Rama: Reforma s'ka vlerë pa
"vettingun" e ndërkombëtarët

Rama: Reforma s'ka vlerë pa<br />
Partia Demokratike ka kaluar nga "vendet e rezervuara" tek "vendet e blinduara" është ky komenti i Kryeministrit Edi Rama për propozimin e ri të demokratëve për reformën në drejtësi.
 
Në statusin e tij në rrjetin social Facebook, nën titullin "Propozim i ri apo avaz i vjetër", kreu i Qeverisë thotë se pa veting larg partive dhe ndërkombëtaret, që anashkalohet krejtësisht nga PD, reforma në drejtësi nuk ka vlerë.
 
“E them me keqardhje që s'ka asgjë të re në propozimin që Partia Demokratike e quan formulë kompromisi! Por s'mund të pranojmë deformimin konsensual të thelbit të saj, që është garantimi i një procesi rigorozisht profesional e të pavarur nga partitë, për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të komisionit të vetingut të prokurorëve e gjykatësve. Pa vetingun,kjo reformë s'ka asnjë vlerë. Po ashtu, me një veting të bërë nga të zgjedhurit e partive e pa pjesëmarrjen e ndërkombëtarëve në procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të këtij komisioni, përsëri kjo reformë s'ka asnjë vlerë”- shkruan Kryeministri në statusin e tij ku shpreh dhe keqardhjen dhe gatishmërinë për çdo kompromis që nuk deformon thelbin e Reformës në Drejtësi.

Deklarata e plotë e Ramës:
"E them me keqardhje që s'ka asgjë të re në propozimin që Partia Demokratike e quan formulë kompromisi! Me keqardhje, po fare sinqerisht, sepse ne jemi gati për çdo kompromis që nuk deformon thelbin e Reformës në Drejtësi. Por s'mund të pranojmë deformimin konsensual të thelbit të saj, që është garantimi i një procesi rigorozisht profesional e të pavarur nga partitë, për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të komisionit të vetingut të prokurorëve e gjykatësve. Pa vetingun (skanimi i pasurisë, karrierës dhe aftësive të kujtdo që do të paguhet me taksat e shqiptarëve për të ushtruar detyrën e gjykatësit dhe prokurorit), kjo reformë s'ka asnjë vlerë. Po ashtu, me një veting të bërë nga të zgjedhurit e partive e pa pjesëmarrjen e ndërkombëtarëve në procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të këtij komisioni, përsëri kjo reformë s'ka asnjë vlerë.
Kjo s'është vetëm bindja jonë, por një vijë e kuqe që nuk e ka pikturuar peneli im, po e ka vënë Brukseli dhe Uashingtoni. Dhe është e habitshme që Partia Demokratike vazhdon merret me gishtin, kur gishti tregon hënën! Sepse kështu i bie që jo vetëm unë, po edhe Brukseli e Uashingtoni, nuk e duan reformën...
Në propozimin e ri, Partia Demokratike ka kaluar nga vendet e rezervuara tek vendet e blinduara(!) dhe jo vetëm kaq, po ky propozim anashkalon krejtësisht mekanizmin e monitoruesve ndërkombëtarë që për ne është kyç në procesin e skanimit. Por jo vetëm për ne, po edhe për BE e SHBA po ashtu.
Deri këtu konkluzioni është i thjeshtë: Ose këtë reformë historike në drejtësi e do vetëm Partia Demokratike dhe gjithë ne të tjerët, së bashku me Bashkimin Europian e Shtetet e Bashkuara, po e sabotojmë reformën sepse kemi frikë prej saj, ose pastaj një frikë e madhe nuk e lë Partinë Demokratike të bashkohet me shumicën e me aleatët strategjikë të Shqipërisë, për të votuar reformën dhe për t'i hapur rrugë një epoke të re për drejtësinë në shtetin tonë".


Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Barcelona pëson humbjen e parë sezonale, Osasuna e turpëron 4-2 në 'Pamplona'

Barcelona pëson humbjen e parë sezonale, Osasuna e turpëron 4-2 në 'Pamplona'