TIRANE - Lindita Nikolla është ministrja më e mirë që ka drejtuar dikasterin e Arsimit në 25 vjet. Ky është vlerësimi që kryeministri Rama ka për ministren e Arsimit dhe Sportit, të cilin e bëri publik gjatë fjalës së mbajtur këtë të shtunë në Forumin e Gruas Socialiste.

"Gratë ministre kanë sjellë më shumë sesa ekuilibër të ri nga pikëpamja e statistikës së përfaqësimit por edhe cilësi të re, si ministrja e Arsimit model i shkëlqyer lidershipi dhe kapaciteti për të përfshirë në dialog të gjithë aktorët e faktorët që përfaqësojnë interesa të caktuara në procesin e reformës në arsim. Më vjen keq për gjithë profesorët e doktorët që e kanë drejtuar burrërisht MAS, që një mësuese gjimnazi është ministri më i mirë i arsimit në 25 vjet që Shqipëria ka prodhuar”­, tha Rama.

Sipas tij, profesorët e doktorët nuk e pranojnë, përpiqen të provojnë të kundërtën, “por sa më shumë bëjnë të kundërtën, unë bindem që jo vetëm ka qenë zgjedhja më e mirë, por jemi duke i bërë shërbimit më të madh ndaj fëmijëve që u hoqëm një burrë nga qafa në MAS”.

Ministrja Nikolla ka qenë mësuese në shkollën e mesme "Sinan Tafaj" në kryeqytet, gjimnaz në të cilin ishte edhe drejtoreshë.

Redakasia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)