Kryeministri Rama ka vijuar sot me denoncimet për media që sipas tij bëjnë shantazh me lajmë të pavërteta për të përfituar para nga Qeveria.

“Ja për shembull se si funksionon shantazhi mediatik. Kërkohen 120mln lek nga AZHBR për t’u treguar shqiptarëve kudo ndodhen sa mirë po ecën Shqipëria rurale. AZHBR s’e plotëson dot kërkesën e shpjeguar në shumë faqe se si e qysh tërë dynjaja do shohë shqip/anglisht suksesin e saj! Atëherë pllaka kthehet përmbys dhe dynjasë i jepet një emision i tërë me gllabërim parash të bujqësisë, një fabrikim nga fillimi në fund me gjysmë të vërteta që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha, e ngjashme si dy pika uji me një fabrikim nga i njëjti kanal për Rilindjen Urbane”, shkruan Rama në postimin e tij teksa ka publikuar edhe dokumentin.

Dokumenti i publikuar nga Rama

Në vijim të denoncimit, pak më pas Rama ka botuar një tjetër dokument, që sipas tij tregon mendimin e medias që ka kërkuar para për të pasqyruar sukseset në bujqësi dhe në momentin që nuk i kanë marrë bëjnë lajme të pavërteta.

Postimi i Ramës 

"Ja edhe maska e medias në fjalë pasi nuk merr lekët e kërkuara me hir, në përpjekjen për t’i marrë me pahir duke helmuar opinionin publik me kronika të mbushura me gjysmë të vërteta (të cilat janë edhe rrenat më të mëdha), e të ambalazhuara me tituj bombastikë të gënjeshtërt…

Ja opinioni i pamaskuar i medias në fjalë për zhvillimin e fermave me mbështetje nga AZHBR, në letër kërkesën për 120 milion lekë që ta ndajë këtë të vërtetë me publikun…

Prej disa ditësh tashmë kryeministri Edi Rama ka akuzuar disa media duke thënë se kanë qëllimin kryesor dizinformimin e qytetarëve. Ai thotë se e gjitha kjo po bëhet nga ato media që kanë kërkuar favore të paligjshme, por që qeveria nuk ua ka dhënë. Rama ka shkruar se “Aleanca e Rublave” është përditë e më e qartë, çdo ditë e më e tërbuar, ditë pas dite më e dëshpëruar.