Rama: Shqipëria e Kosova duhet
të jenë histori suksesi në Ballkan

Rama: Shqipëria e Kosova duhet<br />të jenë histori suksesi në Ballkan
“Historitë e suksesit shqiptaro-amerikane” ishte tema në qendër të një takimi miqësor të Kryeministrit Edi Rama në Capitol Hill në Washington, me senatorë, kongresmenë dhe përfaqësues të këtij komuniteti.

Për Kryeministrin Edi Rama, historia e suksesit të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara ka nisur me brezat më të hershëm dhe sot janë frymëzim i përbashkët për ta bërë Shqipërinë dhe Kosovën një histori suksesi europiane.

“Për bashkëkombasit e mi në këtë dhomë dhe jashtë dua t’i them që të punojmë bashkë, që të ruajmë gjuhën tonë, të zhvillojmë kulturën dhe identitetin tonë, të kultivojmë dhe të çojmë përpara trashëgiminë e përbashkët të baballarëve dhe gjyshërve tanë. Le të frymëzohemi nga historitë e suksesit, nga më të mirat tona, për të bërë të mundur që Shqipëria dhe Kosova të jenë një histori suksesi në Ballkan dhe që Ballkani të jetë një histori suksesi në Europë. Europa ka shumë nevojë për një histori suksesi dhe kush tjetër, përveç Ballkanit Perëndimor mund të japë një histori suksesi. Ne jemi e vetmja histori suksesi që mund të shkruajë tani Europa. Le ta bëjmë realitet!“ – u shpreh Kryeministri Edi Rama.

Komuniteti shqiptaro-amerikan u vlerësua një urë e fortë e miqësisë dhe e lidhjes së veçantë mes dy vendeve, me kontribute të vyera në jetën shoqërore amerikane dhe në zhvillimet e 25 viteve të jetës demokratike në Shqipëri. “Ambasadorë të vendit të tyre” i quajti kongresmeni Charles Rangel, duke lëvduar lidhjen e fortë që ata mbajnë me Shqipërinë.   

“Mirë se vini zoti kryeministër. Fjalët që ju ndatë këtu me na bëjnë të gjithë ne amerikanëve që të ndihemi më të fortë, pasi këto janë gjërat në të cilat ne besojmë, si të jemi përkrah miqve tanë kur ata kanë nevojë për ne. Të gjithë shqiptarët në Amerikë janë ambasadorë të vendit të tyre dhe e bëjnë Amerikën të madhe, sepse nuk e harrojnë Shqipërinë dhe nuk duhet ta harrojnë. Pavarësisht gjithçkaje që kemi kaluar, SHBA-të janë një shtet i ri. Ne jemi të fuqishëm, të mëdhenj, të pasur dhe të shëndetshëm, por jemi vetëm 400 vjeç, ndaj kemi nevojë për miq të tjerë, me histori më të pasur, që të jenë në gjendje të bashkohen në rrugën tonë. Ndaj është një nder i madh për Dhomën e Përfaqësuesve që t’ju presim këtu,” – u shpreh kongresmeni Charless Rangel.

Miqësi shumë e veçantë, gati unike, e çmon senatori Mark Kirk, marrëdhënien shqiptaro-amerikane, për të cilën angazhohet të punojë për ta forcuar më tej.    

 “Është një marrëdhënie shumë e veçantë ajo që kemi me Shqipërinë, një mike shumë e mirë. Ishte shumë befasuese për mua kur udhëtova në Shqipëri pashë flamuj që valëviteshin mbi shtëpitë e njerëzve dhe nuk ishte vetëm flamuri shqiptar, por edhe flamuri amerikan që ndodhej në shtëpitë e shqiptarëve në të gjithë vendin. Nuk do të gjeni asnjë vend tjetër në botë që ka aq shumë shtëpi, ku flamuri shqiptar valëvitet përkrah flamurit amerikan. Është një miqësi e veçantë, një miqësi që e çmojmë shumë këtu në SHBA dhe që gjithashtu e çmoj shumë personalisht, ndaj jam i vendosur që të forcojmë këto marrëdhënie të shkëlqyera,” – u shpreh senatori Mark Kirk.

Folësit në takim vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Shtetet e Bashkuara, reformat e brendshme në Shqipëri dhe bashkëpunimin në fushën e sigurisë, si dhe rolin rajonal të Shqipërisë.​


Redaksia online
(s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb