LUSHNJE - 100 milionë dollar në vit mbështetje për bujqësinë është premtimi që kryeministri Edi Rama dha sot ndërsa zhvilloi një vizitë në Krutje të Sipërme të Lushnjes, ku u njoh me investimet publike e private në këtë zonë.
 
“Do të shpallim një program të ri për mbështetjen e bujqësisë dhe blegtorisë, se kemi bërë një bashkëpunim me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Këtë skemën që përdorëm këtë vit me AZHBR-në do ta kthejmë në një skemë garancie e do të përfshimë edhe një sërë bankash në këtë proces, por pa rritur interesat mbi fermerët, po duke marrë ne përsipër pjesën e interesave dhe të vazhdojmë me atë skemën 50% investim fermeri, 50% investim shteti. Besoj se mund ta rrisim deri në 100 milionë dollarë në vit mbështetjen”, tha Rama.
 
Kreu i qeverisë vizitoi një kompleks të mbarështrimit të derrave në Krutje të Sipërme, një biznes familjar i hapur në vitin 1996. Sipas Ramës, ky është një nga dëshmitë sesi legalizimi falas ka ndikuar në rritjen e biznesit. Pas 10 vitesh zvarritjesh në zyrat e ALUIZNIT dhe bllokimit të mundësisë për të marrë kredi për të zgjeruar biznesin, pronari i kompleksit,  së fundmi ka marrë certifikatën e legalizimit për të 13 stallat ku ushtron aktivitetin. Mosnjohja e pronësisë e pengonte atë të aplikonte qoftë për subvencione nga fondet e qeverisë, qoftë për kredi nga bankat.
  
Komuna Grabian me shkollë të re, drejtoresha: Nxënësit vinin me çadra në klasë
Në komunën Grabian të Lushnjës, shkolla e re 9-vjeçare, financim i qeverisë,  vjen për të rinjtë e kësaj zone, me një mjedis tërësisht modern e bashkëkohor. Drejtoresha e shkollës tha se në ndërtesën e vjetër, nxënësit e zhvillonin mësimin në kushte tejet të vështira, të detyruar shpeshherë, për shkak të motit të keq  të mbanin çadra në klasë. Pjesë e shkollës së re është edhe kopshti i fëmijëve, i cili do të mirëpresë 98 vogëlushë, me të gjitha parametrat e një mjedisi të shëndetshëm dhe argëtues.
 

shkolla lushnje

Braçe: 3 ura - Gërmenj- Divjake, super rrugë bujqësore

Rruga - 3 ura - Gërmenj- Divjake, po i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë, i cili do ta sjellë këtë segment rrugor në kushtet e një infrastrukture të standardeve bashkëkohore. Në gjendjen ekzistuese të rrugës kalimi i makinave ishte i pamundur pasi gropëzimet ishin të shumta dhe trupi i rrugës ishte shumë i dëmtuar.
 
Deputeti Braçe u shpreh se kjo zonë bujqësore do të dalë më në pah me rrugën e re, e cila në të njëjtën kohë do ti japë një shtysë te re edhe turizmit. 
 
Është e gjitha zonë bujqësore kjo këtu dhe rruga kalon mes përmes fushave. Është zonë e pastër, nuk ka as ndërtime asgjë. Ndërkohë të dy tregjet, tregu i Lushnjës me tregun e Divjakës lidhen me rrugë, e njëjta gjë vlen edhe për turizmin, për plazhin, njerëzit nga Lushnja vinë direkt në Divjakë. Ta vijojmë këtë se jo na lidh vetëm Bashkinë e madhe që krijon por në anën tjetër i jep gjithë pjesë bujqësore dhe i jep gjithë pjesës së Grabianit dhe bëhet një super rrugë bujqësore që i nxjerr lekët vetë për shkak  të fluksit ët madhe që do ët ketë edhe trafikut, edhe të punëve në bujqësi që ka,” u shpreh ai.
 
Projekti parashikon një zgjerim për segmentin e asfaltuar nga Tre Urat - Autostrada Rrogozhinë – Lushnjë dhe rikonstruksionin e plotë për pjesën tjetër me gjerësi 5 m asfalt për segmentin Çerme Sektor-Tre Urat - Stravec - Gërmenj i Madh. Deri tani në objekt janë realizuar punimet e gërmimit dhe të mbushjes, në një gjatësi prej 10 kilometrash, nga Çermë Sektori në drejtim të Gërmenjit, për të vijuar me pjesën e mbetur prej 2 kilometrash.
 
Përfundimi i rikonstruksionit do të lehtësojë ndjeshëm lëvizjen e banorëve të zonës drejt bashkisë së Divjakës sipas ndarjes së re territoriale, gjithashtu  do ti japë një impakt të ri tregtimit të produkteve të këtyre fshatrave  në tregun e Divjakës, i cili është tregu më i afërt për ta. 

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)