TIRANE- Në aktivitetin e organizuar nga ana e kryeminsitirsë në kuadrin e Natës së Bardhë, kreu i qeverisë prezantoi projektet e tij për rindërtimin e godiës së kryeministrisë, por edhe për hapësirat e reja që do të hapen përreth sajë. Sipas kreut të ekzekutivit, në aktivitetin e natës së Bardhë që do të organizohen pas një viti, qytetarët do te kenë mundësi të shohin sallën e mbledhjeve të qeverisë, zyrën e rinovuar të kryeministrit, dhe disa ambiente të tjera. "Ne duam që të krijojmë edhe hapësira të tjera të rindërtuara, për t’i dhënë mundësi publikut që ta vizitojë Kryeministrinë jo vetëm në rastin shumë të posaçëm të festës së Natës së Bardhë, por edhe në ditë të caktuara të vitit.

Duam të ndërtojmë një Bibliotekë publike të Kryeministrisë; duam të ndërtojmë një hapësirë koncertesh dhe njëkohësisht, duam të kemi dhe një hapësirë tonën për të ekspozuar vepra të artistëve shqiptarë ose të huaj, edhe këto të mundshme për t’u parë nga publiku; duam, po ashtu, që të krijojmë kushte që edhe mjediset përreth Kryeministrisë të kthehen në mjedise që të jenë të shfrytëzueshme nga qytetarët. Dhe, aty ku deri para pak kohësh kishte rrethime, parkime, godina të shëmtuara pa leje, një hapësirë e tërë publike e keqtrajtuar, por njëkohësisht edhe e humbur për qendrën e qytetit, të kemi një hapësirë publike jo vetëm të ripërtërirë, por edhe shumë të veçantë", - theksoi Rama.

Pas takimit që kryeministri zhvilloi në ambientet e kryeministrisë, ai iu bashkua ceremonisë së radhës festive tek Pallati i Brigatave ku të pranishëm ishin një grup artistësh. Në fjalën e tij, shefi i qeverisë pohoi se arti duhet të ndikojë më shumë në kulturën e politikës shqiptare.“Duke dashur që t’i japim politikës sonë kulturore sa më shumë nga mendja juaj, dhe jetës tonë kulturore sa më shumë nga zemra juaj. Këtu me lehtë se askund duhet të kuptohet nevoja e krijimit të hapësirave të reja që më pas të krijojnë ekfetin zinxhir i cili vë në lëvizje ide, projekte dhe krijimin e veprave të gjithëllojshme, atë që ishte shkëndija që i dha jetë një momenti shumë të bukur ndryshitrimi”, pohoi Rama në fjalën e tij para artistëve.
 
Shkrimi u publikua sot (30.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)