Rama: PD organizatë kakarisëse 
po pengon Reformën, ka shterua

Rama: PD organizatë kakarisëse <br />po pengon Reformën, ka shterua
Kur një parti politike përdor vezët për t’u shprehur, ka ardhur në pikën e një shterrimi të plotë. I kanë shterruar idetë dhe arsyeja. I kanë shterruar energjitë dhe durimi. I ka shterruar fuqia për të imagjinuar, pa të cilën jeta është një lëngatë e pafundme.
Që një parti të katandiset në pikën që të përdorë vezët, duhet të ketë humbur kuptimin e vetvetes dhe çdo ndjenjë përgjegjësie për çka të tjerët mund të mendojnë për të.

Fatkeqësisht kjo është opozita sot në Shqipëri. Dhe degradimi ka ardhur hap pas hapi, pa ndalim, dy vjet e kusur me radhë.
Një parti që ka dy vjet e kusur që jep e merr me hijet dhe me objektet.

Në çdo tre aktivitete, dy janë përkujtimore të sajuara për t’u kacafytur me hijen e Enver Hoxhës. Liria, të drejtat, demokracia, janë të gjitha sebepe; motivi është lufta qorre me një hije të qëmotit e cila vazhdon ta hipnotizojë Partinë Demokratike, duke i kushtëzuar axhendën.

Në çdo tre konferenca shtypi, dy janë kacafytje me libër shtëpie me hijen e pushtetit. Korrupsioni, krimi, parku, shëndetësia, Dia, papunësia, çatia e kryeministrisë, Siria, janë garnitura të rastit; shkaku dhe qëllimi është lufta qorrazi me protagonistët e shumicës qeverisëse, si persona që lypset të përbalten, papushim, deri në fund, me çdo mjet.

Në çdo tre protesta, dy janë kacafytje fizike me objekte. Diktatura, gjelbërimi, komuniteti, persekutimet, betonizimi, liqeni, kushtetuta, sigurimi, janë llafe të rastit; shkaku dhe qëllimi është shfryrja verbërisht e dufit mbi beton, tulla, dërrasa, mure, xhama, skulptura, gardhe dhe aq më mirë, kur rasti fatlum sjell përpara ndonjë eskavator ose, lëre pastaj, nëse fati të nxjerr përpara ndonjë aeroplani…

Dhe natyrisht që e gjithë kjo perpetum mobile, në një boshllëk që zgjerohet, ka një efekt shterrues për sytë, veshët, trurin, trupin e një partie politike të krijuar si alternativë qeverisëse, e të degraduar në një organizatë kakarisëse. Prandaj unë nuk bashkohem me miqtë e kolegët, ata besojnë se vezët u përdorën sot në parlament për të penguar reformën në drejtësi. Unë mendoj se vezët, u kthyen sot në armë opozitare, sepse Partia Demokratike ka ardhur në një pikë shterrimi për shkak se nuk mundi asnjëherë dot, të ringrihej realisht nga fusha e disfatës së 23 qershorit 2013. Aq sa disfatën e 21 qeshorit 2015 e përjetoi si fitore të cunguar nga regjimi kriminal!

Tanimë PD-ja sapo ka hyrë në një fazë ezaurimi nervor dhe mbushja e xhaketave e çantave të deputetëve me vezë, për të përmbushur detyrimin e përfaqësimit të zgjedhësve në seancën parlamentare, është tregues kuptimplotë i kësaj zbrazjeje nervore.

Edhe vetë histeria e 24 orëve të fundit, për një deputet të përjashtuar me kohë nga radhët e koalicionit qeverisës, i cili për më tepër u vetëpezullua nga aktiviteti i Kuvendit, është inercia e kacafytjes me hijet; në kushtet e shterrimit total të fuqisë për të imagjinuar të nesërmen. Çka e bën opozitarizmin e Partisë Demokratike një zvarritje në dëshpërim. Ku vezët janë thjesht një kulmim i trishtueshëm i dëshpërimit.

veza
 



















Redaksia online
(s.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Skënder Minxhozi: Salianji i shpëtoi faqen PD (dhe vetes)

Skënder Minxhozi: Salianji i shpëtoi faqen PD (dhe vetes)