Rama shtron Iftar: Betejën për
drejtësinë do ta çojmë deri në fund

Rama shtron Iftar: Betejën për<br />drejtësinë do ta çojmë deri në fund
Kryeministri Edi Rama ka shtruar Iftar mbrëmjen e kësaj të premteje, për muajin e Shenjtë të Ramazanit. Nga oborri i Kryeministrisë, Rama vlerësoi sakrificën e myslimanëve gjatë 1-muaji të argjerimit të përvitshëm. 

"Secilit prej jush i është dhënë një ligj dhe metodë. Nëse Zoti do të kishte dashur do tu kishte dhënë të gjithëve të njëjtën mendje, por në çka ju jep ai do t’ju sprovojë prandaj rivalizoni në mirësi dhe drejtësi dhe vetë ai do tu thotë ku qëndron dallimi mes jush. Mes atyre që duhen dhe dinë të shkojnë në thelb të drejtësisë dhe mes atyre që e kanë këtë fjalë në gojë dhe jo ndër vepra qëndron dallimi i madh i mënyrës sesi zbatohen gjyqësia dhe kujt i jepet si barrë dhe si privilegj unik", tha Rama në çelje të Iftarit. 
 
Kreu i qeverisë ceku edhe disa prej zhvillimeve politike brenda dhe jashtë vendit. Duke u ndalur konkretisht tek vota e britanikëve për të dalë jashtë BE, Rama tha se ky ishte fundi i një martese jo të lumtur. 

"Sot përfundoi martesa jo e lumtur e Britanisë së Madhe me Bashkimin Europian", u shpreh Kryeministri Rama. Pavarësisht daljes së britanikëve, kreu i qeverisë theksoi se Shqipëria ka vetëm një objektiv, anëtarësimin në Union. "Shqipëria ka një rrugë të vetme, atë drejt Bashkimit Europian. Të kemi shtet të së drejtësisë pavarësisht se si do të jetë fati i BE-së nesër", tha Rama. "Nuk do isha i bindur në Po-në time nëse sot do ishim vetëm, por nuk jemi vetëm. Dhe pavarësisht si ka përfunduar sot martesa asnjëherë e lumtur e Britanisë së Madhe me BE, e cila që në krye të herës pati qenë një krushqi goxha e vështirë, për ne shqiptarët është fat i historisë të jemi sot bashkë me BE në rrugëtimin e mundimshëm për të ndërtuar një drejtësi të drejtë. Për ne, Shqipërinë, kjo drejt BE nuk është rruga e një shteti solid siç ishte Britania e Madhe kur ju bashkua Europës politike, është rruga e një populli që vetëm përmes kësaj rruge mund të ndërtojë një shtet solid", deklaroi Rama.

Pavarësisht vendimit të britanikëve, Shqipëria, tha Rama, do të vijojë rrugën e saj drejt integrimit në BE. "Ky është në thelb dhe dallimi mes Shqipërisë që kemi sot dhe asaj që mund të kemi nesër falë rrugës së mundimshme, por të vetmes rrugë drejt BE. Unë hyj ndër ata që besoj fort se rruga në këtë rast është mishërimi i qëllimit tonë të madh për të pasur dhe ne më në fund një shtet të vërtetë të së drejtës pavarësisht se cili do të jetë fati nesër i BE, çka nuk është në dorën tonë.

Duke u ndalur tek aktualiteti politik shqiptar, kryeministri Rama u zotua se reforma në sistemin e drejtësisë do të çohet deri në fund. "Është fat për Shqipërinë që të jetë bashkë me BE-në për reformën në drejtësi. Beteja për drejtësi të paanshme e të paprekshme ia vlen të çohet deri në fund. Ne duhet të pastojmë vendin tonë përmes kësaj reforme", deklaroi Rama. 

Rama nuk kurseu kritikat për gjyqtarët, ku teksa listoi llojet e gjyqtarëve, ai tha se sot në Shqipëri “drejtësia ka fytyrën e gjykatësit që një ditë ja kushton punës mbrapsht dhe një ditë numërimit nga e para të parave që i shtohen duke përfituar nga padrejtësia”. "A është e mundur një drejtësi e drejtë në këtë Shqipërinë tonë dhe a mund të kthehet dëshira kaq e etur e popullit tonë sot në një realitet të mundur me drejtësi? Beteja për drejtësinë e paanshme dhe të paprekshme, beteja për gjykatësit e denjë është e vetmja që në çdo kohë ja vlen të çohet deri në fund cilatdo qofshin sakrificat dhe lerë më pastaj çmimi politik që ajo betejë mbart. Haditet e Profetit na përcjellin dhe një mësim shumë të bukur për gjykatësit: Gjykatësit janë tre llojesh, një që shkon në amëshim dhe dy që shkojnë drejt flakëve.Ai që është në amëshim është gjykatësi i së vërtetës dhe që ka gjykuar me vërtetësi.Ai që ka njohur të vërtetën dhe qëllimisht ka anashkaluar shkon drejt flakëve. Ai që ka dhënë gjykim mes njerëzve pa kuptuar se çka bërë shkon drejt flakëve.I pyetur pse ky i mjeri që ka gabuar nga injoranca shkon drejt flakëve, Profeti përgjigjet qartë: Sepse gjykoi pa njohur dhe pa u munduar të njohë. Gjykatësi, thotë Profeti, duhet ti kushtojë një ditë punës dhe një ditë lotëve, për barrën që ka. Ndërsa sot në Shqipëri drejtësia ka fytyrën e gjykatësit që një ditë ja kushton punës mbrapsht dhe një ditë numërimit nga e para të parave që i shtohen duke përfituar nga padrejtësia. Ndërkohë që njerëz të zotë dhe të ndershëm në sistemin e drejtësisë përçmohen dhe pengohen të kryejnë punën e tyre, të ngjisin shkallët sipas meritës së tyre dhe mbeten të penguar dhe të përçmuar duke lëpirë lotët e hidhur të poshtërimit", tha Rama.

Kreu i qeverisë e mbylli fjalën e tij duke cituar një nga kalifët më shembullorë Omar Abdel Azizi, i cili i dërgonte porosinë Guvernatorit të qytetit të Homsit në Siri, kur ky i ankohej se fortifikimet ishin të brishta. "Ja çfarë i thotë Kalifi, ndërkohë që Guvernatori i ankohej për infrastrukturën: Përforcoje qytetin tënd nëpërmjet drejtësisë, pastro rrugët dhe rrugicat e tij nëpërmjet rendit dhe sigurisë dhe kështu paqja qoftë me ty. Kush ka veshë dhe do të dëgjojë, dëgjon.Kush ka sy dhe do të shikojë, shikon. Dhe kush e ka një Zot të cilin e pyet përmes çfarëdo feje apo çfarëdo rruge të gjetur vetë brenda vetëvetes le të luftojë për ta përforcuar vendin tonë përmes drejtësisë, për t'i pastruar rrugicat tona nëpërmjet rendit e sigurisë që krijon bashkëjetesa jonë në drejtësi dhe për t'i dhënë oborrit të fëmijëve tanë paqen e një vendi të drejtë me njerëzit pavarësisht besimeve, statusit të tyre social apo gjinisë së tyre", përfundoi Rama.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Brentford rekord unik, shënon në tre ndeshje radhazi brenda minutës së parë

Brentford rekord unik, shënon në tre ndeshje radhazi brenda minutës së parë