Rama: Rilindje Policisë së Shtetit 
Rritje të pensioneve dhe rrogave

Rama: Rilindje Policisë së Shtetit <br />Rritje të pensioneve dhe rrogave
Qeveria shqiptare pavarësisht vështirësive ekonomike të trashëguara, do mbështesë gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit dhe Forcave të Armatosura. Gjatë një takimi me famijë e familjarë të policëve të rënë në krye të detyrës si dhe ushtarakëve më mision jashtë vendit, shefi i qeverisë Edi Rama tha se do ketë më shumë mbështetje për këto kategori. Kryeministri Rama the se do të bëhet gjithçka që fëmijët e policëve të rënë në krye të detyrës të mos ndiejnë mungesën e kujdesit prindëror.


Rama: Fëmijët e policëve të rënë në krye të detyrës, pjesë e Akademisë së Policisë pa konkurim
“Ne sot jemi këtu për të zëvendësuar, pamundur në fakt, të zëvendësojmë prindërit që mungojnë. Prindërit që mungojnë për shkak se janë të angazhuar në vijën e luftës për një botë të sigurt në misione ushtarake jashtë atdheut dhe prindërit që mungojnë për shkak se në misionin e tyre fisnik të mbrojtjes së paqes dhe sigurisë brenda atdheut ranë në krye të detyrës. Prindërit ushtarakë që nën uniformën e blertë nderojnë vendin tonë, krah për krah me aleatët e tjerë në kuadrin e misioneve paqeruajtëse, apo të misioneve të rezistencës së botës së lirë ndaj epidemisë vrastare të terrorit dhe ushtarakët nën uniformën blu. Që prej vitit 1990 deri më sot janë 211 bashkëqytetarë që u mungojnë grave, nënave, baballarëve dhe fëmijëve të tyre. 150 nga këta janë shpallur “Dëshmorë të Atdheut” dhe kanë shënuar emrin në përjetësinë e altarit të kombit duke lënë pas boshllëk, duke lënë pas kujtimeve të dhimbshme, por duke lënë pas edhe një trashëgimi të ndritur për gjithë fëmijët e tyre. Ne jemi të vetëdijshëm se çfarëdo të bëjmë nuk e kompensojmë dot humbjen e familjes suaj, por jemi po kaq të vetëdijshëm se duhet të bëjmë gjithçka mundemi që fëmijët e policëve të rënë në krye të detyrës, në rrugëtimin e tyre drejt daljes në jetë të mos ndjejnë mungesën e kujdesit prindëror. E atij kujdesi prindëror që për të gjithë fëmijët e zakonshëm, që e kanë nënën dhe babain, materializohet edhe në formën e investimit për shkollimin dhe për studimet e larta. Sot, me vendim të Qeverisë sonë, në Akademinë e Policisë të gjithë fëmijët e policëve të vrarë, që dëshirojnë të ecin në gjurmët e prindërve të tyre, pranohen pa konkurs. Dhe kjo nuk është shkelje e konkurrencës apo cenim i meritës, por kjo është shprehje e bindjes së thellë se në shpirtin e çdonjërit prej këtyre fëmijëve është e shënjuar një herë e përgjithmonë vlera e lartë e virtytit të shërbimit pa kompromis ndaj detyrës. Të gjithë fëmijët e policëve të vrarë, ata më të rriturit, por edhe ata më të vegjlit kanë trashëguar një kapital të pakonkurrueshëm, kapitalin e këtij virtyti të lartë. E për këtë arsye janë dhe duhet të jenë gjithmonë krenarë për prindërit e tyre. Nga ana tjetër, ne kemi bërë një kujdes të veçantë që forcat e policisë, njerëzit që përkushtohen nën uniformën e policisë të mos e ndjejnë respektin e shprehur të shtetit dhe të Qeverisë, vetëm në momentet e vështirësisë më të lartë dhe as të mos ju duhet të humbasin jetën që misioni i tyre të nderohet dhe respektohet. Dhe për këtë arsye, ne i jemi përkushtuar në mënyrë të veçantë rilindjes së Policisë së Shtetit, duke iu përkushtuar rritjes së cilësisë së jetës në familjen e çdo punonjësi të Policisë së Shtetit.”, deklaroi Rama.

edi rama


Rama: Për policët me pension të parakohshëm rritje me 173 mijë lekë, për ata me 30 vite punë pension 400 mijë lekë
Shefi i qeverisë, foli për një rilindje të Policisë së Shtetit. Ai tha se janë rritur rrogat e punonjësve të Policisë së Shtetit . Rama foli dhe për pensionet e policëve, ku theksoi se çdo polic që del në pension të parakohshëm do të përfitojë një rritje prej 173 mijë lekë, e ndërsa për ata punonjës policie që kanë 30 vite punë në polici pensioni do të jetë 400 mijë lekë.
 
“Kemi trashëguar një situatë shumë të rëndë financiare. Jemi në rrugën e mbarë të daljes nga një katrahurë financiare dhe nga një qorrsokak rrënimi ekonomik dhe kemi qenë të detyruar t’i nënshtrohemi një programi të rreptë reformash, një ndër pikat e të cilit është se na duhet pak kohë, dy a tre vjet, përpara sesa të mendojmë dhe të veprojmë për rritjen e rrogave të të gjithë punonjësve të shtetit.Por kjo nuk na ka penguar që menjëherë të rrisim, thuajse të dyfishojmë, për punonjësit e nivelit të parë të policisë, rrogat e tyre. Kjo nuk na ka penguar që për Forcat Speciale dhe Operacionale të ketë një trajtim të veçantë shëndetësor, të garantohet vizita, të garantohet kurimi, të garantohet operacioni apo çdo nevojë tjetër shëndetësore me standardet më të larta dhe në barrën e shtetit. Është përmendur më herët, edhe ndërtimi i Universitetit të Sigurisë, të Shkollës së Lartë të Policisë së Shtetit, kjo do t’i rrisë edhe më shumë rezultatet edhe sukseset e Policisë së Shtetit, por do të jetë në vijimësi një adresë e sigurt për të gjithë ata fëmijë të policëve të rënë në krye të detyrës, që duan të vazhdojnë në gjurmët e prindërve të tyre.Nga ana tjetër, policët që do të dalin në pension të parakohshëm ose pension suplementar do të përfitojnë një rritje pensioni prej 173 mijë lekë më shumë se me ligjin e vjetër. Ndërkohë që 640 punonjësit e policisë që kanë mbi 30 vjet punë do të përfitojnë një pension që llogaritet në 400 mijë lekë në muaj. Të gjitha këto nuk janë mjaftueshëm për të shpërblyer një ndër punët më të vështira në Republikën tonë dhe për njerëzit që çdo ditë dalin nga shtëpia për të shkuar dhe për të luftuar në frontin më të vështirë, frontin e luftës kundër krimit, por të gjitha këto janë një shprehje kuptimplotë e vetëdijes sonë se në çdo moment që do të kemi mundësi të bëjmë më shumë, në radhë të parë do të bëjmë më shumë për njerëzit që nën uniformën blu i përkushtohen sigurisë së të gjithë qytetarëve tanë”, deklaroi Rama.
 
Kodheli: Forcat paqeruajtëse shëmbëlltyra më e mirë e Shqipërisë
Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli tha se Forcat Paqeruajtëse shqiptare në misione të ndryshme janë ambasadorët më të mirë të paqes. Kodheli tha se këto forca janë shëmbëlltyra më e mirë e Shqipërisë.

mimi kodheli

“Dua të përshëndes trupat tonë që janë jashtë vendit. Ato burra dhe gra që janë shëmbëlltyra më e mirë e Shqipërisë. Jemi krenar për ju, jeni ambasadorët më të mirë të paqes. Të gjithë ne si prindër dëshirojmë dhe mendojmë një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë. Trupat tona në botë dëshmojnë dhe njëherë se ne dëshirojmë një paqë përtej kufijëve tanë. Ne nuk duhet të rreshtim së punuari për të ardhmen europiane të fëmijëve. Fëmijët janë shpresa jonë e vetme, dhe ne jemi shpresa e veteme për të tashmen dhe të ardhmen. Ne do të jemi pranë jush aty ku ndodheni, dhe në krah të familjarëve tuaj. Ne ju detyrohemi, atdheu iu detyrohet”, deklaroi Kodheli.
 
Tahiri: Qeveria shpërblim për punonjësit e rënë të policisë
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri tha se qeveria e kryeminsitrit Rama  ka menduar që humbja e një familjari të forcave të policisë të mos rëndojë më shumë tek familjarët e tjerë.

saimir tahiri

“Dua t’iu drejtohem fëmijëve të punonjësve të policisë. Ne jemi munduar që fëmijët e policëve të rënë të jenë pjesë e Akademisë së Rendit. Ne duam që Shqipëria për të cilën humbën jetën këta punonjës të bëhet një vend që duan. Ne nuk duam që humbja e një familjari t’i shtohet dhe jeta e vështirë e familjarëve. Prandaj qeveria vendosi të caktojë një shpërblim për punonjësit e rënë të policisë”, deklaroi Tahiri.


Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

'Lëre detyrën e bëj si themi ne!' Polici bashkiak i Vlorës dhunohet se gjobiti furgonin e linjës! Zbardhet dëshmia, tregon dhunuesit (EMRAT)

'Lëre detyrën e bëj si themi ne!' Polici bashkiak i Vlorës dhunohet se gjobiti furgonin e linjës! Zbardhet dëshmia, tregon dhunuesit (EMRAT)