Ndërsa renditi një sërë modelesh qeverisjeje nga Argjentina në Suedi, kryeministri Rama u tha drejtuesve politikë se PS, me dokumentin “Prania besnike” duhet të mësojë nga të tjerët, por pa trashëguar sëmundjen. Më pas, ai tha se pyetja më legjitime deri tani është “pse doni të qëndroni akoma”, ndërsa urdhrat e sharjet nuk i konsideron.
“Prania Besnike' e Partisë Socialiste nuk mund të jetë as zyra e puntero-s argjentinas, as sportel ankesash dhe asnjë kopje shqiptare e ritualit të Singaporit apo një tentativë e dështuar nostalgjike për partitë e masave të shekullit të kaluar. Ajo duhet të marrë prej përvojave të të tjerëve mësimin, por pa trashëguar sëmundjen dhe duke ndërtuar metodën e saj: praninë pa klientelizëm, dëgjimin pa teatër, organizimin pa burokratizim, ndihmën pa kushte dhe dixhitalizimin pa robotizim e pa kapitalizim.
Dhe këtu vjen një pyetje që, me siguri, mbase askush nuk e bën në këtë sallë. Po, e bëjnë njerëz që janë duke na ndjekur. Po pse doni të qëndroni ju akoma më gjatë? Po pse s'ju mjaftojnë juve gjithë këto vite? Po pse nuk e kuptoni që është koha të thoni boll dhe t'ia lini vendin të tjerëve? Ose, edhe më shkurt, mund të mos e bëjnë fare si pyetje, por ta shprehin copë, si dëshirë apo si urdhër, gjë që, zëre se po i lexoj në komentet që bëjnë:
-“Po çfarë më gjatë?”
-“Po ishalla vdisni një orë më parë dhe t'u hapni rrugë të rinjve”.
-“Po çohuni që aty dhe shkoni nëpër shtëpi, se s'jeni vetëm ju këtu.
Tani, pyetjet janë legjitime, dëshirat me zë të lartë dhe urdhrat kështu në ajër janë shprehje lirie, kurse mallkimet dhe sharjet unë nuk i konsideroj, sepse janë konflikt shumëfish interesi. Por do të shtoja diçka: që, pas 13 vjetësh në qeverisje, "Pse doni të qëndroni akoma?" është ndoshta pyetja më legjitime që mund të na bëhet”, tha Rama.
Lajmi kryesor:
‘Prania besnike’, dokumenti i ri i Ramës: PS me frymë të re, dëgjimi i qytetarit pikë e parë! Do të ikja po të mos ishte për anëtarësimin e vendit në BE









