Ministrat njëherësh kanë raportuar për planin e punës për çdo dikaster që drejtojnë, shpërndarjen e buxhetit, dhe administrimin e punës në isntitucionet përkatëse.
Vetëm 30 minuta pas përfundimit të mbledhjes, kryeministri i zgjedhur Edi Rama ka komentuar përfundimin e takimit, në rrjetin social “Facebook”, ndërsa është shprehur se do të “shpërblejë me punë të ndershme e të palodhur” besimin e dhënë nga të gjithë qytetarët.
Kryesocialisti shprehet se ndihet i mrekulluar nga përzemërsia dhe besimi i qytetarëve me të cilët është takuar gjatë këtyre ditëve në rrugët e Shkodrës.
“I mrekulluar nga përzemërsia e besimi i qytetarëve që takova në rrugët e Shkodrës. Do t'ua kthej me punë të ndershme e të palodhur për ta!”, shkruan Rama në “Facebook” vetëm 30 minuta për përfundimit të mbledhjes së dytë përgatitore të qeverisë së zgjedhur.
Sërisht, ashtu si dhe pasditen e së hënës, mbledhja e qeverisë është zhvilluar në ambientet e hotel "Coloseo" në qytetin e Shkodrës.
Më herët Rama publikoi foto nga mbledhja e djeshme e kabinetit të ri qeveritar në Shkodër.
RAMA: 300 DITËT E PARA DO PËRCAKTOJNË NATYRËN E QEVERISJES
Mbrëmë në faqen e tij në rrjetin social “Twitter”, Rama theksonte se gjatë këtyre mbledhjeve përgatitore, qeveria e re po vendos piketa të qarta për 100 ditët e para të qeverisjes, si dhe për 300 ditët, që sipas tij “do të përcaktojnë natyrën e qeverisjes”.
Piketa te qarte per 100ditet e para si edhe per 300ditet qe do te percaktojne natyren e qeverisjes dhe cilesine e marredhenies me njerezit.
— Edi Rama (@ediramaal) September 2, 2013
QEVERIA E RE DO KETE ME PAK ZV/MINISTRA E DREJTORE
Përpos programit 100 ditor dhe atij të 300 ditëve të para të qeverisjes, mësohet se gjatë ditës së djeshme është diskutuar dhe në lidhje me auditin ndërkombëtar të financave shqiptare, pas gropës së krijuar nga qeveria në ikje e drejtuar po nga kryeministri në ikje Sali Berisha, shkruan sot gazeta Shqiptarja.com (print).
Ministrat njëherësh kanë raportuar për planin e punës për çdo dikaster që drejtojnë, shpërndarjen e buxhetit, i cili për hir të së vërtetës do jetë shumë i reduktuar, pasi është konsumuar mbi 80% e tij që tani, nga qeveria e Berishës.
Është folur dhe se ku do gjenden financimet për të mbështetur programin e 100 ditëve të para të qeverisjes. Është diskutuar dhe paraqitja e planeve të detajuara për kërkesat për financime, kredi dhe sa janë të nevojshme për të arritur realizimin e këtyre projekteve të qeverisjes së re për çdo ministri dhe masat e forta për të frenuar situatën aktuale në ekonomi, rend, polici, arsim, shëndetësi. Njëherësh kërkesat do të bëhen dhe pjesë e buxhetit të ri i cili pritet të realizohet në tetor të këtij viti.
Për shpërndarjen e financimeve e përdorimin e tyre për çdo ministri, bën pjesë dhe lista e shkurtimeve të posteve të zv.ministrave, drejtorëve dhe këshilltarëve.
Gazetari Jakin Marena, shkruan në artikullin e tij të botuar sot në Shqiptarja.com (print) se ka mësuar se teksa është diskutuar dhe njëherë struktura e të gjitha ministrive është arritur në qëndrimin e përbashkët të kreut të zgjedhur të qeverisë Edi Rama dhe ministrave të kabinetit të ri qeveritar se emërimi i tre zv.ministrave apo deri dhe katër të tillë në një dikaster, gjë që ka ndodhur në kohën e Berishës, është një luks i tepërt në këto kohë krize. Gjithashtu mësohet se edhe dje është diskutuar për hapësirën teritoriale e ndarjen teritoriale që është me rëndësi.
MBLEDHJA E DJESHME ZGJATI 4 ORE
Në mbledhjen e pasdites të së henës që zgjati më shumë se 4 orë, ministrat kanë dhënë mendimet e fundit në lidhje me programin e detajuar të institucioneve që do të drejtojnë.
Ashtu si edhe mbledhja e parë e zhvilluar rreth 2 javë më parë në qytetin e Vlorës, edhe kjo mbledhje e dytë përgatitore në Shkodër, është një mbledhje diskutimesh dhe jo vendimesh, ku mësohet se po i jepet dora e fundit programit të 100 ditëve të para të qeverisë së re, i cili pritet të votohet në seancën parlamentare të 9 shtatorit.
Mbledhja dyditore e qeverisë zhvillohet në Shkodër me kabinetin e ardhshëm një javë para sesionit të ri të Parlamentit.
Mbledhja konsiderohet përgatitore, pasi "de juro" është e pamundur të merren vendime deri në shtator.
Kryesocialisti Rama zgjodhi të përurojë në qytetin e Vlorës, pikërisht aty ku u zgjodh deputet, qeverinë e “Rilindjes Shqiptare” atë që ai e ka cilësuar si programi i 100-vjetorit të dytë të historisë sonë.
(Në foto: Edi Rama me ministrat e rinj gjatë mbledhjes në Shkodër)
Redaksia Online
(Elberta Spaho/shqiptarja.com)