Nuk kemi bërë dot asnjë takim me biznesin ne, në opozitë përpara projektbuxhetit, sepse nuk guxonte njeri të nxirrte fytyrën në televizor. Dhe kishin të drejtë, sepse të nesërmen u vinin te dera”, tha Rama. Sipas tij taksat do ulen për mbi 95% e atyre personave që kontribuojnë në buxhetin e shtetit. Ai tha se kompanive të mëdha do t’u hiqet barra e arbitraritetit dhe korrupsionit. “Ne kemi marrë sot përgjegjësinë të admistrojmë një shtëpi të zhytur në borxhe, t’i shlyejmë borxhet ndaj kompanive. S’mund të rëndojmë familjen tonë duke i futur duart nëpër xhepa por në saj të marrëveshjes me FMN. E pavërtetë historia e çmimit të bukës, turp i madh.
Ndërkohë që të gjithë këtë propagandë të shfrenuar kundër këtij trasnformimi të shfrenuar e prodhon frika nga projekti, ky është projekt fitues, ky është program fitues. Vetëm 3% e furrave të bukës punojnë me naftë dhe ju siguroj dhe për ato nuk do të ndodhë. Flasin ata që e morën çmimin e naftës 600 lekë dhe kur e lanë shtëpinë rrëmujë, ky çmim ishte 1800 lekë. Për 10 lekë që shtohen jo vetëm që s’ka asnjë impakt të drejtpërdrejtë mbi çmimet, por përkundrazi shtohen për të financuar shërbimin ndaj qytetarëve për një mjedis më të pastër”, tha Rama. Që s’mungoi të sulmojë Berishën.
“Përfytyroni kur thonë FMN, që është institucioni me besueshmërinë më të lartë përsa i përket librave të llogarive të vendeve, u bë dëshmitar i rremë për t’i thënë shqiptarëve që ky projektbuxhet është i drejtë që këto masa janë të drejta. Sepse i kemi diskutuar bashkë me ta. FMN u bë dëshmitar i rremë?! Kështu ishte edhe në ’95-’96, kur u thoshte: Mos dëgjoni FMN-në, dëgjoni “Suden”; Lëreni çfarë thotë FMN-ja, keni Rrapushin; FMN ka punët e veta, ne kemi punët tona me Vehbiun. Dhe e patë të gjithë se ku përfunduam”, tha Rama. Për të cilin më 1 janar nis një epokë e re për shqiptarët.
Kryeministri: “Do rritet paga për Policinë e Shtetit”
Kreu i qeverisë Rama u ndal edhe rritja e pagave të punonjësve të policisë. “Kemi rritur rrogat të policisë. I kemi rritur jo thjesht për të shpërblyer me rrogë ata që janë në vijën e parë në luftën që kemi hapur pa asnjë kompromis me korrupsion. Por do të rrisim edhe rrogat e të tjerëve në vijim. Është një investim për të rritur sigurinë e gjithësecilit, të cilit të gjithë bashkë do t’ia shohin rezultatet në harkun e vitit të ardhshëm. Do shohin si do përmirësohet efektiviteti i punës së policisë”, tha Rama.
Kryeministri: ilaçe pa taksa “Kontroll mjekësor falas 800 mijë njerëzve më 2014”
Kryeministri Rama tha se me paketën e re fiskale përfitojnë mbi 95% e qytetarëve shqiptarë, më shumë shërbime shëndetësore pa tarifa. “Duke filluar nga 1 janari ne do të vëmë në jetë disa zotime në vendosjen e bazave të sistemit shëndetësor të barabartë për të gjithë, për të realizuar që vitin e ardhshëm kontrolle falas për 800 mijë njerëz mbi moshën 40 vjeç. Duke filluar nga 1 janari do hiqen taksat dhe tarifat për ekzaminimet e shtatzanisë, apo diganostikimet e kancerit. Këto janë të lidhura me atë 10 lekëshin për të cilin po bëhet kjo zhurmë. Kemi thënë se do heqim taksën e ilaçeve do ta heqim, nga 1 janari s’do jetë”, tha Rama.
Shkrimi u publikua sot (21.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)