Rama: Programi për fenë në
shkolla nuk e cënon laicitetin

Rama: Programi për fenë në<br />shkolla nuk e cënon laicitetin
TIRANË- Kryeministri Edi Rama, shpjegon në një koment të tijin në Facebook, “keqkuptimin e momentit”, siç e quan ai debatin për mësimin e fesë në shkolla. Projekti për  hapjen e shkollave publike edhe ndaj fesë, që u bë publik nga vetë kryeministri pak ditë më parë, nuk do të thotë mësim i fesë në shkolla, sqaron Rama.

“Është një program që nuk do cënojë kurresesi laicitetin e shkollës. Ai do të pajisë të rinjtë qysh në shkollë me disa njohuri bazë, për të kultivuar respektin për besimin e tjetrit dhe për të mos rënë pre e rrjeteve të propagandës ekstremiste, në emër të një feje apo kundër një feje tjetër,” shkruan Rama.

Më tej ai thotë se “vula e sigurisë” së këtij programi i cili do kërkojë vite për t'u konsoliduar është fakti se ai po përgatitet në bashkëpunim me Observatorin e Laicitetit në Paris.

Idenë e tij, Rama e shoqëron me artikullin e mëposhtëm të  Ardian Vehbiut  “Në shkolla, studim jo i fesë por i historisë së feve”.
 
Në shkolla, studim jo i fesë por i historisë së feve 

Kryeministri Rama paska hedhur idenë për studimin e fesë në shkollat e republikës, çka është pritur me kundërshtim dhe skepticizëm nga shumë anë.
Disa media kanë folur për një futje të “mësimit të fesë” në shkolla, gjë që nuk më duket e saktë.

Në mësimin e fesë, nxënësit mësojnë për fenë e tyre; përkundrazi, ideja e kryeministrit, që përsiatet prej kohësh në Europë, është që në shkolla nxënësit të mësojnë për fenë e tjetrit.

Mes pështjellimit dhe formulimeve të pasakta, kam frikë se ideja e kryeministrit përfundoi në një batutë për t’u kundërshtuar me batuta të tjera.

Nuk besoj se sot në Shqipëri mund të kërkojë kushfutjen e fesë në shkollat publike, qoftë ai edhe kryeministri vetë; por vetëm studimin e historisë së feve, diçka krejt tjetër.
Njohuritë për fetë, që nuk duhen ngatërruar me besimin fetar, janë bërë tashmë të domosdoshme për formimin qytetar europian (dhe jo vetëm); në rrethanat kur fetë e ndryshme ballafaqohen mes tyre, por edhe me ateizmin, agnosticizmin dhe misticizmin haptazi dhe fshehurazi.

Brezi im u rrit në një mjedis fetarisht të sterilizuar; por kjo sot na krijon jo pak vështirësi, në përpjekjet për të komunikuar me kulturën, në Perëndim dhe në Lindje.
Brezat më të rinj se imi, që kushedi i ekspozohen trysnive nga burime të radikalizuara të dijes fetare, ndeshin në vështirësi të një lloji tjetër: atje ku ne më të vjetrit mezi i dallojmë diferencat dhe fillesat e ndryshme kulturore, atyre më të rinjve këto mund t’u duken arsye të mjaftueshme për konflikt moral dhe jo vetëm.
Të dyja këto patologji ekspozojnë ndaj rreziqeve dhe konflikteve sociale, sidomos në afat të gjatë.

Padija që shpesh kemi për fenë e tjetrit, por edhe fenë tek e cila thjesht nuk besojmë, shndërrohet në burim përçarjeje dhe dhune.
Të paditur, e shohim Tjetrin si karikaturë, ose veç duke ia lexuar shenjat e jashtme.

Tjetër punë si do të realizohet njohja e fesë së Tjetrit, ose kush do t’i mësojë mësuesit dhe kush do t’i edukojë edukatorët: historia e feve është displinë komplekse dhe e vështirë për t’u rrokur, përtej klisheve pseudo-ekumenike ose kurioziteteve antropologjike.Vetëm vullneti i mirë nuk mjafton; puna e filluar tani, do të japë frytet e saj shumë më vonë. Nga Ardian Vehbiu, 11 Prill 2016 (Peizazhe.com)

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë