Kryeministri Edi Rama pas përfundimit të mbledhjes me ministrat ka deklaruar se është punuar intensivisht edhe si reflektim i thelluar ndaj protestave që po zhvillohen prej ditësh në Tiranë.
Përmes një lidhje live nga automjeti i tij pas largimit nga Pogradeci, Rama theksoi se PS do të ketë një qasje të re në territor, përmes asaj që ai e cilësoi si prania besnike.
“Kemi përgatitur shumëçka tanimë duke i dhënë dorën e fundit, pasi kemi punuar intensivisht edhe si reflektim i thelluar i asaj që nisi përpara sesa pushimet të ndërprisnin punën intensive të ditës. Kemi konsoliduar disa pozicione, qoftë lidhur me raportin qytetar-shtet dhe shtet qytetar. Kemi konsoliduar pozicionin lidhur me qasjen e re të partisë në territor përmes pranisë besnike dhe kemi konsoliduar disa pozicione, në raport me vitin e dytë të disa programeve të qeverisë”, tha mes të tjerash Rama.
Më tej kryeministri theksoi se programi i strehimit do të jetë programi që do të ketë fokusin më të madh të Qeverisë.
“Më i spikaturi do të jetë programi i strehimit, që vjen si një gjë krejt e re. Dhe deri te një sërë programesh të tjera që prekin disa sektorë. Pa harruar edhe ecurinë e punës që tanimë është puna e projektuar qysh në krye të herës. Besa është tanimë një koncept i konsoliduar në themel të pozicionit të parë, në raportin shtet-qytetar. Besën e shohim si një akronim dhe jo si fjalën më të vyer të thesarit të gjuhës shqipe”, theksoi Rama.
Kryeministri foli edhe për ‘Pasqyrë Albania’, e cila sipas tij do të shërbejë që qytetarët të informohen në kohë reale dhe të mos mbeten të ‘paarmatosur’ me argumenta përballë algoritmit.
“Do shtohet edhe Pasqyrë Albania, ku qytetari do drejtohet për t’u informuar në kohë reale. Është një dritare ku secili ka autonominë e vet. Nuk është thjeshtë kërkesa e qytetarit që do të konceptohet si një letër që transportohet me postë, por është edhe gjithë pjesa tjetër që shkon qeveria te qytetari dhe shteti te qytetari, për të mos e lënë të papërgatitur dhe të paarmatosur me argumenta, përballë algoritmit”, përfundoi Rama.
Lajmi kryesor:
'Protesta na sfidoi', Rama 7 orë me ministrat në Pogradec: Tani qeverisje më e mirë, prioritet Shqipëria sociale! Plan për transparencën e çmimeve të ushqimeve










