I kam thënë Nishanit se fakti që vijmë nga dy kampe kundërshtare nuk është problem por rëndësi në kulturën e një bashkëpunimi. Dua të shpresoj që dhe ai ta shohë kështu e të punojë me mua, bashkë me Kryetarin e Kuvendit jo si noter i një pale që ka humbur zgjedhjet por garant i Kushtetutës. Dua të shpresoj se presidenti do ta lexojë mirë votën e 1 milionë shqiptarëve që na dhanë 84 mandate." - tha Rama duke shtuar se ”Ne do të respektojmë në frymë e në gërmë Kushtetutën në marrëdhëniet me gjyqësorin por nuk do të bëjmë sehir asnjë ditë duke parë si vritet e drejta në sallën e gjyqit”.
LLALLA S'BERI ASGJE PER TE LUFTUAR KORRUPSIONIN
“Ne s’do bëhemi kurrë aleatë me gjykatës të korruptuar. Qeveria e re do të jete belaja më e madhe e të korruptuarve në sistemin e drejtësisë“- tha Rama.
“1 milionë njerëz na dhanë mandat t'i kthejmë sigurinë e humbur të jetës dhe pronës t’i shpëtojmë nga kriminaliteti dhe rrugaçëria dhe t’i marrim në mbrojtje nga shtypja poshtëruese.
"Ne nuk kemi votuar as për Presidentin e sotëm të Republikës dhe as për Prokurorin e Përgjithshëm, që ka sot Shqipëria. Por, ne nuk jemi votuar për ta rifutur qeverinë e vendit në llogoren e luftës politike ndaj një kryeprokurori, që deri më sot nuk ka bërë asgjë konkrete për të merituar ndonjë vlerësim pozitiv prej nesh. Ia kam bërë të qartë Prokurorit të Përgjithshëm se ne do të qeverisim në papajtueshmëri të plotë me korrupsionin e me kulturën e pandëshkueshmërisë. I kam nënvizuar vullnetin e plotë për të luftuar, krah për krah, me organin e prokurorisë dhe me atë personalisht, kundër krimit dhe korrupsionit në çdo nivel e të çdo kohe, sado të vjetër a të re. Dua të shpresoj se prokuroria nën drejtimin e tij do të shënojë progres real gjatë katër viteve të ardhshme në betejën me gangrenën e këtij vendi, krimin dhe korrupsionin, duke u bërë protagoniste e kësaj beteje jo duke mbetur një dëshmitare anemike në skenën e betejës." vazhdoi kreu i PS-se.
RAMA- FULLANI DO REALIZOJE PROGRAM PER VLERESIMIN FINANCIAR ME FMN E BB
Rama tha se në takimin me Fullanin kishte kërkuar realizimin sa më të shpejtë të programit për vlerësimin e sektorit financiar në bashkëpunim me FMN e BB.
“Me Guvernatorin diskutuam mbi gjëndjen e financave. I kërkova Guvernatorit ë nxisë realizimin sa më shpejt në kohë të një programi të vlerësimit të sektorit financiar që zhvillohet bashkarisht prej FMN e BB. Qeveria e re por dhe vetë publiku duhet të dijnë të gjithë të vertetën e financave. Nuk mund të lejojmë përkeqësimin e financave.
Nuk duam të ushqejmë konflikt shterpë me opozitën.
Qeveria e re është e dëshiruar të dëgjojë me vëmendje sugjerimet në funksion të rritjes ekonomike. Jo s’e kemi vendosur, sot, të nënshkruajmë marrëveshje të re me FMN-në. Këtë do e shqyrtojmë më vonë por çmojmë shumë, në parim, ekspertizën e FMN e Bankës Botërore. Ne jemi të shqetësuar për shthurjen e disiplinës financiare. Raporti i të ardhurave me shpenzimet ka kaluar çdo sens logjik. Për hir të atyre shiritave të rrugëve, rruga e rrënimit ekonomik është stërgjatur si asnjëherë në gjysëm e vetme të vitit. Nisur nga shqetësimi që rritet përditë dhe drejtimin pa frena të kryeminsitrit në detyrë kam nisur fillimin e komunikimit sistematik me publikun”
QEVERESIJE SI FORCE E VETME, DO KUSHTOJE ME PAK
“Qeveria e re nuk di në do jetë me më shumë apo më pak ministra , por di që do kushtojë më pak. Më pas do fillojë diksutimi për emrat.”- tha Rama duke shtuar se në fuksion të ndërtimit të qeverisë së re do të mirëpresë çdo mendim por dhe konsultimet me ekspertë të huaj dhe ndërkombëtarë.
“Do ta përsëris pa u lodhur se ne në qeverisje jemi zgjedhur në partneritet strategjik me LSI dhe aletatë të tjerë. Për çdo ndarje përgjegjësie në qeverisje çdokush që diskuton për mbarëvatjen e punës së përbashkët, duhe ta dijë se ne jemi angazhuar për të mos përsëritur gabimet e së shkuarës. Kemi bërë një fushatë të veçuar me LSI për të pasqyruar programet tona, dhe kemi fituar ashtu siç nuk e ka parashikuar edhe syri i një më optimisti. Kemi fituar të dy partitë në koalicion.
Nuk do i marrim njëri-tjetrit zona influence, ne jemi dy parti, por jemi një forcë e vetme qeverisëse dhe do të qeverisim si forcë e vetme. Do ndajmë përgjegjësitë, por nuk do ndajmë shtetin në parcela. Nëse dikush tjetër kërkon që unë ta përsëris, e përsëris, nuk jam naiv, as nuk kam ardhur nga një planet tjetër, kjo është një kërkesë e popullit sovran, që populli na dha me votën
e tij. Për gjithë sa thashë procesi i qeverisë nuk ka arritur tek emrat dhe ndarja e ministrive. Ky do të jetë procesi i fundit, dhe do merret në kuadër të garancive që do të ketë për qytetarët.
Kemi ngritur një grup të përbashkët PS-LSI për mënyrën sesi do t’i vijmë në ndihmë qytetarëve. Na duhet të garantojmë paprekshmërinë e cilësisë së burimeve njerëzore. Do shmangim fshesën në administratë, si paraktikë që është ndjekur. Ky grup do të sistetizojë metodologjinë e trajtimit të burzimeve njerëzore.
Shqipëria do të ketë një agjenci të posaçme të burimeve njerëzore ku do jetë e plotë baza e të dhënave të kapitalit njërezor të këtij vendit, të gjithë atyre që kanë investuar në dije, dhe kanë për të dhënë si brenda dhe jashtë vendit, që do t’i shërbejnë si sektorit publik dhe atij privat. Struktura do jetë e finalizuar besoj brenda javës së tretë të korrikut.
Qeveria e re nuk di në do jetë me më shumë apo më pak ministra , por di që do kushtojë më pak. Më pas do fillojë diksutimi për emrat. Në fuksion të ndërtimit të qeverisë së re do të mirëpres çdo mendim tuajin. Pjesë e konsultimeve janë edhe konsultime me ekspertë të huaj dhe ndërkombëtarë. ”
RAMA: TE ZHBEJME LIBRIN E TRASHE ME GABIME TE QEVERISE BERISHA
"Edhe pse s’ka ardhur dita të ulemi formalisht në shumicën parlamentare ka nisur koha e veprave. Qeveria na ka dhënë dhuratë të paçmueshme librin e trashë të gabimeve të saj.
Mbajtja e një vije të qartë ndarëse është një punë e sotme që s’duam ta lëmë për nesër. Gabuan në administratën e shtetit duke e kthyer në ushtri të pushtetit. Futën thellë rrënjët e kulturës antishtet. I trajtuan pozicionet në administratë si plackë lufte politike. Flakën nga puna nëna baballarë vetëm sepse nuk ishin pjesë e batalioneve që e fituan në emër të duarve të pastra dhe e kthyen në pazar të punëve të pista. E çuan korrupsionin në pikën më të zezë duke plaçkitur dhe xhepat e militantëve të tyre”- tha me tej Rama ne fjalimin e mbajtur me shume se 1 ore.
RAMA: DO I JAPIM FUND PUNESIMT SIPAS LIDHJEVE QORRE
Duke folur për qeverisjen e re Rama tha se do t'i jepet fund praktikës së punësimit sipas lidhjeve qorre, ndërsa deputetëve u kërkoi të hapin zyrën në çdo zonë të Shqipërisë.
“Ata që na vunë në krye, nuk e bënë për të zëvendësuar paraardhësin tim me mua, por na kanë zgjedhur për të ndryshuar Shqipërinë, duke ndryshuar modelin qeverisës, duke ndryshuar së pari mënyrën e sjelljes së deputeteve dhe të gjithë zyrtarëve.
Ju kërkoj si nga unë i pari, deri tek më i riu, të hapim zyrën e deputetit në çdo zonë të Shqipërisë për të dëgjuar ankesat e çdo qytetari dhe të japim zgjidhje. Të ngrejmë një grup pune për të përgatitur organizimin e kësaj praktike.
Jemi përballë dallgës së kërkesave për punësim. T’i japim fund praktikës së punësimit sipas lidhjeve qorre, nga lidhje të shkurtra fisnore, miqësore”.
T’u japim mundësinë të gjithëve të provohen, por jo të fitojnë në kurriz të dikujt tjetër. Do të ketë trajtim të barabartë të kërkesave. Nuk do lejojnë diskriminimin apo përjashtimin e dikujt për t’i hapur rrugë dikujt tjetër. Duhet të jemi garantët e meritës dhe transparencës, përndryshe do të humbasim njerëzit dhe mundësinë historike për këtë vend, që të bëjmë histori duke bërë shtet. Jam shumë i ndjeshëm ndaj papunësisë në Shqipëri dhe detyrimi për të ndihmuar është i pashmangshëm. Duhet të gjejmë njerëzit për punën, por jo punën për njerëzit.
Do marrim statusin e vendit kandiat, dhe do të ndërtojmë Shqipërinë europiane që kemi premtuar. Duhet të ngremë pritat dhe të përpiqemi të mos marrë dallga shpresën e këtij populli.
Të gjithë sot nga brenda dhe jashtë shohin me lupën e seriozitetit për çdo gjë që themi dhe bëjmë. Duhet të japim pamjen e një force të organizuar si qendër, por qeverisja do ta forcojë forcën e skuadrës. Fushata e zgjedhjeve të 23 qershorit duhet të cilësohet si fillimi i marëdhënieve të mira me publikun. Qytetarët dhë bota, do të dëgjojnë nga ne partnerin strategjik për ecurinë.”- tha Rama.
FESTA MBAROI, TANI SFIDA E RËNDË MAL
Më pas, Rama ka postuar në faqen e tij në Facebook, këtë koment: "Festa mbaroi, fillon sfida e rëndë mal". Duke e shoqëruar edhe me foton e mbledhjes së grupit parlamentar të PS.
(Foto: Rama sot në grupin parlametar të PS)
Redaksia online
(sg/mag/shqiptarja.com)