TIRANË, 28 Qershor/ATSH-Almarina Gegvataj/- Shqipëria nuk është një vend mysliman, por një vend evropian", deklaroi mbrëmjen e të shtunës, Kryeministri Edi Rama ndërsa e ka nisur fjalën e tij në aktivitetin festiv në Pallatin e Brigadave me rastin e marrjes së statusit, duke uruar të gjithë besimtarët myslimanë për muajin e Ramazanit.
Në fjalën e tij, Rama tha se "Shqipëria nuk ka vuajtur pak, prej të vështruarit dhe të treguarit të saj si vend mysliman, në ekranet dhe gazetat perëndimore të kontinentit tonë pa llogaritur këtu europianët antieuropianë, të cilët prej vitesh i kanë kthyer myslimanët në gogolë për të ushqyer frikën në barkun e zgjedhësve të tyre të çoroditur".
Por nga ana tjetër, shtoi ai, vetë Shqipëria nuk ka ditur dot t'i tregojë asaj ane të kontinenti që ky i yni, nuk është një vend mysliman por një vend evropian ku jetojnë në paqe myslimanë dhe të krishterë, të cilët e shohin prej kohësh Europën si destinacionin e tyre dhe e besojnë ende fuqimisht atë si identitetin e tyre.
Rama vijo duke theksuar se "shqiptarët, kanë qenë dhe mbeten besimtarët më të bindur të Evropës në Ballkan ashtu sikundër jemi të tërë si shqiptar aleat strategjik dhe të palëkundur të SHBA-ve dhe BE-së në këtë rajon, ku Shqipëria nuk ka pushuar së qeni asnjë cast një faktor paqeje e stabiliteti".
Sipas tij, në erën e re që ka filluar të fryjë në Ballkanin e sotmë, shqiptarët kanë një rol historik të pamohueshëm, dhe nëse sot 100 vjet nga shpërthimi këtu në rajonin tonë i Luftës së Parë Botërore, dhe më pas 100 vjetë luftërash, me konflikte të tmerrshme në mes të Europës, ky është viti i parë pa asnjë konflikt në Ballkan që u detyrohet pa asnjë dyshim, të një mase të konsiderushme, shqiptarëve.
Më tej, Kreu i Ekzekutivit theksoi se "mjafton të shohësh sot, shqiptarët mbeten garant të mëdhenj të paqes dhe stabilitetit në rajon, edhe pse, as marrëveshja e Ohrit dhe as marrëveshje me Serbinë,  nuk respektohen nga palët e tjera me të njëjtin respekt që trajtohen nga shqiptarët".
Duke vënë në dukje faktin se krimi dhe korrupsioni janë probleme të rënda për ne si për çdo vend me zhvillim të vonuar, ku shteti është larg së qënit garant i funksionimit shoqëror dhe drejtësia është larg së qëni drejtësi, Rama tha se zhbërja e refleksit të kushtëzuar, a thua se kjo tokë është vendlindja e krimit global, duhet të jetë prioritet i qeverisë, por i mbarë shoqërisë".vijon...