Rama propozon: Në media të
hiqen edhe reklamat elektorale

Rama propozon: Në media të<br />hiqen edhe reklamat elektorale
TIRANE - Prej dy vitesh qeveria ka hequr publikimet e saj në media, në vijim të shkurtimeve buxhetore, ndërsa dje kryeministri Edi Rama propozoi mbylljen dhe të një burimi të ardhurash atë të reklamës elektorale. Këto reklama në fakt në media botohen vetëm gjatë fushatave zgjedhore dhe shpesh janë informuese. Gjatë tryezës për korrupsionin zgjedhor, organizuar nga Shoqëria Civile, kreu i qeverisë tha se partitë politike serioze në garë duhet të çlirohen nga fatura e shtrenjtë e spotit elektoral që i paguhet mediave për transmetimin e tij.

“Mendoj se kërkon një diskutim çështja e reklamave elektorale. Është pjesa më e shtrenjtë e fushatës zgjedhore dhe është pjesa më errët në shumë aspekte. Unë besoj se për ne është e nevojshme të bëjmë një diskutim, pasi nuk do të ishte në këndvështrim tim, e paudhë ta shkurtonim këtë zë në shpenzimet e fushatës dhe të lehtësonim barrën e madhe financiare që ky zë ka për partitë që janë seriozisht në garë”, u shpreh Rama.

Në këtë mënyrë kreu i socialistëve hedh një tjetër propozim për të ndërprerë një burim të ardhurash të medieve në Shqipëri. Gjë që do të sjellë dhe rrezikimin e tyre, apo për më shumë duke ulur dhe cilësinë. Veprim që nisi me heqjen e publikimeve zyrtare, duke cenuar si të ardhurat e medieve por dhe informimin e masës së lexuesve.

Megjithatë, ai tha se Partia Socialiste nuk ka një formulë konkrete për këtë, por solli në vëmendje se ka vende me sistem të konsoliduar demokratik, të cilat i ndalojnë spotet elektorale në media. Dhe këtu fjala nuk është për reklamën negative si cenim të imazhit publik të një funksionari, por për ndalimin në tërësi të çdo spoti elektoral.

“Besoj duke u bazuar më shumë tek analiza jonë e përbashkët sesa tek shembujt, pasi shembujt janë nga më të ndryshmit, - ka vende shumë demokratike që kanë të njëjtin sistem, pra, që i lejojnë reklamat pozitive apo negative pa limit, ka vende që i lejojnë në mënyrë të limituar në kohë, ka vende që i ndalojnë. Shembujt janë nga më të ndryshmit. Sigurisht që mund të ketë zgjidhje edhe të ndërmjetme. Ne si PS nuk kemi ndonjë formulë të përcaktuar”, theksoi ai, duke insistuar se çështja duhet të trajtohet sëbashku me palët e tjera.

Në këtë rast kryeministri zgjedh heqjen e reklamave në mediat e shkruara dhe vizive, duke kërkuar uljen e shpenzimeve të kandidatëve. Ndërkohë që reklamat në media janë të matshme dhe transparente në ccdo kohë, ndryshe nga shpenzimet pa kriter në fushatë të cilat nuk mund të gjurmohen.

Propozimin e tij kryeministri e lidhi si një formë të ndëshkimit të korrupsionit elektoral, për të cilin diskutoi dje edhe tryeza e përbashkët e organizuar nga organizatat e Shoqërisë Civile që monitorojnë proceset zgjedhore. Sipas Ramës, në krahasim me zgjedhjet e kaluara, korrupsioni zgjedhor në vend ka ardhur në rënie.

“Do të doja të nënvizoja edhe domosdoshmërinë për të adresuar në mënyrë më të qartë dhe mundësisht më efikase, edhe çështjen e korrupsionit zgjedhor, i cili krahasuar me të shkuarën është tkurrur në mënyrë të ndjeshme, por mbetet një shqetësim, sidomos në zonat më të varfra dhe sidomos në rastet kur prevalon një mendësi tradicionale e fisit apo e klanit”, deklaroi më tej kryeministri
 
Lulzim Basha: Dakord me Ramën për reklamat, financat në lupën e reformës
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe kryeministri Edi Rama shprehën dje pikëpamje të ndryshme për korrupsionin zgjedhor, aq sa kreu i opozitës tha se është domosdoshmëri qeveria teknike, por ranë dakord në një pikë, atë të reklamave elektorale. Kryeministri la të kuptohej se reklama duhet të ndalohet me ligj. Ndërsa kreu i PD shkoi edhe më tej kur tha se financimi i partive politike duhet të futet në lupën e reformës zgjedhore. “Jo vetëm çështja e reklamave për të cilën bie dakord me atë që tha kreu i ekzekutivit dhe kryetari i PS-së por çdo çështje financimi duhet të futet në lupën e reformës zgjedhore. Nuk është çështje ligji është çështje e vullnetit politik”.
 

Lulzim Basha: Votat blihen me para, fundi i demokracisë
Teksa trajtoi në tërësinë e fjalimit të tij çështjen e shitblerjes së votës, fenomen i denoncuar fort nga opozita, kryetari i Partisë Demokratike e quajti këtë fundin e demokracisë. Ai akuzoi mazhorancën se bleu votat në zgjedhjet vendore të 21 qershorit 2015.

Në qoftë se ka një armik të madh sot ky është korrupsioni zgjedhor, korrupsioni zgjedhor. Nga një shqetësim në të shkuarën, ai u kthye në një kërcënim në vitin 2013 dhe sot është kanceri më i rrezikshëm për procesin zgjedhor. 2015 ishte skema e implementimit të blerjes industriale së zgjedhjeve”, u shpreh Basha.

Sipas tij, në 21 qershor u blenë votat, kartat e identitet, komisionerët dhe mediat. “Ky është fundi i demokracisë para se të fillojë ashtu siç duhet”, tha ai.
 
Ilir Meta: Sa herë që humbni zgjedhjet ankoheni se u ble vota
Akuzave të kreut të PD, Lulzim Basha, për fenomenin e blerjes së votës, kryetari i Kuvendit dhe njëherazi i LSI, Ilir Meta ishte shumë i qartë kur përjashtoi idenë se mëkatarët gjenden vetëm në një anë. Ai thumboi kryetarin e opozitës se sa herë humbet zgjedhjet, ankohet për blerjen e votave.

“Për vetë natyrën ballkanase, shqiptarët kontestojnë zgjedhjet sa herë humbin. Nuk mund ta pranoj kurrsesi. Ata që votojnë për mazhorancën janë gjithë të blerë dhe ata që votojnë për opozitën ata kurrë nuk shiten dhe janë njerëz  karakter. Jam i bindur se do të vazhdojnë akuzat ndaj LSI, për një gjë shumë të thjeshtë: Edhe pse mund të përpiqem ta frenoj rritjen e LSI-së, nuk e ndaloj dot”, deklaroi Meta.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 27 janar 2016

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)     

 

  • Sondazhi i ditës:

    PD paralajmëron protesta, bllokim rrugësh e kaos në Kuvend, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Rusia lëshon “shi” dronësh ndaj Kievit, Ukraina njofton se i asgjësoi! 6 orë bombardime, nuk raportohen viktima

Rusia lëshon “shi” dronësh ndaj Kievit, Ukraina njofton se i asgjësoi! 6 orë bombardime, nuk raportohen viktima