Situata në PD, Rama: Marrëzi groteske! Basha dhe Berisha po e çojnë partinë drejt shkatërrimit të merituar! Kryedemokrati: Injoranca dhe krenaria shkojnë bashkë si shtati dhe hija

'Situatë groteske nga njerëz që nuk dinë ku kanë kokën', kështu e ka konsideruar kryeministri Edi Rama atë që po ndodh në PD, ku demokratët janë përçarë tashmë në dy kampe, ata të Sali Berishës dhe ata të Lulzim Bashës, ku secili pretendon se ka drejtimin e partisë më të madhe opozitare në vend.

Në një konferencë për shtyp, ku bëri bilancin e qeverisjes për vitin 2021, Rama tha se Berisha dhe Basha po e çojnë PD drejt shkatërrimit 'të merituar', një fund i përgatitur prej vetë atyre prej vitesh pasi, sipas kreut të qeverisë, kanë bërë prej vitesh të njëjtën gjë duke shpresuar për rezultate të ndryshme.

Këto ishin  'deklaratat' e fundit të Ramës për PD-në, teksa u kujdes të theksonte se nuk do të merrej më me Bashën apo Berishën dhe se kohën e tij do ta kushtojë qytetarëve të thjeshtë.

“Do të bëj çmos që të shkoj më afër njerëzve dhe politika të bëhet sa më shumë një mjet në funksion të njerëzve totalisht përtej të majtës dhe të djathtës. Siç po bëjmë dhe po shohim frute me rindërtimin ku nuk ka të majtë e të djathtë por shqiptarë që duhen mbrojtur, këtu do të forcojmë sa të mundemi këtë marrëdhënie duke braktisur llogoren e përplasjeve absurde dhe konfrontimin me palë që nuk dinë ku kanë kokën e tyre dhe jo më të kenë kokë mbi supe për të dhënë mendime për vendin në këtë fazë. Situata është sa e rëndë sa dhe qesharake , një situate groteske ku marrëzia dhe egërsi bashkohen bashkë dhe janë fatkeqësi e madhe por ne nuk kemi asnjë mundësi që ta ndryshojmë atë trajektore marrëzie dhe e vetmja gjë që na takon të bëjmë është të shkojmë te njerëzit përmes këshillimit kombëtar, i cili do të jetë një instrument më shumë”, tha Rama.

Nga ana tjetër, Basha ka zgjedhur t'i përgjigjet Ramës me fjalët e At Gjergj Fishtës, teksa shkruan në Twitter: "Injoranca dhe krenaria shkojnë bashkë si shtati dhe hija".

Pas disa tentativave për të pushtuar me forcë selinë e Partisë Demokratike, Sali Berisha i ka lënë afat Lulzim Bashës deri në 5 janar 2022, për t’u larguar nga selia bashkë me lidershipin e tij. Në të kundërt, Sali Berisha ka sinjalizuar se do të rrethojë me mbështetësit e tij selinë blu, duke nënkuptuar mundësinë e largimit të Bashës me forcë. Nga ana tjetër, Basha ka deklaruar se po përgatitet për të përballuar të gjithë skenarët e Sali Berishës. Dy grupet, pasi kanë shkarkuar dhe nuk njohin njëri-tjetrin, kanë nisur edhe një betejë ligjore, e cila në fund do të përcaktojë se kush do ta kontrollojë selinë e PD. Berisha ka dërguar për konfirmim në gjykatë statutin paralel që miratoi më 11 dhjetor 2021 ku ka shkarkuar Bashën. Për konfirmim në gjykatë ka dërguar ndryshimet statutore të korrikut edhe Lulzim Basha, ndonëse 5 muaj me vonesë. Mbi këto ndryshime, Basha nxori jashtë lojë të gjitha vendimet e njëanshme dhe strukturat paralele të ngritura nga Berisha.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:41
Basha i përgjigjet Ramës me fjalët e Gjergj Fishtës: Injoranca dhe krenaria shkojnë bashkë si shtati dhe hija

1591096256_basha.jpg

Kreu i PD-së, Lulzim Basha i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama i cili tha sot se PD po shkon drejt shkatërrimit me situatën e krijuar në partinë më të madhe opozitare. Basha ka zgjedhur t'i përgjigjet Ramës me fjalët e At Gjergj Fishtës, teksa shkruan në Twitter: "Injoranca dhe krenaria shkojnë bashkë si shtati dhe hija".

Ora 12:42
A do e mbrojë policia selinë e PD-së? Rama ironizon Bashën: I shkoi jeta duke kërcënuar kryeministrinë, po lufton të marrë PD-në! Do shohim estradë

Kryeministri Edi Rama ka ironizuar përplasjet në Partinë Demokratike, duke u shprehur se janë bërë si legjendë kreshnikësh, teksa po përplasen brenda kështjellës së tyre (selia PD).

Gazetarja: Ish-kryeminstri Sali Berisha ka paralajmëruar një protestë më 8 janar, a do e mbroj policia e shtetit selinë e PD-së?

Rama: Nuk kam lënë datë, por e kamë në plan të merrem me leximin e Mujit dhe të Halilit, dhe jo me temën e kullës së PD-së se u bë si legjende kreshnikësh që do të përplasen në filan datë, kjo është një qamet i madh, qesharak, marrëzi, por është edhe pak di ajo shprehja se çfarë të kërkosh do të gjejë. I shkoji jeta duke kërcënuar e luftuar për të marrë kryeministrinë, por luftojnë që të marrin PD-së. Keqardhje e madhe, përgatituni për estradë.

Ora 11:56
Bashkëpunim me Kryedemokratin? Rama: Gënjeshtër! Basha dhe Berisha po e çojnë PD drejt një fundi të merituar! S'kam punë as me njëri as me tjetrin

 

'Gënjeshtra' i ka konsideruar kryeministri Edi Rama akuzat e Sali Berishës dhe mbështetësve të tij se ai dhe Lulzim Basha bashkëpunojnë jashtë syve të publikut. Për mediat Rama u shpreh se Berisha dhe Basha janë 'dy burra në hall të madh' dhe se ai nuk ka punë as me njërin e as me tjetrin.

"Jemi në një kohë kur sipas meje dita prodhon më shumë gënjeshtra se të vërteta. Gënjeshtra gjen më shumë vesh se populli nuk e ka thënë kot që kur gënjeshtra ka bërë xhiron e botës, e vërteta nuk ka veshur akoma pantallonat. Basha është një nga dy anët e një marrëzie që po e çon PD drejt një fundi të merituar sepse është një fund i përgatitur në vite jo nga unë, nga ne, as nga ju, por nga këto dy figura që janë shëmbëlltyra e gjithë as që është përgatitur me këmbënguljen e verbër në përsëritjen e të njëjtës gjë në kërkim të kot të rezultateve të tjera. Një forcë politike që prej vitesh s'ka prodhuar asgjë veçse mite fitoresh të vjedhura, sherre dhe rrëmuja që kanë dëmtuar vendin. Pa patur asnjë kapacitet real për të qeverisur. Për mua është e qartë, skam asnjë punë as me njërin as me tjetrin, janë dy burra në një hall të madh dhe askush nuk jua zgjidh dot", tha ai.

I.K/B.K./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kreu i OBSH-së i shpëton sulmeve të Izraelit në Jemen, ndodhej në aeroportin e Sanas gjatë bombardimit! 2 të vdekur dhe disa të plagosur

Kreu i OBSH-së i shpëton sulmeve të Izraelit në Jemen, ndodhej në aeroportin e Sanas gjatë bombardimit! 2 të vdekur dhe disa të plagosur