Rama padit deputeten e PD-së
Vokshi: Shpifëse profesioniste

Rama padit deputeten e PD-së<br />Vokshi: Shpifëse profesioniste
Kryeministria ka njoftuar se po hartohet një padi ndaj deputetes demokrate, Albana Vokshi për shpifje, dhe nëse kjo e fundit vërteton akuzat e saj, kryeministri shpreh gatishmërinë për dorëheqje. Menjëherë ka reaguar kreu i opozitës, i cili e ka quajtur kërcënim këtë njoftim dhe e ka cilësuar deputeten e tij si një denoncuese kurajoze. 

Sipas zyrës së shtypit të Ramës, duhet që gjykata të kalojë në sitë të gjitha akuzat e bëra prej deputetes. 

“Zyra e Kryeministrit informon publikun se ka ndërmarrë hartimin e kallëzimit të deputetes Albana Vokshi për veprën e shpifjes. Deputetja e Partisë Demokratike ka marrë përsipër sektorin e prodhimit të baltës së shpifjeve për çdo nismë të qeverisë në fushën e shëndetësisë. Në aktivitetin e saj të vazhdueshëm prodhues, ajo në mënyrë të përsëritur përshin emrin e Kryeministrit”,-thuhet në njoftimin e kryeministrisë. 

Më tej deputetja demokrate cilësohet si një profesioniste në shpifje. 

“Zyra e Kryeministrit ka të gjitha arsyet e bazuara në prova e fakte, për të besuar se fatkeqësisht, deputetja Albana Vokshi i përket kategorisë së shpifësve profesionistë të nivelit të lartë politik në PD, si famëkëqijtë Paloka dhe Ristani. Këta të fundit u provuan si shpifës për përdorim partiak nga Gjykata e Lartë e Shqipërisë, pasi nuk arritën të provojnë përpara trupit gjykues asgjë tjetër, përveç faktit se shpifin për llogari të partisë së tyre”, -thuhet më tej në njoftim. 


Kryeministria i kërkon Gjykatës së Lartë që të kalojë në sitë të gjitha akuzat e Vokshit, dhe fton deputeten të provojë akuzat e saj. 

“Ka ardhur koha që Gjykata e Lartë të kalojë në sitën e gjykimit të saj të pavarur e të paanshëm edhe akuzat e deputetes në fjalë. Njësoj si në rastet e shpifësve Paloka dhe Ristani, Kryeministri Rama shpreh publikisht gatishmërinë e tij për të dhënë dorëheqjen, jo vetëm nga detyra, por edhe nga aktiviteti i tij politik, nëse deputetja Vokshi do të provojë në gjykate se shpifjet e saj ndaj Kryeministrit nuk janë të tilla”, -përfundon njoftimi i kryeministrisë. 

Reagimi i kryeministrisë vjen pas një sërë deklaratash të deputet Vokshi ndaj ministrit të shëndetësisë. E fundit ishte ditën e premte, ku Partia Demokratike akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj, për vjedhjen e 1.7 miliardë lekëve gjatë 9 muajve. 

Deputetja demokrate, Albana Vokshi doli para mediave me një tabelë, ku sipas saj, ka një diferencë të madhe mes shumës së paguar nga Fondi i Sigurimeve Shoqërore dhe numrit të qytetarëve që kanë përfituar nga shërbimi i check up-it. Vokshi tha se Rama i dha “mikes së tij, Vilma Nushi”, 1 miliardë e 700 milionë lekë më shumë se sa shërbimi që ka ofruar.  

Në reagimin e saj opozita e cilësoi këtë një kërcënim të bërë nga ana e kryeministrit për të mbrojtur ministrin e shëndetësisë. 

“Kërcënimi i kokoshit 200 milionësh sot ndaj Albana Vokshit, pas një serie denoncimesh kurajoze, me fakte e me prova për korrupsionin në shëndetësi, për zhvatjen që ai po i bën parave të shqiptarëve me miliarda çdo muaj, tregon dy gjëra. Se kryehajduti Edi Rama përmes mashës së tij Ilir Beqa i kanë vjedhur ato miliona euro dhe po vjedhin dhe sot të tjera. Dhe se ai ka në shërbim të tij drejtësinë e gjyqtarët e tij mercenare në Gjykatën e Lartë, me të cilën kërcënon opozitën dhe fjalën e lirë”-thuhet në deklaratën e Lulzim Bashës. Opozita nuk kursen në këtë deklaratë as sulmet për gjyqtarët e gjykatës së lartë, duke i quajtur ata të korruptuar dhe në shërbim të Ramës. 

Redaskai online
(s.m/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    PD paralajmëron protesta, bllokim rrugësh e kaos në Kuvend, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Itali/ Shqiptari plagos me thikë italianin, 52 vjeçari përfundon në spital

Itali/ Shqiptari plagos me thikë italianin, 52 vjeçari përfundon në spital