Rama theksoi se ekonomia gjatë këtij viti ka qenë në rënie të vazhdueshme dhe se duhet rimëkëmbje e saj. Sipas kryesocialistit, duhet të rishikohen koncesionet e dhëna nga qeveria e sotme, pasi ato tregtohen në treg të zi.
Rama tha se Rilindja shqiptare nis nga rimarrja nën kontroll e pasurive të shqiptarëve. Ndaj ai tha se PS s’do të njohë privatizimin e 4 HEC-eve që po kryhet me gjysmën e vlerës reale.
Rama shtoi se “Rilindja duhet të nisë”, duke theksuar qëndrim kundërshtues ndaj privatizimeve “abuzuese” në sektorin e naftës, energjisë apo mineraleve, etj. Duke denoncuar proceset e privatizimeve të pasurive të shtetit, Rama tha se nga këto procese qytetari i thjeshtë nuk merr asgjë, ndërsa politika pasurohet.
Rama premtoi përgjysmim të barrës fiskale për shumicën dërrmuese të atyre që jetojnë me rrogë. Ai e quajti katastrofik planin urbanistik të Tiranës aprovuar pak ditë më parë dhe premtoi rikthimin e planit të vjetër të aprovuar kur ai ishte në krye të bashkisë së kryeqytetit.
I pyetur mbi koalicionet e mundshme në zgjedhjet e ardhshme, Rama tha se ato janë si një tango dhe kërcehen dyshe, por shtoi se Partia Socialiste është e hapur për bashkëpunim me këto parti opozitare.
RAMA: PRIVATIZIMI I HEC-eve GRABITJE, S’E LEJOJME
Rama ka shprehur qëndrim kundërshtues ndaj procesit të privatizimit të HEC-eve, me argumentin se çmimi i ardhur nga ofertuesit është sa gjysma e fitimit që ofrojnë aktualisht këto HEC-e. Sipas kryesocialistit qeveria nuk po privatizon por po grabit shqiptarët, pasi secila nga HEC-et është fitimprurëse dhe mbi to është investuar nga shteti.
“Këto nuk janë procedura privatizimi, është grabitje, dhe ne nuk do ta njohim privatizimin e këtyre katër hidrocentraleve. U them ofertuesve mos shkoni më tutje në këtë proces. Nuk do lejojmë të grabiten pasuritë e shqiptarëve për llogari të politikës”, tha Rama.
RAMA: PRIVATIZIMI I CEZ I KONCEPTUAR GABIM, KOSTO NE KURRIZ TE QYTETAREVE
Kreut i PS-së tha se ekonomia gjatë këtij viti ka qenë në rënie të vazhdueshme, ndërsa vuri theksin në situatën energjetike në vend të krijuar nga kompania çeke CEZ Shqpërndarje. Sipas kryesocialistit vendi ka përjetuar situatën më të rëndë në sistemin energjetik.
Për numrin një të opozitës shkaku i kësaj situatë fillon me privatizimin e shpërndarjes, i cili sipas tij ishte i konceptuar gabim. “Privatizimi i shpërndarjes u zhvillua mbi një trase të projektuar gabim dhe nuk kishte si të mos sillte pasojat e një gabimi. Sot CEZ-i ka krijuar një ngërç në sistem, i cili shkon te konsumatori. KESH sot nuk arrin të paguajë as pagat e veta”, u shpreh para gazetarëve shefi i opozitës.
Sipas Ramës “ka dështuar i gjithë modelit i tregut dhe sistemi tarifor i energjisë është në dëm të shqiptarëve”.
ALBPETROL, RAMA: 400 mln $ PERFITIME POLITIKE
Gjatë fjalës mbajtur në bashkëbisedimin me gazetarët për vitin politik 2012, Rama komentoi edhe privatizimin e ALBPETROL. Sipas kryesocialistit, kompania e naftës nuk është as e privatizuar as e shtetit. Rama e sheh ALBPETROL si një strukturë që lidhet me përfitime politike në kurriz të shqiptarëve. “80 deri në 100 mijë ton naftë në vit, me përfitim 50 milionë dollarë që nuk vijnë në arkën e pasurisë së shqiptarëve po shkojnë gjetkë”, u shpreh shefi i opozitës. Duke përllogaritur përfitimet në 8 vjet mandat të qeverisë, Rama tha se fitimi është 400 milionë dollarë.
“Përmes ligjit ne do të hyjmë aq thellë në aferat e kësaj pjese të sektorit sa do të habitet e gjithë Shqipëria”, theksoi numri një i opozitës.
Sipas kryesocialistit edhe ARMO, i cili është një aset i privatizuar, nuk funksionin. “I privatizuar, por i privatizuar për të mos funksionuar”, theksoi kreu i PS-së.
NAFTA JASHTE KONTROLLIT TE SHTETIT
Rama ka akuzuar struktura të larta brenda Ministrisë së Financave, Ekonomisë dhe Ministrisë së Brendshme, si të përfshirë në “skandalin e naftës”.
“Nafta është tërësisht jashtë kontrollit të shtetit. Skandali i naftës tregoi se në këtë sektor për llogari të interesave të errëta janë të implikuara struktura të larta në Ministrinë e Brendshme, të Financave dhe Ekonomisë. Nafta e nxjerrë nga Shqipëria shkon deri në 1 milion ton. Çfarë marrin shqiptarët përmes shtetit? Shuma të papërfillshme”, tha në fjalën mbajtur para gazetarëve kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama.
LOTARIA KOMBETARE, RAMA: NUK DO TE PRANOHET
Në fokus të kryesocialisitit, lidhur me zhvillimet gjatë vitit 2012, erdhi edhe Lotaria Kombëtare. Rama e ka cilësuar privatizimin e licencës për organizimin e kësaj lotarie, problematik, ndërsa theksoi se nuk do ta pranojë diçka të tillë. “Lotaria kombëtare u privatizua me një çmim sa e dhjeta e çmimit real. Por problemi qëndron edhe më tej, tek kalimi i të drejtës nga publiku tek privati dhe kalimi i përfitimeve nga publiku tek privati. Nuk do të pranohet si e tillë, dhe nuk do të lejohet si e tillë”, u shpreh Rama.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)