Rama: Qeveria, një partnere
e denjë për çdo investito

Rama: Qeveria, një partnere<br />e denjë për çdo investito
TIRANE- Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZH organizoi në Londër një forum të nivelit të lartë me qëllim intensifikimin e investimeve në Ballkanin Perëndimor. Kryeministri Edi Rama u përqëndrua në hapat që janë marrë për krijimin e një klime të përshtatshme biznesi për investitorët vendas e të huaj. “Ka një hendek të pashpjegueshëm mes ekonomive të vendeve të rajonit që duhet të ndryshojë. Potencialet e Shqipërisë në turizëm, bujqësi e energjetikë janë të mëdha. Për Shqipërinë rritja e qëndrueshme e ekonomisë e punësimi mbetet ende sfidë. Jemi të vetëdijshëm për problemet e kaluara, por ato jo vetëm s’do ndodhin, por ne jemi duke u përpjekur në strukturimin e ligjeve të nevojshme për të mos e lejuar më ngjalljen e problematikave.

Profili ekonomik për 20 vitet e ardhshme, ka nisur tashmë dhe se hapi i parë ndaj kësaj faqeje të re është hapja ndaj biznesit të huaj dhe vendas”, tha Rama. Ai garantoi biznesin e huaj se në Shqipëri do gjejnë një qeveri partnere të denjë e të aftë për të bashkëpunuar. “Qeveria është duke bërë një luftë të madhe kundër krimit e korrupsionit, që do sjellë përmirësime të mëdha në ekonomi. Duam të arrijmë standardet evropiane me ndërtimet në infrastrukturë.

Ftoj të gjithë investitorët të vijnë e të shikojnë mundësitë në Shqipëri. Siguroj të gjithë investitorët se Qeveria do jetë në mbështetje të tyre dhe për këtë ne do synojmë të përmirësojmë modelin e privatizimit”, tha Rama. Ndërsa, kreu i qeverisë së Kosovës Hashim Thaçi tha se vendi i tij, ka vazhduar progresin. “Për herë të parë në histori jemi 7 kryeministra që po flasim në një forum për mundësitë investive në rajon. Kosova ka shumë të ofrojë në miniera, energjetikë, bujqësi e tani pas fillimit të normalizimit të marrëdhënieve fqinjësore, edhe investitorët ndihen më të sigurt në peizazhin tonë politik dhe ligjor”, u shpreh Thaçi.
 
Memorandumi
Qeveria shqiptare dhe BERZH kanë nënshkruar një memorandum të përbashkët mirëkuptimi, i cili synon të rigjallërojë reformat ekonomike të vendit. BERZH bën të ditur se në këtë memorandum të dy palët angazhohen të përdorin një sërë instrumentesh për të përmirësuar dialogun mes biznesit dhe administratës, për të nxitur investimet e huaja e ato vendase në ekonomi. Memorandumi synon forcimin e kuadrit ligjor, luftën ndaj korrupsionit dhe rritjen e transparencës së korporatave, por edhe sektorit bankar. BERZH merr përsipër të ndihmojë Qeverinë në ngritjen e Këshillit të Investimeve që do përbëhet nga biznesmenë e zyrtarë.

Qëllimi kryesor i institucionit do jetë asistenca për Këshillin Ekonomik Kombëtar, ngritur për të lehtësuar zhvillimin e sektorit privat, forcimin e bizneseve dhe klimës së investimeve. Rama u shpreh se përmes këtij momorandumi hidhet një hap madhor përpara për të çliruar potencialet ekonomike të vendit. Ndërsa presidenti i BERZH ka përgëzuar autoritetet shqiptare për për kurajon dhe vendosmërinë për t’u përballur me sfidat që ka vendi duke e quajtur atë si një shembull për rajonin.

Shkrimi u publikua sot (25.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Hyn në fuqi vendimi! Bonusi i fundvitit tërhiqet nga java e dytë e dhjetorit deri në fund të 2025-ës

Hyn në fuqi vendimi! Bonusi i fundvitit tërhiqet nga java e dytë e dhjetorit deri në fund të 2025-ës