Njëkohësisht, ai ka publikuar sot mbi 20 fotografi të takimit të tij me kryeministrin turk gjatë vizitës që kreu në Ankara dy ditët e fundit. Në këto fotografi, ku ai shfaqet i shoqëruar nga deputetët Edmond Haxhinasto, Ilir Beqja, Saimir Tahiri dhe Ditmir Bushati ka vendosur shënimin:
"Turqia, partneri ynë strategjik. Në rezidencën kryeministrore në Stamboll me mikun Erdogan e ministra të dy palëve për të vendosur piketat e një bashkëpunimi intensiv dhe konkret mes dy qeverive e vendeve tona. Shumë shpresëdhënëse!"
Sipas burimeve zyrtare nga PS, gjatë vizitës dyditore në Stamboll, kryeministri i ardhshëm i vendit u takua me Kryeministrin turk Erdogan. Tema kryesore e bisedës ishte bashkëpunimi reciprok mes dy vendeve, sidomos në fushën e shëndetësisë, energjisë, turizmit dhe infrastrukturës.
Bashkëpunimi në NATO ishte një tjetër temë e rëndësishme e bisedës mes dy Kryeministrave që marrëdhënien mes dy vendeve e konsideruan strategjike. Në këtë vizitë, Kryeministri Rama shoqërohej nga anëtarët e kabinetit të ardhshëm Ditmir Bushati, Ilir Beqaj, Saimir Tahiri dhe Edmond Haxhinasto.
Pas takimit Edi Rama deklaroi: “Takimi me kryeministrin Erdogan ishte vazhdimi i një bisede të filluar për të vendosur së bashku piketat e një bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Turqisë që do të jetë një bashkëpunim me një intensitet të panjohur më parë.
E për këtë arsye ne ngritëm paraprakisht një grup pune, ndërsa sot erdhëm me disa nga ministrat që ishin dhe pjesëtarë të grupit të punës për të çuar përpara idetë dhe për të hedhur draftin më elementar të një projekti të përbashkët bashkëpunimi dhe zhvillimi.
Ne e konsiderojmë Turqinë një partner strategjik dhe ne kemi vlerësuar se ky partneritet ka një potencial të jashtëzakonshëm e të pashfrytëzuar dhe jemi të bindur se në katër vitet e ardhshme do bëjmë të mundura gjëra të cilat fatkeqësisht në të shkuarën nuk janë bërë dot të mundura.”
Gjatë kohë qëndrimit të tij në Turqi, Rama promovoi librin e tij "Kurban" të përkthyer në gjuhën turke si dhe u intervistua nga CNN lidhur me qeverisjen e tij që nga shtatori i këtij viti.
(Në foto: Rama me kryeministrin Erdogan gjatë vizitës në Turqi Shikoni me shume FOTO)
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)