Rama: PD e izoluar, të huajt
dhe shqiptarët e kanë braktisu

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar në rubrikën e 'Komunikimit Javor' se Partia Demokratike është e izoluar, pasi demokratët po e braktisin, ndërsa jashtë vendit i janë prerë kontaktet serioze dhe i ka humbur të gjithë miqtë
 
Rama u shpreh se letra e komisionerit Johanes Hahn drejtuar shqiptarëve ishte momenti kulmor i marrëdhënieve të BE me popullin tonë, ndërsa nga tani e në vazhdim nuk ia vlen të merremi me PD, por të shikojmë përpara.
 
"Kjo javë që kaloi ishte një moment kulmor i marrëdhënieve të BE me popullin tonë. Johannes Hahn është edhe zëvendës i PPE, e cila u angazhua për të bindur partinë mike, që PD të kthehet në rrugën e arsyes.
 
Tani nuk ia vlen të merremi me PD, por të flasim për rëndësinë e letrës së Hahn drejtuar shqiptarëve për të mos lejuar kthimin pas të Shqipërisë në rrugën drejt çeljes së negociatave, pasi reforma në drejtësi dhe jo sjellja e papranueshme e PD do të vendosin fatin e Shqipërisë.
 
Blofi i PD se po nuk hyri Shqipëria në zgjedhje do të kthehet pas nuk ka funksionuar, PD brenda vendit po humbet terren, demokratët po e braktisin dhe nuk kanë ndërmend t'i japin mbështetje aventurës së turpshme.
 
Ndërsa jashtë vendit PD i janë prerë kontaktet serioze, i ka humbur të gjithë miqtë, përfshirë edhe miqtë e së Djathtës Europiane.
 
Askush më nuk merret me PD-në e ngujuar në mes të Bulevardit nga frika e drejtësisë. PD sot është barrikada e fundit e mbrojtjes së sistemit të vjetër të drejtësisë
".
 
Rama: Zgjedhjet në 18, Vettingu hap negociatat me BE
Kryeministri deklaroi se PD zgjedhjet do të zhvillohen në 18 qershor, ndërsa vendimi i parë i parlamentit të ri do të jetë zhbllokimi i Reformës në Drejtësi, që është kushti i vetëm për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.
 
"Demokracia kurrë nuk shansi i askujt për të marrë peng zgjedhjet, qoftë edhe PD.
 
Por qëndrimi i prerë dhe në bllok i BE në mbrojtje të zgjedhjeve ka edhe një arsye tjetër; Europa ka vlerësuar reformat e 3.5 viteve.
 
Të gjithë e kanë kuptuar se jemi seriozë dhe të vendosur për të bërë shtet dhe nuk jemi lëkundur përballë asnjë reforme sfiduese.
 
Shqipëria që duam është ende larg edhe në arenën e politikës ndërkombëtare dhe rajonale, por puna e deritanishme na ka dhënë besim.
 
Zhbllokimi i Vettingut do të na ulë në tryezën e negociatave për anëtarësim në BE. 

Parlamenti i ri pa PD do të zhbllokojë Vettingun në votimin e parë. Ja pse është me rëndësi, që 18 qershori të kthehet në ditën e agimit të drejtësisë së re".
 
 
Rama: Ikja e PD në drejtim të paditur, pasoja e parë e Vettingut
Kryeministri Rama thotë se bojkoti që opozita u ka bërë zgjedhjeve është pasoja e parë e Reformës në Drejësi, pasi po të mos ishte kjo PD nuk do ta çonte ndërmend.

"Ikja e PD në drejtim të paditur do të lexohet si pasoja e Reformës në Drejtësi, pasi në fakt është komplet e tillë, pasi po të mos ishte kjo PD nuk do ta conte ndërmend bojkotin.
 
Reforma në Drejtësi ka prekur pikat nevralgjike të sistemit politik pa filluar që të zbatohet.

PD i ka shanset që të mos kthehet, por nuk ka shans të bllokojë zgjedhjet dhe Vettingut".


Rama: Pas 18 qershorit cikël i ri, më pak sherr
Rama theksoi se pas 18 Qershorit vendi hyn në një cikël të ri, që do të flasë më shumë për njerëzit dhe do të ketë më pak zhurmë e sherr kacafytës brenda vetes.

Shqipëria që kemi do hyjë në një cikël të ri, politik, ekonomik dhe social dhe shqiptarëve do t’u hapen shtigje e rrugë të reja për të bërë ekonomi, për të krijuar mirëqenie e për të jetuar në një shtet dinjitoz këtu, në atdheun e tyre.
 
Vetë politika do të ndryshojë, do të adaptohet me kushtet e reja të ciklit të ri, do të marrë një trajtë dhe përmbajte të re.
 
Duke folur besoj më pak për vete e më shumë për njerëzit. Duke bërë më pak zhurmë e sherr kacafytës brenda vetes e duke bërë më shumë punë e të mira për Shqipërinë që duam.
 
Letra e Hahn nuk është apel për të votuar ndonjë parti, por për Shqipërinë Europiane.
 
Ky është momenti për të bërë atë që kemi ëndërruar të bëjmë për vendin tonë. Le ta bëjmë atë që duhet dhe të gjithë së bashku
" përfundoi Rama.

dy.b/shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave