Akuzave të opozitës se brenda spitaleve COVID nuk ka kapacitete pasi janë ezauruar të gjithë shtretërit me pacientë, kryeministri Edi Rama, vijon t'u përgjigjet me video ekskluzive brenda spitaleve.

Sot ka publikuar një foto nga spitali "Shefqet Ndroqi"  që ndryshe njihet si COVID 2, krahas të cilës shkruan se edhe pse s'duan opozitarët realiteti i spitaleve është a që shihet në video.

"Mirëmëngjes dhe duan s'duan lehaqeniet e çakërdisura të opozitarizmit vulgar, agresiv, gënjeshtar, realiteti brenda spitaleve Covid është pa pikë dyshimi ai që keni parë këtu, e duke ju ftuar të shihni Pjesën e Tretë të ekskluzives, nga spitali Covid 2, në Sanatoriumin e Tiranës, ju uroj një ditë të mbarë", thotë Rama.

Drejtori i Spitalit Shefqet Ndroqi, Perlat Kapisizy, tha se në këtë spital ka edhe 30 shtretër  kurse gjithsej janë 170 të shtruar deri më tani.

"Është një staf 470 punonjësish ku punojnë çdo ditë me ndërgjegje.As në ëndërr se kam menduar që do vijnë respiratore të tillë duke filluar që nga respiratorët donacion poor edhe ato të ardhur si  rezultat i ndërhyrjes së qeverisë. Aktualisht kemi rreth 170 të shtruar, pra janë dhe 30 shtretër të lirë të cilët mund të përdoren. Kanë ardhur edhe monitorë jo vetëm respiratorë", tha mjeku.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:53
Basha-Ramës: Je një dështim i madh! Po t'më kishe dëgjuar para 6 muajsh, sot do të kishe një plan real kundër pandemisë

Vijojnë replikat mes kreut demokrat Lulzim Basha dhe kryeministrit Edi Rama.

Basha përsërit të njëjtat akuza, duke i thënë se është një dështim i madh. Ai vijon duke thënë se nëse Rama do ta kishte dëgjuar para 6 muajsh do t'ju kishe dhënë ndihmë financiare familjeve shqiptare dhe sot do të kishe një plan real kundër pandemisë.

"Rama je një dështim i madh. Sa shqiptarë duhet të vdesin që të ndalësh sulmet politike dhe përpjekjet për të na mbyllur gojën? Po të më kishe dëgjuar që para 6 muajsh, do t'ju kishe dhënë ndihmë financiare familjeve shqiptare dhe sot do të kishe një plan real kundër pandemisë.

Askush nuk e përtyp propagandën tënde fallso. Shëndetësia është në kolaps, të sëmurët nuk kanë pará për të blerë barnat e shtrenjtuara dhe ekonomia është në krizë. Ne do ta shërojmë Shqipërinë, do ti korrigjojmë dështimet e tua dhe do të sjellim shpresë të re për njerëzit", shkruan Basha.

Ora 08:43
Pasi Rama publikoi videon nga COVID 2, Basha 's'ndërron' mendje: Ai ka humbur kontrollin mbi pandeminë

Pasi kryeministri Edi Rama ka publikuar një video ku tregonte pamjet e COVID 2 me shtretër të lirë, ka reaguar menjëherë kreu demokrat Lulzim Basha i cili vijon të akuzojë se kryeministri dsipas tij ka humbur kontrollin mbi pandeminë.

"Ja çfarë thonë familjarët e të sëmurëve. Faktet flasin vetë dhe tregojnë të vërtetën ashtu siç është. Pasi shkatërroi ekonominë, Rama e humbi kontrollin ndaj pandemisë dhe po shkatërron jetët dhe shëndetin e familjeve shqiptare", thote Basha.

Kurse disa prej familjarëve të të sëmurëve me COVID në videon e Bashës thonë "Kam pritur në ambulancë gjysmë dite". "Dua ta çoj jashtë".

Ora 08:42
Rama i ashpër: Kjo opozitë që as në këtë sëmundje s'bëhet me shumicën s'i duhet as dreqit

Kryeministri Edi Rama është treguar i ashpër me opozitën, pasi shkruan se një opozitë që nuk bëhet bashkë me shumicën as në kohë kur bie një sëmundje si COVID një herë në shekull, thotë se nuk i duhet as dreqit.

"Një opozitë që as në një sëmundje që bie një herë në shekull nuk gjen dot forcë të bëhet bashkë me shumicën nuk i duhet as dreqit e jo më popullit shqiptar", shkruan Rama.