TIRANË- Në një kohë kur kryeministri Edi Rama renditi sukseset në Arsim, përgjigja nga PD-ja vjen nga ish- deputetja, Albana Vokshi. Në një takim me mësues të arsimit parauniversitar, koordinatorja politike e PD, Albana Vokshi tha se gjatë 8 viteve qeverisje cilësia e mësim dhënies ka rënë, e ndërsa sipas saj një dështim ka qenë edhe mësimi online gjatë pandemisë.
“Më shumë se gjysma e nxënësve nuk kanë internet ose mjetet e duhura për shkollën online. Qeveria ka rritur kolapsin dhe ka stimuluar uljen e cilësisë së mësimdhënies, duke mos investuar asnjë qindarkë për arsimin online. Mësimi online ka dështuar, sepse qeveria ka dështuar, duke rrezikuar që të rritet një brez COVID”- tha Albana Vokshi.
Ajo tha se kjo situatë do të ndryshojë me ardhjen e PD-së në pushtet.
“Pavarësisht braktisjes nga qeveria, dua t’ju falenderoj që nuk hiqni dorë, duke ju garantuar se me PD në qeveri, mësuesi, pedagogu do të jetë në qendër të vëmendjes, që arsimimi cilësor të jetë prioriteti ynë. Nëse një qeveri nuk investon në arsim, është një shoqëri e prapambetur. Prandaj ne do të investojmë në arsim, edhe si investimi më i madh që i kthehet ekonomisë dhe shoqërisë.”- theksoi Albana Vokshi,
Rama prezantoi sot programin për arsimin, e ndërsa sulmoi edhe kundërshtarët e tij duke thënë se PD-ja prezanton si ministra për arsimin të stilit “kap ça të kapësh” dhe këtu iu referua, Mark Markut, Agron Gjekmarkajt dhe Albana Vokshit.