“SHKODRANË, REGJIMI I TIRANËS, KËRCËNUES SI NË ’90-N”
Duke pasur parasysh humbjet e PS-së në Shkodër, Rama u ka kujtuar shkodranëve: “Është dita për t’u thënë disa fjalë gjithë shkodranëve që me të drejtë të zotit në 1990 u reshtuan kundër regjimit të Tiranës, sot një tjetër regjim kërcënon përditë lirinë dhe dinjitetin e qytetarëve të këtij vendi…” Rama ka shtuar se “regjimi i trajton mësuesit e fëmijëve tanë si të ishin skllevër nëpër mitingjet e jozefinës dhe saliut. Vendet e punës në shtet si lëmosha për pushtetarët. Ata që i shërbejnë shtetit shqiptar i trajtojnë si robër, që s’mund të hapin sytë, as veshët, por vetëm duhet t’i binden. Flet në emër të demokracisë dhe vepron jo në respekt të demokracisë. Askush më shumë se sa shkodranëve të mençur e rebelë mund ta rilindin PD-në duke e çuar në opozitë, duke e çliruar nga kthetrat e oborrit të një pushteti. "Ndasia e ndau Shkodrën dhe e mbajti larg PS-së. Por me votën për PS-në Shqipëria do bëhet e të gjithëve; do t’i përkasë jo vetëm qeverisë, por edhe opozitës, do jetë një Shqipëri e respektit për njëri-tjetrin dhe jo e ndasisë me njëri-tjetrin. PS do të bëjë në Shkodër, Malësi të Madhe dhe Pukë atë që s’është bërë në 20 vjet:, ka theksuar ndër të tjera Rama.
SALIU, KANAKAR I RAMIZ ALISË
Faktin që "jetojmë në një Shqipëri të padrejtë", Edi Rama e ka lidhur me praninë e Sali Berishës në politikë, në krye të vendit. Rama nuk ka harruar të lidhë po figurën e Berishës me një emër veçanërisht të kundërshtuar në Shkodër: me ish-udhëheqësin komunist, Ramiz Alia. "Një kanakar i Ramiz Alisë flet për të djathtën po s’ka asnjë të përbashkët me të djathtën, flet për zhvillimin, por është rrënues i zhvillimit, flet për lirinë, por është dhunuesi më i madh i lirisë. Ata që duan një punë, të nxjerrin pa punë Sali Berishën. Pa larguar Saliun nga puna çdo ëndërr do mbetet një iluzion”.
"JOZEFINA KA TURPËRUAR SHKODRËN"
Teksa Rama ka thënë se 23 qershori është dita kur Shqipëria do të bëjë atë që Shkodra ka bërë kur i ka ardhur në majë të hundës, ai ka kërkuar një votë për Rilindjen; për Mimozën Tomin, Paulinin dhe jo për Jozefinën dhe shpurën e saj, që e ka turpëruar Shkodrën. Rama ka qenë edhe më i ashpër, kur ka thënë se “shkodranët duhet të çlirohen nga një klan vandalësh injorantë”.
PËRKATËSI VIZIONI, JO INTERESI PERSONAL
“Përkatësia në PS është përkatësi ndaj një vizioni dhe jo përkatësi në interesin personal”, ka theksuar Rama. Ai i ka cilësuar zgjedhjetsi betejë me injorancën, me papunësinë, mungesën e lirisë, që këtu është bërë asfiksuese.
RAMA PËR TAKSAT
Nuk ka lënë pa përmendur as në Shkodër të shumëdiskuturarën temë të taksave. Edi Rama ka theksuar se sot një furrë buke paguan më shumë se sa "Hotel Sheraton" në Tiranë, një polic taksohet më shumë se sa ministri i Brendshëm, mësuesi më shumë se sa ministri i Arsimit. Pastruesja e kryeministrisë më shumë se sa kryeministri i vendit.
Redaksia Online
(ma/shqiptarja.com)