Rama: Patëm boom turistik, në janar ‘mundëm’ edhe aeroportin e Beogradit! Sfidë rritja e pagave

Tirane- Kryeministri Edi Rama komentoi sot bumin turistik që kishte vendi ynë sezonin që lamë pas, duke theksuar se Shqipëria po përjeton një trend pozitiv dhe ka pasur goxha përmirësim pas pandemisë.

Në takimin e Konstituencës së Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar që mbahet për herë të parë në Tiranë, kreu i qeverisë tha se vetëm në muajin janar Shqipëria ka pasur rreth 500 mijë turistë. Rama thotë se aeroporti i Rinasit ia ka kaluar me shifra muajin që lamë pas edhe shumë aeroporteve të tjerë, duke përmendur këtu edhe atë të Beogradit.

“Menjëherë pas pandemisë numrat e turistëve po rriten dhe Shqipëria dhe aeroporti e shohim që po përjeton një trend pozitiv. Rinasi ka qenë i renditur i pari në Europë sa i takon nivelit të rimëkëmbjes pas pandemisë. Ne jemi renditur në vendin e tretë në rang botëror nga Organizata Botërore e Turizmit sa i takon rritjes së turizmit vitin e kaluar. Të tretët pa patur ndonjë aktivitet të veçantë si Kupa e botës, një arritje e madhe për të ecur para. Në janar kemi pasur afro 500 mijë turistë dhe aeroporti ynë ua ka kaluar dhe shumë aeroporteve të tjera, edhe të Beogradit dhe në vetëm sa mund të përfytyrojmë se si do jetë sezoni i ardhshëm, ku shumë italianë kanë ardhur në bregdetin shqiptar”, tha kreu i qeverisë.

Për kreun e qeverisë, sfidë mbetet rritja e mëtejshme e pagave. I njëjti mesazh u dha edhe nga guvernatori Sejko, i cili shtoi se ekonomia duhet të orientohet drejt inovacionit.

“Në të njëjtën kohë jemi të inkurajuar nga shifrat që kemi për punësimin dhe papunësinë, ndonëse sfidë mbetet rritja e mëtejshme e pagave, që të frenojë konkurrencën e ashpër që po bëhet gjithnjë më e fortë nga vende të përparuara që kërkojnë fuqi punëtore”, tha Rama.

“Prej kohësh tashmë, rritja e ulët e produktivitetit, efektet e plakjes së popullsisë dhe kufizimet e fuqisë punëtore, po bëhen faktorë gjithnjë e më të rëndësishëm në zhvillimin e ekonomive të Konstituencës sonë. Po ashtu, fragmentimi gjeopolitik dhe efektet e ndryshimeve klimatike, po shndërrohen në sfida të së tashmes”, u shpreh Sejko. 

Në mesin e pasigurive shkaktuar dhe prej konflikteve gjeo-politike, ekonomia e vendit tha Ministri i Financave ka pasur ecuri pozitive.

“Borxhi ra në 59.2 % që është niveli më i ulët, vendi me uljen më të shpejt të borxhit në rajon”, u shpreh Mete.

Në takim u vu theksi edhe tek sektorët ku duhet të përqendrohet vëmendja e institucioneve në vijim. 

“Ne duhet të sigurojmë stabilitet ekonomik e financiar, të krijojmë ekonomi më eficiente, novatore e gjithëpërfshirëse, si dhe të investojmë në revolucionin e gjelbër dhe atë digjital”, pohoi Sejko.

Edhe Drejtori ekzekutiv të FMN dhe i Bankës Botërore, u fokusuan në fjalën e tyre tek sfidat me të cilat po përballen ekonomitë si luftërat dhe konfliktet, rritja e fatkeqësive natyrore apo shtimi i varfërisë, si dhe do të diskutohet mbi hapat që po ndërmerren për të kapërcyer këto probleme.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:48
Sejko: Në 2023 Shqipëria mirëpriti rreth 10 mln vizitorë, u ngjit në vendin e tretë në botë me rritjen më të shpejtë të turizmit

 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko gjatë fjalës së tij në takimin e Konstituencës së përbashkët në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore, tha se Shqipëria mirëpriti rreth 10 milionë vizitorë, duke u ngjitur në vendin e tretë në botë për rritjen më të shpejtë të turizmit dhe duke regjistruar – për herë të parë në historinë e vet – suficit të llogarisë korrente.

Sejko tha se duhet të çojmë para luftën kundër inflacionit. Më tej Sejko shtoi se plakja e popullsisë, kufizimet e fuqisë punëtore, po bëhen faktorë gjithnjë e më të rëndësishëm në zhvillimin e ekonomive të Konstituencës sonë. Po ashtu, shtoi Sejko, fragmentimi gjeopolitik dhe efektet e ndryshimeve klimatike, po shndërrohen në sfida të së tashmes.

'Viti 2023 u mbyll me një rritje ekonomike rreth nivelit 3.5%, me një normë papunësie në minimumet e veta historike, si dhe me një borxh të huaj, borxh publik dhe tregues të kredive me probleme, poshtë niveleve që kishin përpara goditjeve. Në veçanti, inflacioni u përgjysmua gjatë vitit të shkuar, duke zbritur në nivelin 4%, ndërsa treguesit e shëndetit të sektorit bankar mbeten pozitivë. Një surprizë e vitit 2023 ishte rritja e interesit të të huajve për vendin tonë. Shqipëria mirëpriti rreth 10 milionë vizitorë, duke u ngjitur në vendin e tretë në botë për rritjen më të shpejtë të turizmit dhe duke regjistruar – për herë të parë në historinë e vet – suficit të llogarisë korrente. Gjithashtu, viti 2023 është në rrugë të mbarë për të qenë viti me nivelin më të lartë të investimeve të huaja direkte, duke dëshmuar edhe njëherë atraktivitetin e Shqipërisë si destinacion investimi.

Banka e Shqipërisë ka dhënë kontributin e saj në këtë histori suksesi. Ne kemi adresuar në kohë rritjen e inflacionit, duke nisur rrugën e një normalizimi gradual dhe të kujdesshëm të qëndrimit të politikës sonë monetare. Në koherencë të plotë me të, mbikëqyrja dhe rregullimi i kujdesshëm i sektorit bankar dhe investimi i vazhdueshëm në zhvillimin e sistemit të pagesave, në inovacionin dhe digjitalizimin e shërbimeve financiare, kanë kontribuuar në zhvillimin e sektorit financiar dhe forcimin e stabilitetit të vendit.

Perspektiva e Shqipërisë mbetet pozitive. Megjithatë, eksperienca e viteve të fundit na ka mësuar se goditjet e sfidat, sado të largëta të duken, nuk do të mungojnë as në të ardhmen. Në këtë pikë, më lejoni ta zgjeroj disi optikën e diskutimit. Prej kohësh tashmë, rritja e ulët e produktivitetit, efektet e plakjes së popullsisë dhe kufizimet e fuqisë punëtore, po bëhen faktorë gjithnjë e më të rëndësishëm në zhvillimin e ekonomive të Konstituencës sonë. Po ashtu, fragmentimi gjeopolitik dhe efektet e ndryshimeve klimatike, po shndërrohen në sfida të së tashmes.

Por, çfarë nënkuptojnë këto sfida për ne si politikëbërës? Përgjigjja është sa e drejtpërdrejtë aq edhe komplekse: ne duhet të sigurojmë stabilitet ekonomik e financiar, të krijojmë ekonomi më eficiente, novatore e gjithëpërfshirëse, si dhe të investojmë në revolucionin e gjelbër dhe atë digjital. Më lejoni të jem disi më konkret.

Së pari, si banka qendrore, ne duhet të çojmë deri në fund luftën kundër inflacionit. Trendi rënës i tij është lajm i mirë, por një inflacion në rënie nuk është një inflacion në objektiv. Prandaj, bankat qendrore duhet të vijojnë të fokusohen në marrjen e masave të nevojshme për kthimin e inflacionit në objektiv, si parakusht për rritjen e qëndrueshme të ekonomive dhe të mirëqenies së qytetarëve.

Së dyti, ne duhet të këmbëngulim për të rindërtuar në kohë hapësirat fiskale, në mënyrë që të jemi sa më të përgatitur për përballimin e goditjeve të ardhshme.

Së treti, politikat financiare duhet të vazhdojnë të kenë një fokus të dyfishtë: nga njëra anë, incentivimin e progresit financiar në funksion të rritjes së eficiencës dhe, nga ana tjetër, trajtimin e hershëm të rreziqeve ndaj stabilitetit financiar, nëpërmjet një rregullimi e mbikëqyrjeje të kujdesshme.

Së fundi, politikat strukturore duhet të orientohen gjithnjë e më shumë drejt nxitjes së rritjes të qëndrueshme. Në kontekstin botëror dhe evropian, përballë një realiteti kompleks gjeopolitik, ne duhet të punojmë për të ruajtur – për aq sa është e mundur – integrimin ekonomik dhe tregjet e lira të produkteve, të punës e të kapitalit, si një proces i cili ka sjellë progres të dukshëm për të gjithë aktorët e përfshirë. Paralelisht me to, reformat e brendshme strukturore duhet të fokusohen në përkrahjen ndaj inovacionit, në trajnimin dhe rikualifikimin e vazhdueshëm të fuqisë punëtore, si dhe në stimulimin e tranzicionit të gjelbër dhe të revolucionit teknologjik. Ndërkohë, vendet në zhvillim si Shqipëria, duhet të fokusohen në mbylljen e boshllëqeve të investimeve në infrastrukturë dhe në krijimin e një ambienti sa më stimulues për nxitjen e investimeve të brendshme dhe atyre të huaja.'- tha Sejko.

 

Ora 09:47
Rama: Deri në 2030 synojmë ta kthejmë Shqipërinë në eksportuese neto të energjisë

 

Kryeministri Edi Rama thotë se synon që ta kthejë Shqipërinë në eksportuese neto të energjisë deri në vitin 2030. Në takimin e Konstituencës së Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar që mbahet për herë të parë në Tiranë, kreu i qeverisë se pavarësisht krizës energjetike që përfshiu globin, Shqipëria ndërmori reforma dhe mbrojti familjet duke mos ua rritur çmimin e energjisë.

"Mund të jeni në dijeni për reformën që kemi ndërmarrë, ja kemi dalë që të kemi një situatë të qëndrueshme dhe të mos e rrisim më çmimin e energjisë ndonëse kemi qenë të sfiduar nga kriza globale e energjive, në veçanti kriza e çmimeve të energjisë në Europë. Synimi është ta kthejmë Shqipërinë në eksportuese neto të energjisë deri në 2030, prandaj jemi duke investuar në burimet e energjisë nga era dhe dielli dhe të jemi një vend ku prodhimi i energjisë elektrike të jetë 100% i rinovueshëm", tha Rama. 

SI.E./S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 17/02/2024 00:25

    Ama me aeroportin e Beogradit ben rivalitet! Kur te jesh barazuar me ate te Kroacise e ate te Athines,atehere flasim!

    Përgjigju
    • Qytetari lumtur: 17/02/2024 13:21

      Pse e ve ne dyshim ti qe do ja marim Kroacis dhe Greqis ne!!!!Sa te kemi Kosovaret qe vine me speca me gjize me vete dhe mijra qytetare shqiptar me pasaporte te huaj do ua fusim dhe atyre

  • Kur: 16/02/2024 14:17

    Na thuaj Kur do e kthesh Shqipërinë në importuese të çdo gjëje? Se eksportuese po i eksportojmë të gjitha.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Avioni me 67 persona në bord dyshohet se u godit nga rusët, vetëm 28 mbijetuan

Kazakistan/ Avioni me 67 persona në bord dyshohet se u godit nga rusët, vetëm 28 mbijetuan