Edi Rama midis dy janareve. E keni ndjekur videon dje në TV klan?
Nuk kam asnjë dijeni dhe injoroj të gjitha këto gjëra bashkë me të gjithë ata që merren me këto, e vetmja instancë që merret është ajo nga prokuroria, që ka detyrimin ligjor e kushtetues të hetojë. Ritheksoj se në Shqipëri duhet të marrë fund kultura e pandëshkueshmërisë dhe e përbaltjes së gjithçkaje dhe gjithkujt.
Të humbasësh zgjedhjet pas Gërdecit, 21 janarit, apo videos, si e mendoni?
Përsëris për të pafundmen herë, se pas Gërdecit pas 21janarit etj nuk humbëm zgjedhjet, por u vodh nga qeverisja e dështimeve dhe manipulimeve. Unë nuk do të hyjë në diskutimin 10 apo 10 mijë vota përsëri. Në fund të fundit demokracia është votë e lirë që materializohen në një proces numërimi që ska kusht sa është diferenca, ai që ka një votë më shumë është fituesi.
Akuzoni se nuk dini të sillni PS në pushtet, do ishte më mirë të ndanit pushtetin në 2009?
Ne nuk patëm mundësi të negocionim asgjë, pasi u krijua një shumicë mes atyre që vodhën votat për të vjedhur Shqipërinë, dhe hynë në koalicion për të vjedhur.
Shpresa juaj është një pol i tretë i Topit?
Në Shqipëri fliten shumë gjëra. Ne jemi të fokusuar për të komunikuar intensivisht me shqiptarët vizionin tonë, programin tonë për të qeverisur krejt ndryshe, për një ndryshim radikal duke filluar nga qeverisa që duam ta transformojnë në përmbajtje dhe në formë. Se çfarë ndodh në anën tjetër të fushës politikë, nuk është as projekti ynë dhe as interesi ynë. Në të djathtën ka një krizë të thellë morale, zhytje në llum dhe padyshim ka individë dhe forca që synojmë ti japin një alternative të ndryshme për qëllimet e arsyet e tyre. Topi është president, e kam thënë dhe e përsëris, është një president që rezultoi në përfundim të mandatit të tij si një figurë që mbajti distancë nga të dyja palët. Ne mund të bëjmë shumë vërejte për presidentit, por nuk themi dot se ishte kukull e qeverisë. Nëse ai ka një projekt politik që ta vërë në jetë, ky është një projekt i djathtë. Nuk lidhet me programin dhe projektin e PS dhe aleatëve.
Përjashtoni kategorikisht bashkëpunimin me Metën?
Ne do të bashkëpunojmë me të gjitha forcat politike që duan Shqipëri tjetër e qeverisje tjetër dhe rezultate krejt ndryshe, dhe për ta bërë këtë bërë këtë ne nuk mund të bashkohemi me ata që janë pjesë e problemit
Gjykata e nxori të pafajshëm!
Ju e besoni, urime për verbërinë, por unë nuk besoj në të tilla vendime pastaj do të duhej të mos besoja dritën syve të mi. Shqiptarët janë të mençur dhe e kuptojnë se kjo është një tallje e madhe.
Keni ushtruar presion ndaj prokurorisë?
Që të thuash që opozita të ushtron presion mbi drejtësinë do të thotë të thuash një tjetër broçkull të madhe, sepse opozita është sot një viktimë e drejtësisë. Është viktimizuar kur ka adresuar shqetësime të mëdha, por dhe kur është ballafaquar me banda gjykatësish të korruptuar që kanë marrë përsipër të ndëshkojnë deputetët e opozitës kur kanë thënë të vërteta në kuvend.
Cfarë do të jetë nesër (sot) homazh apo revoltë?
Nesër (sot) do jetë homazh në traditën më të mirë shqiptare, respektim, nderim përulje përpara dëshmorë dhe familjeve të tyre, si në cdo përvjetor të një humbjeje tragjike, kur shqiptarët të gjenden pranë njëri tjetrit. Do ftoja të gjithë që revoltën e brendshme ta kyçnin brenda për të ardhur nesër (sot) në homazh me një lule dhe për të dëshmuar me praninë e tyre që pavarësisht se gjithçka po vonon, është aty dhe shumë shpejt do ta gjejë rrugën e vet, sic e gjen gjithmonë rrugën një komb që nuk tërhiqet nga rruga.
ah/Shqiptarja.com/