Pas pjesëmarrjes në Samitin e NATO-s, ku Shqipëria ishte pjesë e diskutimeve mbi sfidat e sigurisë dhe të ardhmen e Aleancës, kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për CNN Turk. Ai ndau vlerësimet për rezultatet e samitit, foli për marrëdhëniet me Turqinë dhe Presidentin Recep Tayyip Erdogan, bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes, zhvillimet në Ballkan, projektin turistik në Zvërnec, si edhe për një detaj që e ka shoqëruar në shumë takime ndërkombëtare: atletet e bardha.
Në vlerësimin e tij për samitin, Rama tha se takimi nuk u karakterizua nga një vendim i vetëm përcaktues, por nga mesazhi i qartë se vendet evropiane të Aleancës janë të vendosura të forcojnë kapacitetet e tyre mbrojtëse dhe të modernizojnë ushtritë përballë sfidave të reja të sigurisë.
“Nuk mendoj se kishte një vendim të vetëm më të rëndësishëm. Samiti tregoi se krahu evropian i NATO-s ka ndërtuar një strukturë shumë të fortë ushtarake dhe është i vendosur të modernizojë forcat e tij për t’iu përgjigjur kërcënimeve.”
Kreu i qeverisë shqiptare vlerësoi edhe organizimin e samitit nga Turqia, duke theksuar se mikpritja dhe profesionalizmi i autoriteteve turke lanë përshtypje pozitive te delegacionet pjesëmarrëse.
Një pjesë e intervistës iu kushtua marrëdhënies së tij me Presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, të cilin Rama e cilësoi një mik të afërt dhe partner strategjik të Shqipërisë.
“Marrëdhënia jonë është vëllazërore. Ai është një mik shumë i ngushtë dhe ka bërë përpjekje të mëdha për ta çuar partneritetin mes Shqipërisë dhe Turqisë në një nivel strategjik.”
Sipas Ramës, Erdogan është një nga liderët që ndjek me shumë vëmendje zhvillimet në Ballkan dhe luan një rol të rëndësishëm në nismat për paqe dhe stabilitet në rajon.
Kryeministri konfirmoi gjithashtu se Shqipëria pritet të mirëpresë Samitin e ardhshëm të NATO-s. Ai sqaroi se, edhe pse kjo nuk u përfshi në deklaratën përfundimtare, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës e ka bërë të ditur tashmë këtë vendim, ndërsa mbeten për t'u finalizuar detajet organizative.
Edhe bashkëpunimi mes Tiranës dhe Ankarasë në industrinë e mbrojtjes ishte pjesë e intervistës. Rama tha se marrëdhëniet në këtë sektor janë shumë të mira dhe ftoi kompani të tjera turke të investojnë në industrinë shqiptare të mbrojtjes.
“Do të mirëprisnim më shumë kompani turke që të zhvillonin aktivitetet dhe produktet e tyre në Shqipëri.”
Duke komentuar Platformën e Paqes në Ballkan, ai u shpreh se Presidenti Erdogan mbetet shumë i angazhuar për rajonin, ndërsa organizimi i një samiti të liderëve në kuadër të kësaj nisme do të varet nga vendimmarrja e tij.
Në intervistë u ndal edhe te projekti turistik në zonën e Zvërnecit. Rama tha se ende nuk ekziston një projekt përfundimtar dhe se çdo vendim do të bazohet në ekspertizën profesionale, jo në debatet politike.
“Kritikat për mjedisin janë të mirëpritura, por vendimmarrja do të mbështetet në vlerësimet e ekspertëve dhe jo në debatet politike.”
Në fund, kryeministri komentoi me humor edhe atletet e bardha që kanë tërhequr vëmendje në samitet ndërkombëtare, duke thënë se janë shumë më komode se këpucët klasike, edhe pse ndonjëherë duhen të dyja.
Komente










