TIRANE - Kryetari i PS-së mbajti sot një mëngjes pune me gazetarët ku iu përgjigj pyetjeve mbi situatën paraelektorale por dhe qeverisjes pas 23 qershorit. Takimi u zhvilua në zyrën e kryetarit në selinë PS.

Fillimisht kryetari i PS-së  komentoi shkarkimin e 3 gjeneralëve duke e quajtur “vazhdë dramatike e rrënimit të ushtrisë”.
 
“Është në vazhdën e rrënimit të ushtrisë sonë dhe të ndarjes gjithmonë e më të madhe mes misionit strategjik të FA dhe funksionit të një grushti njerëzish në kupolën e Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët kanë braktisur detyrën dhe të gjitha arsyet pse ekziston Ministria dhe Shtabi i përgjithshëm. Merren me njerëz e sende në kuptimin më të thjeshtë e më banal të kësaj fjale. “- tha Rama.

Kreu i PS-së shtoi se PS ka bërë të tyre duke rritur ndjeshmërinë e opinionit në raport me katandisjen e Ministrisë së Mbrojtjes në një çerdhe ku vlon korrupsioni dhe grabiten pronat.

“Unë sot dua ti shpreh solidaritetin tre gjeneralëve të liruara brutalisht nga presidenti që fatkeqësisht është  kadet i kryeministrit”

 I pyetur nëse do të rikthehen gjeneralët e shkarkuar nëse PS fiton Rama u përgjigj
“Kjo që ka ndodhur është shumë e rëndë, është shprehje e brutalitetit dhe rrënimit që ka përfshirë FA, me përgjegjës Saliun e Ministrin e Mbrojtjes dhe shprehje e domosdoshmërisë si do vihet në dorë. Por kjo ështyë cështje që do trajtohet pas 23 qershorit dhe sipas Kushtetutës.

Me 3 dekret që mbajnë datën 21 maj, Presidenti Nishani firmosi lirimin nga detyra të Zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Gjeneral Brigade Sandër Ndue Lleshi, komandantin e Forcës Ajrore, Gjeneral Brigade Dhori Vangjel Spirollari dhe Komandantin e Brigadës së Mbështetjes Rajonale Gjeneral Brigade Abaz Liman Lleshi.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)