Rama shkarkon ministrin Cani
Ahmetaj në krye të Financave

Rama shkarkon ministrin Cani<br />Ahmetaj në krye të Financave
TIRANE -Kryeministri Rama shkarkon nga detyra ministrin e Financave Shkëlqim Cani duke e zëvendësuar me Arben Ahmetajn, i cili drejtonte ministrinë e Ekonomisë. Në vend të tij, kreu i qeverisë ka vendosur zëvendësministren e Shëndetësisë, Milva Ekonomi. Këto ndryshime vijnë pas 2 vjet e gjysmë qeverisje. Për kryeministrin Rama misioni i Ahmetajt dhe ai i Ekonomit, duhet të jetë lufta ndaj informalitetit dhe lehtësitë ndaj biznesit. 

Lajmi u mësua fillimisht nga burime të sigurta për Shqiptarja.com, ndërsa pak momente më pas përmes një deklarate zyrtare kryeministria solli detaje nga ky vendim. 

Ishte vetë kreu i qeverisë që e ka njohur Canin me zëvendësimin e tij nga kolegu Ahmetaj, duke e falenderuar njëherësh për angazhimin e tij në drejtimin e një prej dikastereve më të rëndësishme të këtij mandati njëkohësisht edhe më i vështiri. Shefi i mazhorancës i ka kërkuar Shkëlqim Canit të vijojë po më këtë profesionalizëm detyrën e tij si deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe anëtarit të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave. Cani nuk kishte hequr dorë ende nga mandati i deputetit, siç ministrat e tjerë kanë bërë, ndaj largimi nga kryesimi i Ministrisë së Financave nuk e nxjerr atë në "rrugë", pasi ai do të vijojë të përfaqësohet si deputet. 

"Kryeministri Edi Rama i shprehu sot Ministrit të Financave Shkëlqim Cani, falënderimet e tij për angazhimin, profesionalizmin dhe integritetin e plotë në kryerjen e njërës prej detyrave më të vështira qeverisëse të këtij mandati. Kryeministri e informoi ministrin Cani për vendimin e zëvendësimit të tij me një koleg tjetër dhe i kërkoi vazhdimin e angazhimit të tij, me të njëjtin profesionalizëm e përkushtim, si deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe anëtar i Komisionit të Ekonomisë e Financave", thuhet në njoftimin e kryeminsitrisë.

Nga ana e tij edhe Shkëlqim Cani ka ndarë vlerësime ndaj besimit të dhënë nga kryeministri, duke theksuar se angazhimi i tij politik do të vijojë.

"Ministri Cani e falënderoi nga ana e tij Kryeministrin për besimin dhe bashkëpunimin e ngushtë në kapërcimin me sukses të situatës së rëndë financiare të trashëguar dy vjet e gjysëm më parë, si edhe e siguroi për vazhdimin me përkushtim të plotë të angazhimit të tij politik e profesional si deputet i Kuvendit të Shqipërisë", thuhet në njoftim.

Në përfundim thuhet se: Detyrën e Ministrit të Financave, Kryeministri do t'ia besojë Z. Arben Ahmetaj, ndërsa detyrën e Ministrit të Ekonomisë, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes do t'ia besojë Znj. Milva Ekonomi"

Milva Ekonomi ka qenë më parë në krye të Institutit të Statistikave.

Këto ndryshime të rëndësishme në kabinetin qeverisës nuk janë të parat që ndodhin gjatë mandatit të koalicionit të majtë PS-LSI. I fundit ishte dorëheqja e ministrit të Drejtësisë Nasip Naço dhe emërimi në postin e tij i Ylli Manjani. 

Blendi Klosi u vendos në krye të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë pas largimit të Erion Veliajt dhe fitores që mori në qershor 2015 për të drejtuar bashkinë e Tiranës. Edhe ministri Klosi mban akoma edhe mandatin e deputetit.

Dorëheqje tjetër, ishte edhe ajo e ministrit për marrëdhëniet me parlamentin Ilirjan Celibashi dhe emërimi në vend të tij i ministres Ermonela Felaj.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

‘Ndryshime ligjore brenda 6 muajve’, Gogu prezanton raportin e PS për 'TIMS': Rishikim tërësor i akteve që mbrojnë të dhënat

‘Ndryshime ligjore brenda 6 muajve’, Gogu prezanton raportin e PS për 'TIMS': Rishikim tërësor i akteve që mbrojnë të dhënat