Pas institucioneve shtetërore, edhe bankat e nivelit të dytë do t’i nënshtrohen një revolucioni digjital, nëpërmjet platformës e-albania. Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se është ngritur një grup pune mes qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë, i cili do të drejtojë punën në këtë aspekt.

Gjatë takimit me përfaqësuesit e 11 bankave, kryeministri Rama pati kritika të forta për vonesa në shërbimet që ato ofrojnë. Një tjetër synim i qeverisë, është modernizimi i shërbimit të pensioneve, për të cilat Rama paralajmëroi arrestime.

'Sa i takon bankave ne jemi të fundit në rajon, se në pjesën tjetër po se po. Duhet të jemi shumë realistë, kjo është një mospërputhje shumë dramatike, me aspektin tjetër të gjithë punës së sistemit bankar, dhe me vetë qendrueshmërinë e një sistemi bankar të konsoliduar dhe shumë profesional. Radhët në dyert e bankave që në sabah, me njerëz që i orienton një roje aty jashtë, nuk janë ngjarje të përditshme të kontinentit ku jetojmë.

Ne jemi këtu për t'ju thënë që Shqipëria nuk mund të jetë në një vend aq të lartë në klasifikimin e përgjithshëm duke lënë pas dhe vende të zhvilluara dhe natyrisht kjo është mrekullia e teknologjisë që i jep mundësinë një vendi që është në zhvillim apo ka prapambetje që të bëjë kapërcime të mëdha në njësi kohe të shkurtër. Nga ana tjetër jemi ku thërret qameti në shërbimet online të bankave. Çdo muaj, saktësisht në datën 14, shumë sipërmarrje shkojnë në banka për të paguar TVSH. Prap me datë 20 shkojnë për të paguar sigurime shoqërore, një ritual që nuk besoj që dhe juve ju vjen mirë ta keni, është konsum nervash, imazhi në tërësi, i denjë për vite e vite. Duke qenë se qytetarët sot kanë të gjithë aksesin e lehtë dhe shpejtësinë e marrjes së shërbimit nga e-albania, është normale që të ankohen për bankat, qoftë qytetarët, qoftë sipërmarrjet.

Nuk ka pse të niset për tek dera e bankës për të paguar për një shërbim publik, por njësoj siç bën e-albania, mund të kryejë dhe pagesën po aty, dhe kjo mund t'i konfirmohet në kohë reale. Ky është një transformim që nuk është koha ta diskutojmë, por ta bëjmë", - tha kreu i qeverisë.

Drejtoresha e AKSHI-t, Linda Karcanaj foli për shifrat dhe radhët që shqiptarët kanë kursyer, me digjitalizimin e shërbimeve. Ndërsa guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, tha se ligji i ri parashikon llogari bankare dhe kartë pa pagesa për shtresat në nevojë.

Përfaqësuesit e Bankave u shprehën të gatshme për digjitalizimin dhe shqetësimi i tyre gjeti përgjigje nga kryeministri Rama.

'Shërbimet që merrni nga e-albania janë pa bisht mbrapa'- tha Rama.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:08
Rama: Të ecim përpara, aministia fiskale të mos përdoret si rrugë për kriminelë dhe të korruptuar

1651837144_Screenshot1.jpg

Në mbledhje, kryeministri Edi Rama përsëriti rëndësinë e digjitalizimit, ndërsa shtoi se amnisia nuk duhet të përdoret si shteg për kriminelët dhe të korruptuarit.

"Jemi vendi më cash në Europë. Kjo është një e dhënë që duhet të na fokusojë tek 'pse'-të dhe si-të. Kemi një problem të trashëguar që nga dita e parë e hyrjes në sistemin e ekonomisë së tregut dhe hapjes së vendit që është informaliteti i madh i parasë në një vend ku për 50 vjet dy ishin gjërat që u goditën më fort, kredia si koncept dhe taksat.

Një pjesë e madhe e popullsisë së rritur i ka të rrënjosura në kokë ende sot e të gjithë ditën si pengesë për të kuptuar sistemin e ri këto 2 pika. Prandaj marrëdhënia me bankat është jo e natyrshme e të gjithëve dhe pagimi i taksave është problem ekstra tek të gjithë. Ne na duhet të ecim përpara me amnisti fiskale, e cila ka mbështetjen e shumicës dërrmuese të shqiptarëve dhe duhet strukturuar me shumë profesionalizëm në cdo detaj në mënyrë që të garantohet i gjithë ekuilibri i domosdoshëm që duhet mbajtur mes nevojës së madhe që aministia të mos përdoret si shteg, si rrugë për kriminelë dhe të korruptuar.

Nga ana tjetër, na duhet të vazhdojmë me shpejtësi trasnformimin sistemik dhe ta shfrytëzojmë teknologjinë se është bekimi i vendeve si vendi ynë, të cilat në kushte të tjera do i ishin dashur kushedi sa dekada që tani e bëjnë për 2-3-4 vjet falë teknologjisë. Jemi në kushtet e zhvillimit eksponencial dhe është bekim për ne", tha Rama.  

Ora 12:42
Sejko: Me platformën e-albania, shërbimet e bankave do të jenë më funksionale dhe më të shpejta

 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko tha se shërbimet do të jenë më të shpejta me platformën e-albania, ndaj është e rëndësishme që të ketë koordinim që sistemi bankar të arrijë në nivelin e atyre në shtetet më të zhvilluara.

"Po diskutojmë për të harmonizuar përpjekjet e sistemit bankar me platformën e-albania në mënyrë që shërbimet të jenë sa më funksionale, të mos ketë mungesë koordinimi, pra të jetë sa më perfekt që shërbimet të jenë sa më të shpejta. Numri i pagesave elektronike është rritur. Do të vazhdojmë ta ndjekim intensivisht me grupin e punës dhe besoj që shumë shpejt, problemet i kemi të ezauruara. Nuk e shikoj si barrë, por si interes biznesi dhe për ju. Besoj që kostot duhen parë dhe në funksion të uljes së kostove.

Është dhe një projektligj tjetër në studim që është ligji për llogaritë e pagesave për individë që nuk kanë të ardhura që të kenë një kartë pa pagesë. Nga ana ligjore, të gjithë hapat janë ndërmarrë, të harmonizojmë veprimet dhe të koordinohemi me e-albania që shërbimet të merren si në shtetet e tjera më të zhvilluara", tha Sejko.

Ora 12:27
Rama-drejtuesve të bankave: Duhet të ngrihet grup pune për të shtuar shërbimet online! Do ju lëmë vetëm stresin e njerëzve që kërkojnë kredi

 

Kryeministri Edi Rama takoi sot drejtuesit e bankave tregtare duke thënë se duhet të ngrihet grup pune në mënyrë që të shtohen shërbimet online.

"Duhet të bëheni shembull i përfitimeve nga ky revolucion duke bërë secili pjesën e vet. Është momenti që të ngrihet një grup pune që ka filluar punën mes nesh dhe Bankës së Shqipërisë, jeni të mirëpritur që t'i bashkoheni me një figurë që është pjesë e këtij mentaliteti për të cilin po flasim dhe duhet të thjeshtojmë procedura, të reduktojmë dokumenta e të bëjmë maksimumin që jeta e qytetarëve të lehtësohet maksimalisht. Pastaj mbetet vetëm stresi ku ulen para jush dhe kërkojnë kredi që thonë njësoj si dhimbjet e lindjes në maternitet. Kjo është e juaja dhe është pushteti juaj mbi popullin", tha Rama.