‘Sot flasim me një personazh atipik!’. Kështu e nis prezantimin e të ftuarit në podcastin e 13-të kryeministri Edi Rama për poetin suedez Kristoffer Leandoer, i gjendur në Shqipëri prej disa vitesh, për shkak të detyrës së bashkëshortes së tij, Elsa Hastad, ambasadore e Suedisë në Tiranë.

“Është atipik për faktin se jemi mësuar të flasim me ambasadorë, për ambasadorë, ndërkohë që personazhi që është me mua është burri i një ambasadoreje. Arsyeja e ftesës është sepse ‘bashkëvuajtësi’ i ambasadores suedeze është një shkrimtar, njohës i thellë i letrave dhe një autor i cili gjatë qëndrimit këtu ka shkruar edhe poezi që janë të inspiruara nga Shqipëria”

Bashkëjetesa me shqiptarët, për poetin suedez, ka qenë e veçantë, teksa rendit vlerat që ka parë tek ta.

“Ajo që do të marr me vete kur të kthehem në shtëpi është se gjërat më të mira të Shqipërisë janë absolutisht, pa asnjë hezitim shqiptarët. Nuk ka diskutim. Malet janë fantastike, ushqimi është i shkëlqyer, vreshtat, deti, zogjtë e të tjera, por për mua janë shqiptarët. Shumë shpesh kjo i befason shqiptarët. Ju jeni njerëz të ngrohtë, njerëz që doni të argëtoheni, jeni të zgjuar dhe të rrish me ju është argëtuese”, thotë ai.

Por edhe shqiptarët kanë të metat e tyre, thotë shkrimtari.

“Më krijohet përshtypja që jeni shumë miqësore me të huajt por jo me njëri tjetrin. Problem më i madh në shoqërinë shqiptare është mungesa e besimit në të gjithë nivelet, mes individëve, institucioneve e shoqërisë. E shikon në ditën e përditshme, në trafik, secili do të kalojë I pari. Kjo është një pengesë e madhe”, shprehet Kristoffer Leandoer.

Rama i shpjegoi se është në ADN tonë mikpritja.

“Nuk jemi vetëm të mirë me të huajt,  por me miqtë është një detyrim që e kemi të trashëguar. Është më shumë në ADN tonë.”- tha ai.