TIRANE - Reforma që pritet të ndërmerret nga qeveria e re, ajo e ndarjes së mandatit të deputetit nga ai i ministrit, duket se ende nuk është konkretizuar mes PS dhe LSI. Një nga eksponentët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, deputeti i ri Luan Rama, thotë se një gjë e tillë nuk është e menduar mirë. “Është një çështje që do duhej të ishte diskutuar dhe të ishte konsultuar më mirë në momentin kur u artikulua

Unë nuk di në Europë të ketë vend tjetër që aplikon këtë standard me përjashtim të Francës. Është një problem për të cilin është shpallur një qëndrim nga kryetari i PS, me këtë parim ka rënë dakord dhe LSI për të mos krijuar dy standarde. Është një çështje që ndoshta do të shihet në mënyrë më konkrete në momentin kur do të formësohet realisht qeveria e re”, tha Rama.

Nëse do e lërë ai mandatin e deputetit për një post ministror, Rama thotë: “Mandati i deputetit është mandat përfaqësimi politik, mandat i fituar me votë dhe përgjithësisht gjykimi apo ndarja mes një mandati të fituar me votë dhe një mandati të marrë me emërim, logjika normale ta do të orientohesh drejt mandatit të përfaqësimit”, tha ai.

Shkrimi u botua sot në Gazetën Shqiptarja.com (print) 16.07.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)