Rama: Punësim njerëzve tanë
burg për ata që marrin ryshfet

Rama: Punësim njerëzve tanë<br />burg për ata që marrin ryshfet
TIRANE - Kryeministri i zgjedhur Edi Rama në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar ka qënë tepër konkret në qëndrimin ndaj punësimit të njerëzve që kanë kontribuar në PS dhe që kanë qëndruar për vite me radhë pa punë. Në mbledhjen me dyer të mbyllura ai mësohet të ketë thënë “do punësohen njerëzit tanë, militantët, por jo në poste të larta. Punësimi vetëm përmes meritokracisë e konkurrimit të ndershëm. Kështu do merren këto poste.

Por s’do lihen pa punë njerëzit tanë”. Më pas ai mësohet të ketë thënë se “nuk do bëjmë terror ndaj administratës, do rrinë në punë të gjithë ata që janë të aftë dhe do të largohen militantët politikë”. Njëherësh për të kanalizuar gjithçka përmes rregullave të qarta, Rama mësohet të ketë këmbëngulur në faktin që “të gjithë ata që do të punësohen do vijnë sipas qarqeve përmes kryesuesve të listës së deputetëve në qarqe”.

Në fjalën publike Rama ka nënvizuar se pritshmëria e lartë shoqërohet kudo me një ndjenjë padurimi krejt legjitim, pasi njerëzit janë sfilitur. “Janë të lodhur nga papunësia e të dëshpëruar nga varfëria. Ne s’mund t’ua zgjidhim problemet sa hap e mbyll sytë, por mundemi ama sa hap e mbyll sytë t’u gjendemi pranë e të mos bëhemi problemi i tyre i ri, për të vazhduar t’i dëgjojmë me të njëjtin durim si deri para disa muajsh kur kërkonim votën e tyre.

Unë e di që ju të gjithë, njësoj si dhe unë, jeni nën presionin e njerëzve në kërkim të një pune”, tha Rama. Sipas tij në librin e trashë të marrëzive e të gabimeve të pushtetit të kundërshtarëve, nxin kapitulli i dhunës psikologjike ndaj administratës e çdokujt që ata e gjetën në punë kur filluan të qeverisin e krimet e flakjes pa asnjë motiv nga puna të mijëra profesionistëve e specialistëve, po dhe punonjësve më të thjeshtë të shërbimeve, që u zëvendësuan me të tjerë të cilët rëndom, nuk plotësonin asnjë kriter tjetër veç verbërisë politike.

“Nxijnë faqet e maskaradës së një korrupsioni që u katandis në degradimin e fundëm të shitblerjes së vendeve të punës”, tha Rama, ku për të kjo do marrë fund. Ai tha se do mbillet kultura e konkurrencës e të meritës dhe do te bëhet këtë hap pas hapi, “pa i rënë në qafë padrejtësisht askujt, as dhe një njeriu të vetëm, që sot shërben me profesionalizëm në administratën e shtetit, por pa u lënë shqiptarëve në qafë askënd, as dhe një njeri të vetëm që është paguar deri më sot jo për shërbimin ndaj shtetit, por besnikërinë ndaj pushtetit”.

Por Rama tha se s’mund të mohohet për të rinjtë e mbishkolluar konkurrenca e fitorja me meritë. “Ta ndajmë njëherë e mirë Shqipërinë nga epoka e ndërrimit jo vetëm të pushteteve, po dhe e shpartallimit të administratës. Çdo deputet në radhë të parë, duke filluar nga unë duhet të mos bëhet përçues i presionit për punësim te qeveria po administrues i kujdesshëm i këtij presioni, me një punë sa më të madhe shpjeguese”, tha Rama.

Sipas tij, çdo ministër duhet të jetë shembullor në procesin e vlerësimit, sa më objektiv të kapitalit njerëzor ekzistues në administratën e shtetit, si edhe në garantimin e transparencës e të meritës për çdo konkurs e emërim të ri. “Asnjë lidhje e shkurtër miqësore apo klienteliste, s’duhet t’i mbivendoset lidhjes organike institucionale të qeverisë me grupin parlamentar dhe të çdo ministri me deputetët”.

Për Ramën, “nepotizmi s’duhet në asnjë mënyrë të gjejë rrugë për të prekur e dëmtuar organizmin e kësaj shumice të re qeverisëse. Në asnjë institucion nuk mund të ketë më bashkëshortë e kushërinj të parë që marrin rrogën në të njëjtën bordero. Ndërsa për kë do guxojë të marrë para për të shitur një vend pune ne duhet të kërkojmë deri në fund dënim penal maksimal”!

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 07.09.2013
 
Redaksia online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

112-vjetori i Pavarësisë/ Urime nga politike, Kurti: Ky 28 Nëntor na gjen me projektin e Memorialit të Adem Jasharit

112-vjetori i Pavarësisë/ Urime nga politike, Kurti: Ky 28 Nëntor na gjen me projektin e Memorialit të Adem Jasharit