Rama paralajmëron ministrat e
rinj: Shkarkoheni nëse s’punoni

Rama paralajmëron ministrat e<br />rinj: Shkarkoheni nëse s’punoni

I pranishëm në një intervistë në RTSH1, në emision “Përballë” të Lutfi Dervishit, Rama ka folur për qeverinë  e re dhe për objektivat për 4-vjeçarin e ardhshëm.

Kryeministri deklaroi se ministrat e qeverisë së re do të vlerësohen në bazë të performancave dhe do shkarkohen në rast se  ato do të jenë të dobëta, duke bërë kështu edhe një paralajmërim për ministrat e rinj.

Ne kemi punuar gjatë gjithë këtyre ditëve për të caktuar objektiva konkretë për çdo ministri, për t’ kalendarizuar, proceset për arritjen e këtyre objektivave dhe mbi bazën e këtij kalendarizimi ne po hartojmë për herë të parë besoj në historinë e qeverisjes të gjithë këtyre viteve, kontratat e perfomancës për çdo ministër dhe pastaj do të zbresim edhe për çdo zvministër dhe për çdo drejtues në sektorë të caktuar.
Mbi bazën e këtyre kontratave të performancës të cilat janë kontrata të matshme, do të gjykohet edhe puna e çdo ministri, e çdo zëvendësministri dhe çdo drejtuesi në sektorë apo agjenci të caktuara që do të ketë objektiva konkretë dhe një kalendar pune të përcaktuar
”, tha Rama.

Intervista e plotë e Kryeministrit:
Zoti Kryeministër, duke ju ndjekur gjatë fushatës elektorale, por edhe gjatë muajve të verës, nëse do të përdornim cinizmin, nga retorika juaj duket se nuk keni qenë asnjë ditë në qeveri. është zgjedhje e qëllimshme?
- Kjo është thjesht një qasje realiste ndaj situatës së sektorëve dhe në tërësi ndaj qeverisjes dhe është po ashtu një komunikim I hapur, I drejtpërdrjtë, I sinqertë me njerëzit, cila është situate dhe cilat besoj se janë sfidat dhe fushat e betejës në një front të gjerë reformash që duhet të shtrihen tanimë nbrenda trupit të qeverisjes, brenda zyrave të shtetit.

Cilat janë objektivat tuaja qeverisës për këtë mandat?
- Duke ju referuar atyre që ju zgjodhët të citoni në çeljen e emisionit mund të them se është një objektiv madhor transformim madhor I marrëdhënies së shtetit me qytetarët, në funksion të qytetarëve, duke patur parasysh domosdoshmërinë për të lehtësuar maksimalisht barrën e burokracisë për qytetarët dhe nga ana tjetër përmes ristrukurimit rrënjësor të mekanizmit të shtetit duke filluar nga mekanizmi I shërbimeve për qytetarët, pastaj natyrisht që objektivat shkojnë edhe përtej. Duke ju referuar për shembull objektivit shumë të rëndësishëm të rritjes ekonomike që ne synojmë të prekë dhe të kapërcejë 5% në fund të vitit 2019, duke vazhduar me shtrirjen e mëtejshme të një politike të re në fshat, ku kemi patur shenja inkurajuese të rritjes së eksporteve, po ku ka një potencial shumë të madh dhe pa diskutim duke thelluar më tej, reformat në arsim dhe në shëndetësi si dy fusha të një rëndësie jetike për të sotmen dhe për të ardhmen e vendit.

Disa nga objektivat që ju sapo përmendët janë krejt të matshme, nëse vendos si objektiv rritjen ekonomike 5% kjo është lehtësisht e verifikueshme, por disa të tjera është më vështirë për t’I matur. A keni ju një kriter për evaluimin dhe matjen e objektivave. Si do t’I matni objektivat?
- Nuk është e vështirë që të maten, pasi unë I preka thjesht në mënyrë shumë të përgjithshme, por për shembull nëse ka dy objektiva të tjerë strategjikë të këtij mandati, nga njëra anë çelja e negociatave me BE dhe nga ana tjetër jetësimi I reformës në drejtësi, të dyja këto janë plotësisht të matshme, pasi negociatat çelen ose nuk çelen dhe reforma në drejtësi jetësohet ose nuk jetësohet…

Pak më e vështirë është te arsimi dhe drejtësia. Ju shpallët strukturë të re qeverisëse, me moton “me më pak, më shumë”. Por edhe 4 vjet më parë kur shpallët strukturën e re qeverisëse togëfjalëshi ishte: reformë rrënjësore në dikasteret ekzistuese….dhe atëherë e kishit fjalën për drejtësinë, Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Jashtme…
- Kemi bërë një proces reformimi rrënjësor që në nisje dhe është një proces reformimi rrënjësor që vazhdon që do të thotë që 4 vjeçari I parë jo vetëm nuk është për tu hedhur poshtë, por përkundrazi është baza për të mundur të vijojmë më tutje me gjithë këto që themi. Nëse nuk do të ishte 4 vjeçari I parë nuk do të ishte e mundur që gjithë këto që themi të ishin të mundura dhe të arritshme.

Qeveria juaj edhe këtë radhë përbëhet nga 50 perqind burra dhe 50 perqind gra, por punët e vërteta ja ke lënë burrave...
- Nuk besoj, se gratë drejtojnë Mbrojtjen, drejtojnë Shëndetësinë, drejtojnë Arsimin janë dikaster me një kompleksitet të madh çështjesh dhe me një barrë shumë të madhe përgjegjësie. Kështu që nuk besoj se është më e lehtë të drejtosh shëndetësinë apo arsimin se sa të drejtosh kantieret e infrastrukturës apo financat.

Le të ndalemi pak te kompozimi i qeverisë. Përqëndrimi duket se është në tre ministri, Ministri Financave, Ekonomisë dhe Punës, zoti Arben Ahmetaj, Ministri Infrastrukturës dhe Energjisë, zoti Gjiknuri dhe Ministri Bujqësisë dhe Zhvillimit rural, Zoti Peleshi. Të gjithë ministrat duket se janë të barabartë, por këta të tre do të jenë më të barabartë se të tjerët…
-Përsëri nuk është kështu, sinergjia e krijuar mes disa sektorësh ka një logjikë të vetën dhe përsëri unë nuk besoj që le të themi, ministria e Bujqësisë është një ministri më e rëndë në peshë sesa Ministria e Shëndetësisë apo që Ministria e Energjisë dhe Instrastrukturës, është një ministri më e rëndë në peshë se ministria e Arsimit. Unë nuk besoj…

Shpjegimi juaj në mbledhjen Asamblesë ishte “duhet përqëndrim në dikastere të veçanta”. Por për shembull, në mos gaboj edhe në mandatin e parë thatë “kultura duhet të rrijë kulturë”. A shihni ju një kontradiktë? I përgjigjet struktura e re nevojave të vendit apo komoditetit personal?
- Nuk e di ku është komoditeti im personal në këtë rast. Ajo që është arsyeja kryesore pse është vepruar në këtë mënyrë është për të pasur një qeveri më të vogël, jo si një qëllim në vetvete, por si një mekanizëm më kompakt për të lehtësuar në maksimum koordinimin mes sektorësh që në momente të caktuara kanë përplasje apo mbivendosje, dhe ku janë brenda një ombrelle kujdestarie besoj funksionojnë më mirë dhe sigurisht për të lehtësuar në tërësi, ndërveprimin mes gjithë sektorëve që do të thotë se përtej çdo personaleje kjo është thjesht dhe vetëm një qasje për të bërë të mundur që mekanizmi të funksionojë më mirë.

A kemi ne kapacitetet administrative për t’iu përgjigjur strukturës së re të qeverisë… A rrit kjo rrezikun e dështimit?
-Unë nuk e shoh arsyen këtu pse. Kapacitetet administrative janë po ato si me 20 ministri si me 11 ministri si me 30 ministri. Numri I ministrive nuk përcakton kapacitetet administrative.
Po, por ju e keni të qartë nga përvoja se një strukturë e re kërkon kohën e vet të rritjes, maturimit dhe të efiçensës…

- Nuk shoh asnjë problem në këtë aspekt sepse sektorët do të funksionojnë siç kanë funksionuar, por do të kenë më shumë afrimitet dhe më shumë ndërveprim le të themi nën ombrella më të mëdha, që
shërbejnë edhe si hapësira komunikimi dhe si hapësira bashkërendimi në funksion të objektivave që janë të përbashkëta.

Zoti Ahmetaj, për shembull duket në “konflikt” në punën e tij. Edhe duhet të mbledhë/disiplinoj shpenzimet (pra në këtë rast duhet të jetë gjirokastrit që është edhe duhet të jetë hovardar, sepse duhet t’I shpenzojë paratë, të jetë tirons…
- është shumë e thjeshtë, ministria e Ekonomisë dhe e Financave të ndara kanë punë të përbashkëta, ku rëndom punët zvarriten apo pengohen për shkak të ndarjes dhe hendekut mes tyre. Ose Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe ajo pjesë e ministrisë së deridjeshme të Mirëqenies që ka të bëjë me punën dhe arsimin professional janë fusha ku duhet të kalojnë sipërmarrësit dhe në vend që të kapërcejnë hendeqet mes fushave tanimë janë brenda një hapësirë, ku sigurisht fushat kanë kufijtë e tyre, por që politikat dhe veprimet brenda këtyre fushave janë të mirëkoordinuara dhe të drejtuara nga një dorë.

Sa kohë mendoni se merr përshtatja me modelin e ri?
- Për çfarë?

Për të qenë në efiçensë, për të qenë efikas….
- Një javë.
Një javë?
-Po.
…dhe sa kohë do të jenë në provë ministrat?
- Që nga dita e parë.
Ju keni dëshmuar gjatë mandatit të kaluar, por edhe keni paralajmëruar se nuk e konsideroni tabu ndërrimim e “kuajve” gjatë rrugës, por pyetja ime është për ministrat…nëse nuk arrihen objektivat largohet ministri apo shihet edhe...struktura?
- Ne kemi punuar gjatë gjithë këtyre ditëve për të caktuar objektiva konkretë për çdo ministri, për t’I kalendarizuar, proceset për arritjen e këtyre objektivave dhe mbi bazën e këtij kalendarizimi ne po hartojmë për herë të parë besoj në historinë e qeverisjes të gjithë këtyre viteve, kontratat e perfomancës për çdo ministër dhe pastaj do të zbresim edhe për çdo zvministër dhe për çdo drejtues në sektorë të caktuar. Mbi bazën e këtyre kontratave të performancës të cilat janë kontrata të matshme, do të gjykohet edhe puna e çdo ministri, e çdo zëvendësministri dhe çdo drejtuesi në sektorë apo agjensi të caktuara që do të ketë objektiva konkretë dhe një kalendar pune të përcaktuar.

Kontratat e performacës me ministrat, zëvendës ministrat dhe drejtues a do të jenë këto kontrata publike që edhe publiku të ketë mundësinë të shoh e të gjykojë realizmin e objektivave?
- Kjo nuk është një gjë që e kemi diskutuar, por edhe mund të jenë publike, nuk besoj se ky është një
problem.
Duke folur për ristrukturimin, ministria e Integrimit “shkon” te Ministria te ministria Jashtme, bën sens, por si do t’u përgjigjeshit kritikëve dhe cinikëve që thonë se kjo është thjesht për të hequr njerëzit e LSI-së?
-Nuk është e nevojshme t’I përgjigjem kritikëve se kritikët kanë punën e tyre, por unë kam punën time dhe sigurisht puna ime është që të bëj gjithçka mundem që mekanizmat e qeverisë dhe procesi qeverisës të funksionojë sa më mirë. Kështu që më duket komplet absurd që të mendosh se në drejtimin e një vendi të nisesh nga idera të tilla, si largime të disave apo…

Janë edhe operacione që shkojnë për të hequr mentalitetin e tepsisë, për të cilën ju folët shumë gjatë fushatës elektorale. 4 vjet më parë, në gusht të 2013 ju keni folur për rolin dhe fuqinë e Ministrisë së Integrimit për punët që vijnë duke u shtuar për axhendën e integrimit, dhe keni vënë theksin te roli saj koordinues. Tani që puna e kësaj ministrie vjen duke u shtuar, tani do të shkojë si aneks I ministrisë së Jashtme?
- E punës është e vërtetë. Ministria e Integrimit ka qenë shumë e nevojshme në këtë fazë dhe në fazën ku hyjmë puna e saj, pra puna e bërë deri më tani nga kjo ministri duhet shpërndarë në shumë më tepër shpatulla, me shumë më tepër barrë përgjegjësie dhe ministria e Jashtme, e cila do të quhet ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, do të ketë përgjegjësinë e drejtimit…
Ministria e Jashtme ka një emër tjetër tani?
- Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, pra do të ketë një detyrë drejtuese politikisht në raport edhe me partnerët dhe koordinuese në raport me të gjithë dikasteret që do të përfshihen në procesin e negociatave.

Në mandatin e parë prezantuat Ministrinë e Mirëqenies sociale dhe Rinisë…. Në mandatin e dytë një ministre për mbrojtjen e sipërmarrjes. Një forcë e majtë që kujdeset për sipërmarrjen :-) dhe kujdesin social e çon tek shëndetësia…., shihni ndonjë gjë problematike?
- Nuk e kuptova ..

Tanimë nuk ekziston ministria e Mirëqenies Sociale, të paktën me këtë emër…
- Jo.

Por kemi një ministri për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.
- është një ministre shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes. Ministrja për mbrojtjen e Sipërmarrjes është faktikisht e thënë me fjalë të tjera, avokati I sipërmarrjes brenda qeverisë, që do të kurojë të gjithë marrëdhëniet me sipërmarrjen në funksion të mbrojtjes së interesave të sipërmarrjes kur ato cënohen nga vetë shteti, administrate apo nga punonjësit e administratës. Kështu që është një rol I ri që ne kemi dhe si të thuash kjo ministre do të jetë oponente e ministrive të tjera dhe një zë që do të mbrojë interesin e sipërmarrësve në çdo rast kur ky interes cënohet padrejtësisht.

A mund të flasim sot për kriteret që keni patur në përzgjedhjen e ministrave?
-Mund të flasim, por unë mendoj që zgjedhja e ministrave është …

...diskrecion I juaji?
- është përgjegjësi e kryeministrit në kuptimin që nuk është një zgjedhje e bazuar mbi kritere matematike, por sigurisht e bazuar në një tërësi vlerësimesh që kryeministri bën, për të ndërtuar një skuadër.
Zakonisht kryetarët e partive të mëdha në fushata vendosi kriterein politik të rezultateve nëpër qarqe, por duket ju keni marrë parasysh edhe faktorë të tjerë. Në fjalimin tuaj në Asamble ju keni folur për koaliconin me qytetarët. Dhe në atë që Ivan Krasteve e quan mosha e populizmit, epoka e populuzmit, duket si deklarim propagandistik. Në Asamble nuk e shpjeguat gjatë bashkëqeverisjen me qyterarët, megjithëse nga rrjeti social është disi me e sqaruar. Sistemi demokratik, bazuar mbi zgjedhjet e rregullta periodike parasheh përfaqësimin politik. Qytetarët më 25 qershor ju kanë autorizuar për të qeverisur. Me ftesën për bashkëqeverisje do të thotë se po refuzoni autorimizin që morët më 25 qershor?
- Jo, përkundrazi! Bashkëqeverisja me qytetarët është një detyrim që buron pikërisht nga mandati që ne morëm më 25 qershor. Kemi marrë një mandat kuq e zi dhe ngjyrat e këtij mandati janë ngjyra që përfaqësojnë të gjithë ata që duan një Shqipëri me shtet, me punë dhe mirëqenie, dhe që për këtë Shqipëri, me shtet, punë dhe mirëqenie duan të japin kontributin e tyre duke u bashkuar në një proces qeverisës, ku sigurisht secili mund të japë kontributin e vet dhe menjëherë mbas krijimit të qeverisë ne do të bëjmë publike dhe instrumentin e bashkëqeverisjes me qytetarët, që besoj se do të kthjellojë shumë paqartësi që janë krijuar dhe ndoshta edhe ndonjë keqkuptim që është krijuar, pasi këtu nuk bëhet fjalë për të zëvendësuar institucionet as për të krijuar mbivendosje për institucionet. Këtu bëhet fjalë për të rritur pjesëmarrjen e qytetarëve në procesin qeverisës dhe për të krijuar një hapësirë demokracie ku qeveritarët do të duhet t’u përgjigjen qytetarëve në kohë reale për të gjitha problemet që kanë të bëjnë me cilësinë e qeverisjes.

Më lejoni të qëndroj pak në këtë pikë. koncepti kushtetues më i guximshëm që lidhet me përfshirjen e qytetarëve në bashkëqeverisje ka qenë “recall” i zotit Basha për deputetët, që mund t’u hiqej mandate nga njerëzit, nuk po diskutojmë sa serioz sa jo serioz kjo është histori tjetër. Kur thërrasim qytetarët në skenë, a jemi të sigurtë se po qëndrojmë brenda sistemit, duke patur parasysh se ju vetë në asamble thatë: “Njerëzit e zakonshëm e bënë të tyren. Ata e fituan betejën zgjedhore për ne.” A nuk është koha të bëni ju betejën për njerëzit?
- Po sigurisht, patjetër, por nuk kuptoj ku është problemi nëse ne u krijojmë kushtet njerëzve, nëse ne I japim në dorë një instrument çdo njeriu të zakonshëm ..për të qenë…

Janë disa instrumenta ekzistues të cilët kurrë nuk janë përdorur ..
- … për të qenë I përfshirë në proces, për të ngritur në kohë reale shqetësime, apo për të dhënë në kohë reale ide, ose për të shfaqur interes në dhënien e kontributit të tij të drejtpërdrejtë. Për shembull, ku është problemi nëse një komunitet njerëzisht të zakonshëm kanë një shqetësim dhe për këtë duan të komunikojnë drejtpërdrejtë me ministrin?

A mund t’ua them problemin?
- Ku është problemi?

Qytetarët thirren për konsulta publike edhe sot e kësaj dite dhe ka një ligj për konsultimin publik, por ato janë formale dhe fiktive dhe taman si tek Game of Thrones, të vdekurit firmosin për leje hidrocentalesh dhe nuk ka asgjë konkrete…
-Po flasim për…
...përfshirje
- Po flasim, për…ju po flisni për çfarë ka, unë po flas për çfarë duhet të ketë dhe ligji konsultave publike për shembull është tjetër instrument brenda platformës qeverisëse dhe që ne duam ta përdorim me shumë më tepër seriozitet dhe konsistencë, pra….
...sepse ne nuk kemi parë reflektim për gjendjen aktuale, bëhen konsulta për buxhetet lokale, për plane urbanistike, por janë formale dhe një nga instrumentat që e bën efektvidhe vendimtar rolin e qytetarët, janë referendumet. Por ligji aktual që kemi për referendumet garanton vetëm mos zhvillimin e tyre. Do të shihni mundësinë e amendimit të këtij ligji dhe qytetarët të kenë një zë të drejt përdrejtë…?
- Nuk ka lidhje fare kjo që ne po bëjmë me këtë që po thoni ju…
…për përfshirjen e qytetarëve…
- ...pavarësisht se kjo që ju po thoni është pjesë e së tërës por ajo që ne duam të bëjmë dhe do të bëjmë është që t'u japim njerëzve zë në procesin e qeverisjes dhe po thoja se kur një komunitet ka një problem, po themi një gurore dhe ka të drejtë që me një numër të caktuar firmash të marrë ministrin përkatës në një interpelancë të hapur, e cila do të realizohet përmes platformës dhe do të jetë e aksesueshme nga të gjithë ata që duan ta ndjekin në këtë platformë. Apo ku është problemi nëse një grup nxënësish kanë një projekt duan një mbështetje dhe këtë projekt e bëjnë publik përmes kësaj platforme, duke synuar që të zgjerojnë interesin dhe të marrin një mbështetje edhe nga strukturat e qeverisë. Ku është problemi nëse dikush ka një instrument që në mënyrë të drejt përdrejtë të ankohet për sjelljen abuzive të një zyrtari dhe për këtë ankesë I gjithë shteti në atë sektor specifik të ngrihet në këmbë dhe të gjejë nëse qytetari ankohet me të drejtë apo nëse qytetari nuk ka të drejtë. Dhe në rastet kur qytetari ka të drejtë ai punojës i shtetit që ka keqtrajtuar qytetarin do të largohet nga detyra. Pra janë një sërë gjërash që duhet të funksionojnë realisht në jetën reale dhe që kjo platformë I bën ato më të mundshme për të funksionuar.

Nuk ka asnjë lloj problemi, I vetmi problem është se instrumentat aktual, ligji për konsultat dhe dëgjesat publike, ligji për aksesin e informimit që ju e keni përmendur gjatë muajit korrik…
- … janë pjesë e platformës.

...dmth nuk kemi parë reflektim për instrumentat aktualë që duhet t’I kishin ardhur në ndihmë qytetarit.
-Platforma është pasqyrë e këtij reflektimi, është instrument konkret për të pasqyruar edhe këtë reflektim.

Gjatë kësaj periudhe të paktën që nga fushta elektorale, kritiku më i madh, më i ashpër, madje edhe më i hidhur është kryeminsitri. Ky rol i juaji ka zhveshur nga funksioni opozitën. Reagimi opozitës ishte mbrojtja e administratës…Qëndrimi juaj është instikt, është zell apo mision për të zhvlerësuar opozitën…? Duket se ka një betejë nga të gjithë për hapësirën për të bërë opozitë….
- është një detyrim karshi njerëzve për të qenë I hapur, drejtpërdrejtë dhe I sinqertë në problematikat, me të cilat duhet të ndeshemi dhe natyrisht është edhe një qëndrim me këmbë në tokë I qeverisë, që bën gjithçka mundet, por që nuk është aq zoti në tokë që mund t'i zgjidhë të gjitha dhe nuk është as e pagabueshme apo e përsosur në qenien e vet. Kështu që më duket se është një komunikim krejt I natyrshëm me qytetarët dhe e përsëris një detyrim ndaj tyre për të qenë I vërtet në raport me problematikat dhe në raport me sfidat që kemi përballë shumë gjërave që nuk funksionojnë siç duhet.

Ju jeni fitues i zgjedhjeve. Opozita është e dobët. Ju jeni në timon i vetëm dhe ju duhet një opozitë e fortë, parimore, aktive dhe efektive. Si kryeministrër ju intereson demokracia dhe...ekuilibrat politikë. A jeni i përgatitur për t’i dhënë më shumë hapësirë në Parlament opozitës?
- Opozita ka pasur dhe do të ketë gjithë hapësirën që ka nevojë, bazuar sigurisht në rregullorej e Kuvendit të Shqipërisë, që është një rregullore tejet e balancuar...

…për shembull për ta ndryshuar rregulloren dhe për t'i dhënë më shumë hapësirë?
- Rregullorja është tejet e balancuar. Unë nuk e di se ç'do me thënë më shumë hapësirë, por ajo që opozitës I duhet nuk është që të ketë më shumë hapësirë për të folur, se për të folur opozita flet gjithë kohës. Po është më shumë...

Më shumë komisione për të drejtuar?
- Më shumë hapësirë mendimi që duhet ta gjej brenda vetes, më shumë qasje programore që duhet ta gjej brenda vetes dhe mbi të gjitha I duhet një vizion dhe një lidership që duhet ta gjej brenda vetes.

Në fillim të mandatit të parë qeverisës në shtator të vitit 2013 ju thatë: puna e opozitës është fjala, fjala jonë është puna. Në asamble: “jemi zgjedhur për t’u marrë me këto dhe me plot të tjera, por jo për t’u marrë me opozitën. opozita është zgjedhur që të merret edhe me ne.
- Fiks!

Dhe keni thënë “Do të dëgjojmë me respekt dhe çdo marrëzi dhe do çmojmë me kujdes çdo propozim”. Sa besoni se do të realizohet ky premtim që rrezikon edhe “spektaklin” parlamentar të ditës së enjte?
- 100 përqind. Kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë në parlament debate apo që nuk do të ketë replika. Por ajo që është e rëndësishme përsa na takon ne do të kemi një ndyrshim radikal të qasjes ndaj parlamentit, por edhe një ridimensionim të retorikës parlamentare besoj.

Do të jetë më cilësor debati?
- Kjo varet nga të gjithë aktorët jo vetëm nga ne. por ne do të përpiqemi të jemi sa më të lidhur me realitetin në një sallë ku për 4 vjet ka triumfuar izolimi I plotë nga realiteti.

Si rezultat i një marrëveshje me kryetarin e PD-së z. Basha arritët të realizonit zgjedhjet më të qeta në historinë 25 vjecare të tranzicionit në Shqipëri.. A synoni një marrëveshje për qeverisjen e legjislaturës….për të tërhequr opozitën drejt reformave dhe për t'ju larguar këtij spektakli që
sapo përmendët?

- Ne kemi një marrëveshje dhe unë uroj që ajo marrëveshje të mos ketë vdekur bashkë me zgjedhjet dhe me rezultatin shumë larg pritshmërive që mori Partia Demokratike, edhe pse me shumë keqardhje pashë një shprehje krejtësisht në kundërshtim me frymën e marrëveshjes kur lexova një paçavure të gjatë që një departament I PD-së çonte në Bruksel për të nxirë faqen e Shqipërisë.

Ajo që ju thoni le të grindemi në ship, por të merremi vesh në gjuhën angleze...
- Të mos bëhemi gazi I botës në gjuhën angleze, më saktë.

Ju keni një marrveshje që shpresoni që t'i qëndroni dhe ajo marrëveshje flet për reformën kushtetuese, për prokurimet dhe reformën zgjedhore. Ka piketa për këto reforma? Madje ju përmendët departamentet. Duket se PD-ja të vetmen gjë që ka bërë gjatë kësaj periudhe, ka organizuar disa departamente dhe ka folur për reformën administrative që nuk është pjesë e marrëveshjes së 17-18 Majit.
- Nuk është pjesë, edhe jemi komplet në dy kahe të kundërta.

Jeni I hapur për ta diskutuar?
- Do të isha shumë I gatshëm ta diskutoja nëse do të shkonim në një reduktim të mëtjeshëm të numrit të Bashkive. Po për të shkuar në një rritje të numrit të Bashkive është nonsens historik dhe shkon në të kundërt me vizionin dhe me bindjet tona për mënyrën se si do të administrohet territori në nivelin e dytë qeverisës.

A besoni se po funksionon reforma administrative? Jeni I kënaqur me rezultatet?
- Do të kërkoj shumë kohë për të dhënë efektin e plotë, por sigurisht që sot Shqipëria është shumë më e mirë në nivelin e dytë qeverisës dhe shumë më pak e korruptuar.

Përveç çështjes administrative, besoj se ju jeni I ndërgjegjshëm që kjo reformë në të cilën PD nuk mori pjesë e dëmton politikisht nëse e përkthejmë në mandate elektorale apo zgjedhje lokale.
- Nuk ka asnjë lidhje me këtë sepse numri I Bashkive apo I Komunave nuk përcakton fatin elektoral të asnjë partie përsa kohë Shqipëria ishte, është dhe do të jetë e ndarë në 12 qarqe.

E kam fjalën për zgjedhjet lokale. Jam dakord me variantin e parë që bën ekspertët me 40 zona zgjedhore, 40 njësi administrative, por kur kaloi 61 ishte e qartë që kishte më tepër komponentin politik sesa interesat e qytetarëve.
- Për hir të së vërtetës nuk është kështu. Po jo të gjithë ishin të gatshëm që të përqafonin atë skemë dhe u desh në fund që të bëheshin disa axhustime në fuksion të nevojës për të pasur një përfundim të reformës dhe kjo nuk ka të bëj me komponentin poliktik se nëse fjala vjen në një variant Memaliaj ishte bashkë me Tepelenën po themi, apo Gjirokastra bashkë me Libohovën apo Cërriku dhe Belishin ishin bashkë në mos gabohem dhe të tjera si këto, asgjë nuk ndryshon rezultatin elektoral...

Po nëse kalojmë te Kuçova, çorovoda, Ura Vajgurore, Berati, aty që...
- Nuk ndryshon asgjë....

Numri I njësive ndryshon...
- Nga pikëpamja e fituesit asgjë nuk ndryshon.

… që fiton pak njësi më shumë.
- Mirë po s'është se tjetri fiton ndonjë njëri më shumë.
është e qartë që njëri fiton më shumë, tjetri do të fitojë më pak.

Te reforma kushtetuese a kemi piketa për reformat? Ku duam të arrimë gjatë këtyre viteve?
- Nuk është se është folur konkretisht. Po ja për shembull kjo tejzgjatje e kohës nga zgjedhjet te krijimi I qeverisë është një gjë që duhet adresuar sepse është një nonsens që të kalojnë thuajse 3 muaj ndërkohë që populli ka dhënë verdiktin e vet me një qeveri që qoftë kur është brenda të njëjtës...

dhe aq më keq kur është e palës tjetër....
- qoftë kur është ndryshim dhe rotacion është shumë e dëmshme si periudhë.

Cili është mekanizmi që do të përfshijë opozitën? Do të kërkoni konsensusi dy palësh apo tre palësh, duke përfshirë dhe LSI-në?
- Gjithmonë nëse flasim për konsensus ky nënkupton të gjithë spektrin. Nëse flasim për marrëveshje mes palësh këtu mund të jemi me spektër të kufizuar. Por ky është një diskutim I parakohëshëm, pasi do të duhet të shohim se si do të pozicionohen opozitat në raport me këto çështje të mëdha.

Nëse nuk arrini konsensus, do të kërkoni 84 vota për të miratuar ligje kushtetuese?
- Ligjet kushtetuese kërkojnë 93...

Ligje me shumicë të cilësuar...
- Gjithmonë do të kërkojmë vota në parlament, edhe për ligje që nuk kanë nevojë për 84 vota. Në kuptimin që gjithmonë do të kërkojmë të gjejmë vesh për të na dëgjuar dhe të gjejmë mirëkuptim apo dakordësi për ligje që kanë rëndësi, qofshin dhe jo me 84 vota.
Që nga viti 1998, viti miratimit me referendum të Kushtetutës, sa herë ka ardhur një president në detyrë pyetja ka qenë: a do të miratojë Parlamenti një ligj për funksionimin e presidencës. Vetë PS ka thënë se duhet një ligj organik për funksionimin e Presidencës..Në djeninë time është edhe një draft në parlament. Do ta bëj ligjin kjo legjislaturë? Do ta miratojë ligjin për funksionimin e Presidencës?
- Nuk jam në djeni të kësaj që ju thatë, që ka një ligj...

Ka një projekt...
- Po nuk shoh asnjë arsye për të mos e bërë nëse ky është rasti.

Folëm pak për refomën kushtetuese, e cila duket më shumë embrionale se sa një gjë e mirëpërcaktuar. Po nëse hapet loja për reformën kushtetuese, a parashikoni kompetenca shtesë si formë kompesimi për zhveshjen që ju bë nga reforma në drejtësi dhe që nuk më asnjë lloj kompetence?
- S'kemi hyrë në këto detaje, por unë nuk besoj se ka kthim mbrapa për sa I përket kompetencave të presidentit në raport me sistemin e drejtësisë sepse I gjithë sistemi është konceptuar në mënyrë të tillë që ka ridimensionuar kompetencat jo vetëm të presidentit, po edhe në tërësi influencën e ekzekutivit dhe politikës mbi sistemin.

Nëse I qëndrojmë mandatit të parë qeverisës fjala kyçe në atë mandat ishte Rilindja. Në
mandatin e dytë cila është fjala kyçe e qeverisë tuaj?

- Shqipëria që duam!

Një fjalë e urtë thotë: Bëmë edhe njëherë nuse pa di unë si të nusëroj. Në asamble ju folët për “kusuret e qeverisjes”. çfarë ju mbetet peng i madh i 4 viteve të shkuara?
- Që nuk luftuam sa do të duhej korrupsionin, që nuk reformuam shtetin së brendshmi aq sa do të duhej dhe që nuk prekëm dot sferat e influencës së partive në administratë.

Në asamble folët për mënyrë jo konvencionale në luftën nda korrupsionit. çfarë do me thënë jo konvencionale? Mantra juaj ka qenë modernizimi I sistemit. është e njëjta gjë apo ka diçka më ndryshe?
- Ka elementë që janë shumë interesantë dhe që janë përdorur në vende të tjera, por që jam I rezervuar që të flas për këta elementë pa u dakordësuar njëherë brenda nesh se cilët prej tyre do të përpiqemi të aplikojmë në vendin tonë.

Në 2013 keni folur për “shpresë dhe dëshirë për ndryshim”. Në 2017 çfarë ka mbetur?
- Unë besoj se zgjedhjet treguan se ka një besim të konsiderueshëm tek PS-ja, tek qasja jonë dhe mbi të gjitha tek vendosmëria jonë për t'i bërë gjërat që marrim përsipër. Dhe ajo që më ka bërë përshtypje nga shumë fokus grupe që kemi organizuar gjatë gjithë proçesit, para dhe gjatë zgjedhjeve ka qenë se njerëzit thonë që pavarësisht se shumëçka mund të mos jetë siç duhet apo mund të mos bëhet siç duhet, një gjë është e sigurtë që Edi Rama dhe socialistët janë të vetmit që përpiqen t'i bëjnë gjërat siç duhet.

Vite më parë keni folur për një shqiptar që mund t’ia dal të punojë në administratën gjermane, por gjermani korruptohet po të punojë në administratën shqiptare. A ka shanse “gjermani” të punojë pa marrë “parazit” në administratën shqiptare të vitit 2021?
- Besoj se do të ketë një ndryshim të madh në këtë aspekt. Ne që në mbledhjen e parë të qeverisë do të heqim për shembull barrën e 4.5 mln çertifikatave që shqiptarët duhet të marrin gjatë një viti për të mbaruar punë me shtetin. Pra, është shteti që prodhon numrin më të madh të çertifikatave për frymë në një vit për të dhënë shërbime. Njerëzve mund t'ju bjerë që të duhet të provojnë ekzistencën e tyre mbi këtë tokë për të marrë një shërbim përmes çertifikatës edhe 10 herë në vit. Kjo është e papranueshme. Kështu që çertifikatat do të hiqen dhe do të jetë barra e zyrave të shtetit të verifikojnë gjendjen civile të çdo personi pasi kjo është e mundur nëpërmjet portalit e-albania që është aty prej kohësh, por që ne kemi detyrimin që ta bëjmë sa më familjarë për njerëzit. Ka edhe shumë gjëra të tjera që do të ndodhin në 100 ditët e para për nga pikëpamja e lehtësimit të njerëzve nga burokracitë. Për shembull, deshminë e penalitetit. Sa shumë njerëz duhet të shkojë dhe të marrin dëshminë e penalitetit për të provuar që nuk kanë pasur probleme me ligjin, ndërkohë që është një dokument shumë I thjeshtë për t'u aksesuar në sistemin e brendshëm të qeverisë dhe atëherë mendoj se nëse qeveria apo shteti për të dhënë një shërbim kërkon nga ju një numër dokumentash që I prodhon po shteti, atëherë I takon po shtetit që këto dokumenta t'i verifikojë për llogarinë tuaj. Nuk mund të verifikoj dhe të kërkoj gjendjen e financave tuaja në një bankë. Kjo është detyra juaj ta bëni. Por ama nuk mundet më t'ju thotë shko në 17 zyra, bëj 17 rradha, paguaj 17 fatura dhe hajde këtu pastaj me 17 letra që I prodhoj unë si shtet që pataj unë të të jap ty një shërbim. Kjo është e papranueshme dhe ne këtë do ta zhbëjmë me siguri brenda këtij mandati.
Po të ketë një fushatë po aq intensive sa ç'u bë për vettingun edhe e-albania ndoshta do të marrë popullaritet më të madh tek njerëzit.

Crown Agent, agjensia e komisionuar për t’u marrë me doganat ishte një histori suksesi në shumë vende, përfshi edhe Bullgarinë, por dështoi në Shqipëri. Pse?
- Nuk dështoi, por...

Nuk mund të themi që ishte dhe me sukses...
- Nuk dështoi, por nuk u arritën ato objektiva që u përcaktuan. Ishte një eksperiencë në tërësi pozitive, por...

Mirë është të mos përsëritet...
- Jo, arritëm në konkluzionin që ajo eksperiencë u absorbua nga administrata drejtuese dhe prandaj nuk u ripërsërit kontrata.

Në mandatin e parë bëtë marrëveshje me FMN, në mandatin e dytë flisni për programin 1 miliardë investime në partneritet me privatin. A ka hapësirë fiskale për investime të projekteve të mëdha në vend?
- Do ta zgjerojmë dhe përtej 1 miliardëshit dhe padiskutim që ka.

Në një takim me sipërmarrës italianë në qershor të 2015 keni shprehu kënaqësinë, ndoshta dhe në kuadrin e batutës, se në Shiqpëri, nuk ka sindikata, nuk ka senat dhe nuk ka të majtë radikale. është mëse e vërtet. Por këto duket nuk janë arsye të mjaftueshme për të thithur investime serioze të huaja… çfarë duhet mungojë tjetër që të vijnë….?
- Unë besoj se ne jemi një vend ku investimet e huaja do të vijnë duke u rritur dhe ky është një objektiv I këtij mandati sidomos në turizëm, por edhe në sektorë të tjerë. Mos harroni se ne kemi një nga komptanitë më prestigjoze të botës që ka nisur investim të ri në Shqipëri gjatë mandatit tonë, që është kompania Shell dhe presim me padurim rezultatet e eksplorimit që do të jenë shpresojmë publike në muajt në vijim. Ndërkohë që pas krijimit të qeverisë ne do të firmosim një kontratë të re eksplorimi me Shellin, pra është një tjetër investim I madh I huaj që do të vazhdojë në Shqipëri.

Z. Kryeministër, ju përmendët Shellin dhe shkon me naftën. Unë kam studiuar për inxhinjeri nafte, po pyetja ime është krejt tjetër gjë. Disa studentë të gazetarisë kanë bërë një investigim të thjeshtë. Kanë marrë kampione nafte në 5 pika në Shqipëri dhe kampione nafte në shtetet fqinjë, në kufirin me Maqedoninë, Malin e ZI dhe Greqinë. Dhe këto janë dërguar tek një laborator I huaj pa etiketa se ku janë marrë. Rezultatet janë interpretuar nga dy ekspertë të pavarur dhe ka kanë qenë katastrofike.
- Në ç'kuptim?

Në kuptimin që nëse do e vlerësojmë me yje, nafta në kufirin me Shqipërinë ishte 4.5 – 5 yje, ndërsa nafta në Shqipëri merrte 1 yll, ndërsa 2 kampione nuk ishin naftë fare. Dhe bëhet fjalë për përqindje squfuri alarmante, që për ta thënë shqip është helm që shkon në rrugët e Shqipërisë.
- Po Shelli për çfarë I shpenzon këto para për naftë me një yll?

Nuk ishte fjala për Shellin, por ishte fjala për naftën që konsumohet sot nga konsumatorët në Shqipëri.
- Më fal, kërkoj ndjesë. Patjetër që ka një problem serioz në këtë aspekt dhe, edhe për këtë ne jemi përgatitur shumë seriozosht për të ristrukturuar rrënjësisht të gjithë skemën e kontrollit të naftës dhe për të shfrytëzuar një kontratë të trashëguar me një kompani të huaj që markon apo shenjon naftën dhe për
të avancuar në këtë aspekt me futjen e teknologjisë së re qysh në hyrje të naftës në gjithë rrugën që pastaj përshkohet deri kur vjen tek makina. Kështu që ncjesë sepse nuk e kuptova në fillim pyetjen.

Premtimi më i bujshëm i fushatës së 2013 ishte 300 mijë vende pune… Cili është premtimi që i druheni më shumë për mandatin e dytë?
- Premtimi që I druhem më shumë është që të mos mund ta çojmë tepsinë për skrap gjatë mandatit të dytë. Rezistenca do të jetë e fortë edhe brenda nesh pasi sistemi I interesave të lidhur me tepsinë është shumë më I komplikuar dhe është shumë më I fuqishëm sesa çfarë duket.

Në asamble ju keni thënë se këtë rradhë nuk do të kemi më kujt t'i ankohemi pas katër vitesh...
- Përveç të tjerash. Por është vërtet një zotim shumë I rëndë dhe që duhet ta çojmë deri në fund patjetër.

Në korrik të 2013, ju keni thënë se 10 mijë shqiptarë që jetonin jashtë, shprehën gadishmërinë për të ardhur për të shërbyer në administratën e shtetit shqiptar… Cili është fati tyre sot?
- Nuk jam I sigurtë që bëhet fjalë për 10 mijë shqiptarë që kanë jetuar jashtë....

Le të themi 1 mijë....
- Besoj se bëhet fjalë për shqiptarë që janë regjistruar duke shprehur interesin e tyre. Për shembull unë do t'ju sillja një elementë. Janë mbi 3 mijë shqiptarë që janë pjesë e shërbimit civil të Republikës së Shqipërisë dhe që kanë hyrë në këtë shërbim falë konkurseve shumë specifike që organizon shërbimi civil dhe janë pjesa më e pakontaminuar nga sistemi I tepsisë sepse rruga përmes së cilës kanë hyrë në shërbim është rruga, ku partitë kanë patur një influencë minimale për të mos thënë zero. Ja ku u bënë 3 mijë për shembull, meqë më kërkuat 1 mijë.

Në një takim me sipërmarrës italian në qershor 2015 ju keni thënë se duhet të fusim në qeveri mënyrën e të menduarit si sipërmarrës? Dhe se sportelet e shërbimit publik i duhen lënë kompanive private. I qëndroni kësaj.
- Kemi nisur dhe këtë do ta çojmë përpara me shpejtësi. është sistemi I shërbimeve të përqëndruara, ndryshe quhet ADISA, që ka filluar në disa pika, por që ne do të bëjmë çmos që të shtrihet në gjithë Shqipërinë, ku qytetarët shkojnë dhe të gjitha shërbimet I kanë në një sallë.

Risi e strukturës së re qeverisëse është Ministri I Shtetit për Diasporën. Në fund të katër viteve çfarë synoni të realizuar përtej fjalës kujdesi për shqiptarët jashtë? Votimi I emigrantëve?
- Votën e shqiptarëve jashtë atdheut. Do të bëjmë çmos për ta realizuar.

Qëndrojmë pak te raporti me fqinjin tonë jugor. Pak ditë më parë zëdhënësi i ministrisë së jashtme greke e ka kërcënuar kryeministrin dhe I ka thënë t'i vëri gishin kokës se do të bllokosh integrimin e Shqipërisë me sjelljen që ke. është ky kërcënim serioz?
- Nuk dua të hyj në polemikë në lidhje me këtë marrëdhënie të vështirë, aq më tepër duke pasur parasysh që arsyeja e këtyre lloj deklaratave është krejtësisht e paimagjinueshme, por me siguri do të bëjmë çmos që fqinjët tanë të qetësohen dhe të kuptojnë që në Shqipëri ka vetëm respekt për fqinjësinë dhe për të gjithë ata që jetojnë në këtë vend, si qytetar të këtij vendi me një kombësi tjetër.

Kur ju thoni se do të bëni çmos, keni parasysh mekanizma reagues, do të sqaroni Athinën? Do të sqaroni Brukselin? Do të hapni bisedime?
- Do të bëjmë çmos me shembuj konkret të kujdesit, të vëmendjes, të mirëkuptimit me minoritetin grek në Shqipëri, që për mua dhe për ne është një pasuri e madhe. Ata janë qytetarë të barabartë të këtij vendi dhe janë pa diskutim një prani më shumë se sa e dëshiruar në këtë vend. Për fat të keq në këtë marrëdhënie ka shumë interferenca, ka axhenda politike jo dashamirëse, që në një mënyrë ose në një tjetër, dizinformojnë, manipulojnë, instrumetalizojnë edhe nivelet më të larta në Athinë.

Në programin e parë qeverisës keni deklaruar Greqinë partner strategjik…
- Ka qenë, ka qenë...

Ju përmendët këto axhenda. Po çfarë nuk shkon. E ka Shqipëria luksin të mos ketë marrëdhënie normale me një fqinj të rëndësishëm?
- Shqipëria nuk e ka luksin të bëjë sikur marrëdhëniet janë normale, kur marrëdhëniet kanë probleme. Por ne jemi në një proces bashkëbisedimi me fqinjët tanë për t'i sheshuar gjërat që I kanë penguar këto marrëdhënie të jenë të lira dhe të funksionojnë shumë më mirë si marrëdhënia prej të cilave varet një pjesë e rëndësishme e qetësisë dhe e mirëqënies të njerëzve në të dy anët e kufirit jugor.

Vendimi I parë I qeverisë tuaj në vitin 2013 ishte abrogimi I ligjit për importin e plehrave. Cili do të jetë vendimi I parë I qeverisë së mandatit të dytë. Ju keni deklaruar vitin e Skëndërbeut. çfarë keni parasysh në këtë axhendë?
- Janë disa stacione që koinçidojnë me 550 vjetorin e vdekjes së Heroit tonë Kombetar dhe për këtë arsye ne do të shpallim të gjithë harkun vjetor nga 28 nëntori I këtij viti deri në 28 nëntorin e vitit të ardhshëm, si viti mbarëkombëtar I Gjergj Kastriot Skëndërbeut. Dhe pastaj brenda këtij viti do të kemi një zinxhir aktivitetesh, edhe aktesh që do të celebrojnë figurën e heroit tonë kombëtar, jo si një vit që do të na kthejë mbrapa, por si një vit për të parë përpara në funksion të një Shqipërie europiane, me shtet, me punë, me mirëqënie.

Dy vitet e fundit të mandatit tuaj të parë kryesisht u përmend shumë vettingu. Togfjalëshi tjetër është “reforma në drejtësi”. çfarë parashikoni në vitin e parë të qeverisjes në kuptimin e rezultateve? Institucionet e reja... shikoni rezultate në pastrimin e gjyqësorit?
- Do të bëjmë gjithçka që vitin e ardhshëm të çelen negociatat dhe nga ana tjetër vettingu mbetet në rendin e ditës sepse është koha që ka filluar zbatimi dhe njerëzit kanë nevojë me të drejtë të shikojnë se kjo nuk është një fjalë e bukur që frymëzon përfytyrimin, por është një fjalë që përkthehet në vepra konkrete në funksion të një drejtësie të drejtë për njerëzit.
Dhe kjo do të vazhdojë në bashkëpunim me opozitën.
Gjatë katër viteve të shkuara kemi parë duelin në parlament, por kemi parë edhe duetin e shkurtër që nga marrëveshja e 17 majit e deri tek bashkëqeverisja me ministrat teknikë. Preferoni duelin apo duetin?
- Duetin!

Javën tjetër nisni mandatin e dytë qeverisës,. Ju jeni në pushtet prej dy dekadash dhe në pozicionet që keni patur keni ndikuar në fatet e vendit. Si e vlerësoni veten?
- Si një njeri të gabueshëm që përpiqet të përmirësohet.

çfarë gjurmësh mendoni se keni lënë me punën tuaj gjatë dy dekadave?
- Mbase nuk është koha për ta bërë këtë bilanc...

Koha është e konsiderueshme në fakt, dy dekada.
- Ndoshta ia lëmë intervistës të momentit kur unë do të jem tërhequr nga fusha e betejës si protagonist kryesor dhe ndoshta do të kemë vëmendje për të kuptuar se çfarë kam lënë mbrapa.

T'i japim pak hapësirë pyetjes që të marrim një përgjigje. Nëse pas dy dekadash nuk është koha për të bërë një bilanc, po gjurmët që kërkoni të lini në 4 vitet e ardhshme?
- Mbase mund të them pa gabuar që shumë gjëra që duken sot si të mirëqëna dhe sikur kanë qenë njëherë aty e përgjithmonë nuk do të ishin bërë nëse unë nuk do të isha në këtë fushë. Ndërkohë që patjetër kam bërë edhe gabime. Por besoj që bilanci anon shumë më tepër nga punët e mira se sa nga gabimet. Ky është besimi im.

Z. Kryeministër faleminderit që ishit sot në emisionin Përballë dhe suksese në mandatin tuaj të dytë qeverisës!
- Shumë faleminderit për ftesën dhe për gjithë këtë kohë që kaluam së bashku me pyetje të vështira, por në një atmosferë ku gazetari bën gazetarin dhe...

Kryeministri bën kryeministrin...
- dhe unë nuk jam I detyruar që t'i kujtoj profesionin.

Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com
 

 

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS