Shembja e karburantit dje në Lushnje, Rama: Kush firmosi në bashki për ndërtimin, të gjithë në prokurori! Kryebashkiakët boll me leje të paligjshme (VIDEO)
Rama u tregua i prerë kur tha se asnjë kryebashkiak nuk ka të drejtë të japë asgjë në rrugët kombëtare, teksa shtoi se në bashkiën e Lushnjes do të shkojnë në prokurori të gjithë ata që firmosën lejen e ndërtimit të një karburanti që u shemb nga IKMT një ditë më parë.
Të gjithë ata zyrtarë në Bashkinë e Lushnjes që firmosën për lejen e ndërtimit të një karburanti që u shemb nga IKMT një ditë më parë, do shkojnë në Prokurori. Kështu deklaroi sot kryeministri Edi Rama, teksa akuzoi kryebashiakët se japin leje të paligjshme për ndërtimin e karburanteve në rrugët kombëtare, praktikë për të cilën tha se duhet të marrë fund.
Në mbledhjen e zhvilluar në kryeministri, Rama u tregua i prerë me krerët e Bashkive në vend, ku theksoi se atyre nuk u lejohet të japin leje për asnjë ndërtim buzë rrugëve kombëtare, duke i 'tërhequr' veshin dhe për faktin se kur vjen puna për pastrimin e tyre, kryebashikakët nuk ndërmarrin asnjë veprim.
"Panorama është e qartë, asgjë e re nuk u tha në kuptimin që nuk ka shqiptarë që nuk ngacmohet nga këto pamje, të cilave duhet t'u japim fund me sezbën. Nëse kthejmë kokën pas, ka ndodhur një ndryshim i rëndësishëm, por populli nuk pyet si ke qenë dje, por si je sot dhe sot situata është në udhëkryq dhe duhet ët dalim tani, jo pas disa vitesh. Duhet vetëm qartësi dhe vullnet. Kemi bashkitë që sot kanë përgjegjësi për një territor që mbulon qendrën, periferinë dhe zonë rurale. për fat të keq kemi në Shqipëri një numër të papranueshëm venddepozitimesh abuzive, të paligjshme, kriminal enë raport me mjedisin dhe në shkelje të detyrimeve ligjore që çdo ditë përdoren nga ju. Kemi pastaj pirgjet e plehrave lart e poshtë, kemi rrugët kombëtare që janë problem më vete, për të dhënë leje të paligjshme për karburante hyni edhe te rrugët kombëtare, kur vjen puna te pastrimi as nuk hyni në rrugën kombëtare dhe as jua kërkon kush. Për atë karburantin e prishur dje, do të shkojnë në prokurori të gjithë ata që kanë firmosur në bashkinë e Lushnjes. Bashkitë nuk kanë të drejtë të japin asnjë leje për asgjë në rrugët kombëtare', tha Rama.
Një ditë më parë, IKMT shembi në aksin rrugor Fier Lushnje një karburant të ngritur pa leje, ndërsa u gjobit me 3.8 mln lekë gjobë pronari i subjektit.