TIRANË - Kryeministri Edi Rama foli gjerë e gjatë për shqiptarët e mbetur jashtë atdheut ku u shpreh qartë se kufijtë janë mbyllur për të frenuar COVID-19 dhe se asnjë shqiptar që është rezident jashtë, nuk do të lejohet të futet brenda kufirit tonë. Kreu i qeverisë tha se për ata që kanë emergjenca të ndryshme të cilat do të verifikohen, do të lejohet të futen në Shqipëri, por jo duke shkuar menjëherë pranë familjarëve të tyre. Në një komunikim LIVE në Facebook, Rama tha se ata do të karantinohen për 14 ditë në një hotel pranë pikës kufitare, dhe do të paguajnë vetë të gjitha shpenzimet. Nuk do të lejohet askush të dalë nga dhoma - tha Rama - pasi do të ketë polici në strukturat hoteliere. 

Kryeministri Edi Rama si rrallë në komunikimet e tij publike gjatë periudhës së vështirë që Shqipëria po kalon me koronavirusin, përmendi emrin e Sali Berishës, duke thënë se ai se synon të nxisë katastrofën duke i bërë thirrje qytetarëve jashtë atdheut që të kthehen në Shqipëri.

"Është fakt i njohur botërisht, që Sali Berisha ka vetëm një synim, si e si të rishkatërrojë edhe një herë Shqipërinë për llogaritë e tij halucinante. E solla këtu këtë emër krejt të papëlqyeshëm për shumicën e shqiptarëve si zanafillën e një procesi skandaloz politik nxitje të rrëmujës por në këtë rast është nxitje e zinxhirit të vdekjeve. E një zinxhiri vdekjesh që është larg së qeni ai që do të ishte nëse do të shkojmë me mend e Saliut dhe atyre që i bien këtij avazi. Është e pajustifikueshme që të nxitet kjo situatë dhe të nxiten njerëzit të vijnë drejt kufijve, dhe të nxitet konflikti me policinë në kufi. Kufijtë janë të mbyllur për të mbrojtur jetën e atyre këtej e andej kufirit", tha Rama. 

Sot në Kakavijë nuk ka asnjë persona, ndërkohë që në Kapshticë janë 19 makina të personave që janë banorë rezidentë në Greqi, të cilët nuk kanë asnjë urgjencë të posaçme por kërkojnë të hyjnë për të takuar familjen.

"Ata të cilët janë parë përsëri në ekran sot, janë 19 automjete të personave që janë rezidentë në shtetin fqinj. Thonë që kemi ardhur të takojmë familjen dhe do kthehemi prapë", tha Rama, duke shtuar se brenda 24 orësh zyrtarisht do të bëhet publike se "si do të veprohet dhe si do të jenë mekanizmat për trajtimin e atyre që kanë urgjencë".

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:18
Të prekurit nga tërmeti/Rama: Kësaj jave fillon puna për ndërtimin e lagjes së re në Thumanë

1586174926_ramafoto4.jpg

Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se këtë javë do të nisë ndërtimi i lagjes së re në Thumanë, për banorët e prekur nga tërmeti.

"Për ata që janë të prekur nga tërmeti, fillon puna për ndërtimin e strukturës në Thumanë. 46 shkolla janë bërë gati dokumentet jashtë Tiranës", tha Rama.

Ora 14:08
Rama: Lulzim...do apo s'do ti, do apo s'do PD, strategjinë e testeve nuk e bëj unë por ekspertët

Kreu i qeverisë iu drejtua edhe një herë liderit demokrat Lulzim Basha që të heqë dorë nga akuzat e pabaza politike në këtë situatë, pasi theksoi se ai dëgjon ekspertët e fushës edhe për kryerjen e testeve që kryepozitari kërkon të bëhen më masivisht. Rama tha se është kohë për të bashkëpunuar kundër koronavirusit për ta fituar këtë luftë.

"Më vjen keq të kthehem tek pika që lidhet me PD-në dhe me opozitën. Dua t'ia përsëris Lulzim Bashës nuk është kohë për të bërë opozitë të llojit që është një lloj skarco, është zgjedhja juaj, të llojit të përpara fillimit të luftës. Që kryeministri fshihet pas ekspertëve. Unë them atë që më thonë ata. Dhe strategjinë e testeve nuk e bëj unë, e bëjnë ata, do ti apo s'do ti, do PD aspo s'do PD. Është koha të kontribuojmë bashkërisht për ta fituar këtë luftë. Nuk është kohë për të treguar sa pak dini. Lulzim e kam thënë, nëse keni diçka që iu shqetëson pyesni përpara, dëgjoni", tha Rama.

Ora 13:51
Rama: Shpërndahen 9500 pagat e para të luftës për bizneset e mbyllura

Kryeministri Edi Rama tha se janë shpërndarë sot dhe nesër i marrin në dorë 9500 pagat e para të luftës për bizneset e vogla që janë mbyllur nga qeveria gjatë kohës së koronavirusit.

"Dua të vë theksin tek fakti që sot janë miratuar 9500 pagat e para të luftës për bizneset e vogla që hyjnë në kategorinë që kanë mbyllur aktivitetin dhe nuk punojnë dot, dhe në fund të javës do të kalojnë të tjera, mbi 60 mijë paga lufte. Aplikimet bëhen në faqen online tek drejtoria e tatimeve, ku pas verifikimeve bëhen miratimet. Të gjitha kategoritë e tjera që kemi thënë do t'i fusim në kategoritë që do të përfitojnë nga zgjerimi i paketës, pas datës 15 prill. Kujtdo që i takon do t'i marrë lekët pa diskutim", tha Rama.

Ora 13:44
Rama publikon projektonet e qeverisë: Po të mos kishim marrë masat sot do kishim 3008 të infektuar dhe 286 viktima (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama ka publikuar projeksionet e hartuara nga ministria e SHëndetësisë, ku thekson se nëse nuk do të ishin marrë masat sot të të kishte 3008 të infektua dhe 286 viktima.  

"Sot do të kishim 3008 të infektuar me projeksonin maksimal, në atë mesatar do të ishim 600, sot kemi më pak. Ky është rezultata i masave. Nëse nuk d t'i kishim marrë do kishim 286 të vdekur, me projeksonin mesatar 40", tha Rama.

Ora 13:35
Rama: Shkodra 'bombë me sahat' të respektojnë rregullat...akuza për Voltana Ademin (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama ka sjellë në vëmendje qytetin e Shkodrës, duke u bërë apel qytetarëve që të respektojnë masat e marra, pasi sipas tij ky qytet po kthehet në një bombë me sahat. Ai ka deklaruar se qeveria do të mbështesë të gjithë qytetarët në nevojë, pensionistët e vetmuar. ndonëse për këtë thotë se nuk ka pasur një bashkëpunim nga autoritete vendore.

"Apel banorëve të Shkodrës, bëni kujdes maksimal sepse mosrespektimi i rregullave dhe shpërfillja e disa masave elementare e ka kthyer Shkodrën në një bombë të kurdisur me sahat Do bëjmë gjithçka për të mbështetur Shkodrën, edhe pse ende nuk e kemi pasur angazhimin e plotë dhe mirëkuptimin nga strukturat vendore, por në fund të ditës është disiplina e hekurt dhe respektimi i masave nga vetë banorët. Do ndjekin protokollet për shkëputjen e zinxhirit të transmetimit. Situata është delikate. Ajo që ka rëndësi të thuhet edhe njëherë tjetër është fakti se kemi të bëjmë me një rezultat që të gjithë duhet të jemi shumë të vetëdijshëm dhe shumë inkurajues", tha Rama.

Ora 13:31
Rama: Berisha do katastrofë! Nga nesër asnjë rezident jashtë nuk futet në Shqipëri, kush ka emergjencë, karantinim 14 ditë në hotel me lekët e tij (VIDEO)

"Pa entuziazëm, se në këtë luftë nuk ka vend, por me bindjet dhe me një optimizëm inkurajues duhet nënvizuar që ecuria është goxha pozitive në radhë të parë falë jush. Falë 99 e më shumë shqiptarëve që në këtë luftë po bëjnë më të mirën e tyre, ku 0.7, apo 0.5% e pabindurve që nuk dëgjojnë masën e madhe që po lufton, mbeten sidoqoftë një minë me sahat që duhet ta adresojmë me patjetër. Ka shumë halle e probleme specifike, dhe dua që t'më besoni që po merremi me të gjithë ditë-natë. 

Për çështjen e atyre që kuturisen të vijë në kufi, duke shprehur keqardhje për disa media që i transmetojnë si live pamjet e 2-3 ditëve më parë, kemi një situatë si vijon. 

Në Kakavijë nuk ka asnjë problem tani që flasim, ndërkohë që në Kapshticë kemi 19 makina të personave që janë banorë rezidentë në Greqi, të cilët nuk kanë asnjë urgjencë të posaçme por kërkojnë të hyjnë për të takuar familjen. Në një kohë tjetër kjo që po them do të ishte absurde por në këtë kohë është e vetmja rrugë që ne kemi, që të dekurajojmë maksimalisht hyrjet në kufi dhe nga ana tjetër kush bën patriotin, kush bën vajtimtarin për shkeljet e të drejtave të njeriut, përmes pengesës që i krijohet njerëzve për të hyrë në atdheun e tyre, synon të nxisë katastrofën. E them këtë pa as më të voglin dyshim. Është fakt i njohur botërisht, që Sali Berisha ka vetëm një synim, si e si të rishkatërrojë edhe një herë Shqipërinë për llogaritë e tij halucinante. E solla këtu këtë emër krejt të papëlqyeshëm për shumicën e shqiptarëve si zanafillën e një procesi skandaloz politik nxitje të rrëmujës por në këtë rast është nxitje e zinxhirit të vdekjeve. E një zinxhiri vdekjesh që është larg së qeni ai që do të ishte nëse do të shkojmë me mend e Saliut dhe atyre që i bien këtij avazi. Është e pajustifikueshme që të nxitet kjo situatë dhe të nxiten njerëzit të vijnë drejt kufijve, dhe të nxitet konflikti me policinë në kufi. Kufijtë janë të mbyllur për të mbrojtur jetën e atyre këtej e andej kufirit. 

Ne kemi vendosur që brenda 24 orëve të ardhshme të hyjmë në një proces të ndërmjetëm dhe kush do të vijë në kufi tokësor me dokumente rezidence në vende të tjera nuk do të lejohet të hyjë, në asnjë rast dhe për asnjë arsye. 

Kush do të vijë në kufi me pretendime të një natyre tjetër do të karantinohet për 14 ditë në struktura hoteliere me shpenzimet e veta. 14 ditë në hotel në dhomë mbyllur ku do të marrë ushqimin dhe do të paguajë vet një çmim fiks. Do të kontrollohen nga policia dhe do të jetë e ndaluar dalja nga dhoma. Kjo është e vetmja mënyrë që ne mund të mbrojmë popullin tonë, Shqipërinë nga katastrofa. 

Ardhja në Shqipëri sot nga shqiptarë rezidentë në vende të tjera është e papranueshme, është papërgjegjshmëri ndaj vetes, dhe ndaj vetë vendit tonë. 

Brenda 24 orësh zyrtarisht do të bëhet publike se si do të veprohet dhe si do të jenë mekanizmat për trajtimin e atyre që kanë urgjencë. Ata të cilët janë parë përsëri në ekran sot, janë 19 automjete të personave që janë rezidentë në shtetin fqinj. Thonë që kemi ardhur të takojmë familjen dhe do kthehemi prapë. Nuk është e mundur, është e pamundur. Kush do vijë për urgjencë, do akomodohet në një strukturë hoteliere pranë kufirit me shpenzimet e veta. Këtë e kanë bërë edhe vendet e tjera. Është e provuar që vendet që i mbajnë hapur kufijtë pasi shfaqet virusi hyjnë në telashe të pafundme që i paguajnë të gjithë bashkë. Asgjë nuk mund të funksionojë si në kohë paqeje, në asnjë drejtim, vetëm kështu fitohet lufta", tha Rama. 

Në përgjigje të kërkesës së qytetarëve për të instaluar çadra në kufi, Rama këmbënguli edhe një herë tek përgjigjja e dhënë se kush ka emergjencë do të vetëkarantinohet në hotel pranë kufirit.

"Nuk do krijojmë halle të reja as për ta as për popullin as për vendin, do vëmë struktura hotelerie ku kush vjen do të jetë i karantinuar 14 ditë me shpenzimet e veta i mbyllur në dhomë", përfundoi Rama.