“E rëndësishme është që këtë herë, Këshilli nuk ka asnjë justifikim të mundshëm në raport me vetë Shqipërinë. Sepse ajo që Këshilli kërkoi në dhjetor ishte “pak më shumë kohë”, për të thënë: A është Qeveria e Shqipërisë garanci se çfarë u pa në muajt e parë vazhdon pa probleme në vijim, apo muajt e parë ishin vetëm flakë kashte? Dhe ne ia dolëm kësaj. Tani mbetet për të parë reagimin e Këshillit”, tha kryeministri Rama.
I pyetur nga studentë lidhur me faktin nëse do të ketë ndikim në stabilitetin makroekonomik të vendit, miratimi i kredisë me FMN-në, kreu i qeverisë tha se “Shqipëria ka kaluar nga një përcaktim negativ, në një përcaktim stabël, pikërisht, edhe sepse ne kemi hyrë në këtë program të ri me FMN”.
“Borxhi nuk u rrit sepse ne krijuam një borxh të ri, por ne thjeshtë e legalizuam një borxh të fshehur dhe të padeklaruar, prej 720 milionë dollarësh. Një borxh i akumuluar në formën e mospagesave të kompanive për punë publike dhe për shërbime. Ndërkohë marrja e borxhit nga FMN dhe BB, me terma shumë avantazhues, u bë në radhë të parë, për të paguar mbrapsht këto borxhe dhe sigurisht, për t’i dhënë një frymëmarrje ekonomisë, përmes pagesës së këtyre borxheve. Një injektimi që praktikisht ka filluar të japë efektet e para. Kështu që, unë besoj që kemi marrë 2 efekte pozitive: E para, kemi rikthyer ekonominë në lëvizje dhe e dyta, kemi futur ekonominë në rrugën e stabilitetit, duke vënë rregull mbi gjithë ato libra llogarish që ishin thuajse duke dalë jashtë kontrollit”, tha Rama.
Por një çështje me mjaft interes për studentët ishte reforma në arsimin e lartë në Shqipëri, të cilën, Kryeministri e konsideroi një reformë tepër e rëndësishme që kërkon kontributin sa të sektorit publik, aq edhe atij privat, po ashtu edhe të ekspertëve të fushës.
“Ju jeni në dijeni që po punohet një dokument për reformën në arsimin e lartë dhe risia është që nuk po e punon qeveria, por po e punon një komision pedagogësh dhe përfaqësuesish të nderuar, qoftë të publikut, qoftë të privatit. Është një dokument që unë kërkova që ta shtyjmë ende, për të mundur të marrim të gjithë kontributet dhe për të dalë me një produkt sa më solid,” – u shpreh Kryeministri.
Ndërsa nënvizoi se dy kriteret themelore mbi të cilat do të bazohet kjo reformë janë merita dhe konkurrueshmëria, Kryeministri nënvizoi se për një sistem të shëndetshëm të arsimit të lartë duhet që universitetet t’i nënshtrohen konkurrencës së barabartë dhe për këtë, është i nevojshëm edhe një sistem akreditimi i besueshëm.
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)