Në intervistën ekskluzive për gazetën “Shekulli”, Rama sqaron edhe pozicionin e PS-së për çështjen e imunitetit, që është kthyer në kalë beteje për propagandën e qeverisë, sikurse komunikon për opinionin e gjerë një mesazh domethënës: ndryshimin në vitin 2013, qytetarët nuk duhet ta presin vetëm nga PS-ja. "Nëse shoqëria e kërkon realisht ndryshimin, gjithkush duhet të marrë përgjegjësinë thelbësore të pjesëmarrjes në zgjedhje. Barazimi i opozitës me qeverinë, kartë mbijetese për Saliun ", thekson kreu i PS-ë.
INTERVISTA E PLOTE
Z. Rama pyetja e parë lidhet me çështjen e SHISH-it dhe ndryshimin e drejtorit të tij. Ju kishit dijeni për këtë që ndodhi?
Asnjë dijeni. Por më e rënda është se për këtë ndryshim të beftë s’u vunë në dijeni as aleatët tanë të mëdhenj strategjikë. Interesi i posaçëm i tyre për mbarëvajtjen dhe pavarësinë e punës së shërbimit sekret shqiptar është fakt botërisht i njohur. Është gjithaq i njohur edhe kontributi i paçmueshëm i tyre për transformimin në këto vite të Shërbimit Informativ nga një polici sekrete zullummadhe deri në vitin ‘97, në një shërbim inteligjent partner për sigurinë kombëtare e globale, me reputacion mjaft të mirë në kuadrin e vendeve të NATO-s. Por është po ashtu i njohur edhe shqetësimi i hapur i qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe i vetë NATO-s disa kohë më parë, kur kryeministri shqiptar shfaqi një ngulm të papërligjur për ndryshimin e ligjit për këtë shërbim. Ja pse fakti që një President i Republikës së Shqipërisë, ende pa u ulur në tryezën e punës e me kurrizin kthyer nga aleatët e mëdhenj, ngutet të bëjë këtë ndryshim strategjik, flet qartë qoftë për rënien e Presidencës së Republikës në nivelin e një ministrie nën urdhrat e kryeministrit, qoftë për përshkallëzimin e uzurpimit të shtetit për hesapet vetjake të Saliut.
Çfarë parashikoni se mund të vijë në të ardhmen me këtë zhvendosje të balancës së pushtetit në Shqipëri ku sigurisht një vlerësim specifik për shqetësimin që sjell ndryshimi në SHISH do të ishte i nevojshëm?
Ndryshimi në SHISH është vetëm një tjetër simptomë e sëmundjes së rëndë që po e degradon krejt edhe atë copë shtet shqiptar që ekzistonte përpara rikthimit të Saliut në krye të vendit. Padyshim që simptoma të tilla janë një apel i vetvetishëm që vjen duke u intensifikuar për reagim të fortë popullor në funksion të rrotacionit politik. Rrotacioni politik do të kthente vetiu disa ekuilibra elementarë për ekzistencën e një republike kushtetuese. Por sidoqoftë koha e jashtëzakonshme që po bjerret me këtë rrënim të ri, të ftohtë, të shtetit si edhe kostot e mëdha morale e financiare të këtij rrënimi janë të pakthyeshme.
Shumëkush ju bën juve vetë dhe opozitën fajtorë për zgjerimin e pushtetit të kryeministrit pas ndryshimeve kushtetuese. Sa përgjegjësi ndjeni ju për çfarë po ndodh falë pushtetit që ju i shtuat kryeministrit duke menduar ndoshta se do të ishit vetë në vendin e tij?
S’di në historinë e pluralizmit shqiptar ndonjë rast kur lideri i njërës prej dy partive të mëdha të ketë pranuar publikisht një gabim, përveç rastit kur unë kam pranuar se gabuam duke u ngutur për një pjesë të atyre ndryshimeve. Pra kam marrë një përgjegjësi publike duke e parë në sy çdo shqiptar, e në këtë pikë shoh një dallim të madh mes meje e opozitës së sotme dhe palës tjetër në pushtet që s’ka marrë kurrë një përgjegjësi publikisht edhe pse çfarë nuk u ka punuar Shqipërisë e shqiptarëve pas shpine. Qoftë edhe ky fakt i thjeshtë e provon se s’jemi gjëkundi njësoj, teksa jetojmë në një kohë kur është bërë modë të thuhet se të dyja palët janë njësoj. Së dyti, ndjesë, por e neveris opinionin e ngritur pikërisht mbi këtë modë, se këto ndryshime unë i mbështeta për të marrë më shumë pushtet kur të bëhesha vetë kryeministër. Në asnjë mënyrë jo! Ndryshimin e zgjedhjes së Presidentit për shembull, e morëm nga disa kushtetuta të vendeve më demokratike të Bashkimit Europian. E vërteta është se u ngutëm, duke harruar se çka e bën Kushtetutën të funksionojë normalisht në ato vende nga ne u frymëzuam, nuk është gërma, po është vetëdija demokratike që këtu tek ne i mungon totalisht gjysmës së Parlamentit për shkak të Saliut e të partisë së tij. Dhe së fundi, fakti që çka është shkruar në Kushtetutë nga të dy palët, Saliu e përdor për të uzurpuar pabesisht shtetin, nuk ka se si t’i bëjë fajtorë edhe qeverinë edhe opozitën. Kjo e fajësimit të dy palëve njëlloj është njësoj si ta presësh ndryshimin të të vijë në shtëpi e të të thotë: Çohu tani të dalim se unë erdha!
Z. Rama, në disa veprime të Kryeministrit vihen re disa nuanca provokimi, qoftë të opozitës, qoftë edhe të opinionit publik. Sidomos me emërimet e njerëzve të afërt në krye të institucioneve e agjencive shtetërore, ku ai i shefit të SHISH-it përbën një lloj kulmi. Por nëse trajektorja e vënies nën kontroll të shtetit po mbyllet, mund të themi se më të keqen po e kalojmë tani dhe shoqëria duhet të shpresojë ndryshimin në zgjedhje?
Një shoqëri që e pret ndryshimin duke ndenjur në shtëpi është e dënuar të presë gjatë. Shoqëria jonë për dhjetë muaj është e thirrur prej Kushtetutës që të dalë nga shtëpia dhe të zgjedhë çfarë do: sigurinë e rrënimit të mëtejshëm apo mundësinë për një Rilindje Shqiptare? Kush thotë s’dal të votoj se asgjë nuk do ndryshojë, thjesht zgjedh rrënimin e vet të mëtejshëm ekonomik e social. Kush mendon se s’është njësoj e se nuk meriton të jetojë po njësoj edhe katër vjet të tjera, duhet t’i japë vetes dhe këtij vendi kontributin e vet me një votë për ndryshimin. E lejomëni t’ju them se pa pikë dyshimi ne jo vetëm s’jemi njësoj, po dallojmë qartë në shumëçka, në vizion, në program, në komunikim dhe në fund të fundit në faktin e thjeshtë se ne duam një Shqipëri ku të gjithë të jetojnë më mirë. Ndërsa Saliu nuk e fsheh më as vetë se qëllimi i tij është të sundojë mbi të gjithë, për të përfituar sa më shumë familja e klani i tij.
E keni quajtur Presidentin një shërbëtor të Kryeministrit. Për kujtesë edhe me Bamir Topin e nisët keq komunikimin, por më tej gjërat ndryshuan. Mendoni se jeni nxituar; fundja shefi i SHISH-it u lëviz pas 7 vjetësh në detyrë dhe brenda kornizës ligjore?
Me Bamir Topin nuk kam nisur keq asnjë komunikim; kam komunikuar normalisht që ditën e parë që i kam shkuar në zyrë. Por sot e gjithë ditën u qëndroj një për një të gjitha atyre që kam thënë për mënyrën se si ai u zgjodh për të shkuar në atë zyrë. Sa për Presidentin, ai është fatkeqësisht nishani i kryeministrit mbi drejtësinë e mbi shërbimin sekret. Këtë s’e them unë, e thonë faktet që vetë Presidenti na dha publikisht me një ngut krejt të paarsyeshëm që kishte vetëm një motiv: Shërbimin e përgjunjur për kryeministrin në kohën e kërkuar nga ky i fundit!
Z. Rama shumica po e mban të hapur debatin për imunitetin duke ushqyer propagandën se opozita po minon statusin e vendit kandidat për në BE. Mund të sqaroni thjeshtë qytetarët se si është e vërteta?
Kjo është një marrëzi që sot mund ta kokën e Saliut dhe flasin me fjalët e Saliut. Asnjë shqiptar tjetër s’ka sesi beson këtë marrëzi. Ne kemi bërë për integrimin europian vitin e fundit aq sa s’është bërë nga të tëra partitë opozitare të marra së bashku në njëzet vjet. Kemi marrë kostot politike të ditës. Kemi pranuar mungesën e mirëkuptimit të jo pak mbështetësve tanë dhe kemi dëgjuar me mirëkuptim, unë i pari, kritika e shpoti sa të duash për “butësinë tonë ndaj gjakatarit Sali” siç e quajnë atë rëndom jo pa të drejtë të revoltuarit e shumtë në këtë vend. Kemi ulur tonet dhe votuar një legjislacion të tërë kompromisi për hir të ecurisë së këtij procesi, madje duke mos e ngritur zërin sa do të duhej në momente të caktuara për ndonjë çështje të caktuar. E kemi bërë vetëm dhe vetëm me një synim madhor: Statusin e kandidatit për Shqipërinë këtë vjeshtë! S’është opozita që pengon marrjen e statusit, po është Saliu që synon t’ia hedhë me çdo kusht fajin e opozitës për dështimin e mundshëm me statusin. E dështimi nëse vjen për herë të tretë, nuk do të vijë se ne nuk e votuam kufizimin e imunitetit në 6 gusht, po sepse siç e tha vetë Komisioneri Fule “ende s’janë plotësuar 12 prioritetet e vendosura nga Bashkimi Europian për Shqipërinë”. Ndërkohë që po ta donte votën tonë për imunitetin, kryeministri duhet të mos e bllokonte diskutimin për të gjitha ndryshimet kushtetuese që ne kemi propozuar. Por atij nuk i intereson konsensusi me opozitën për Kushtetutën, por fajësimi me çdo kusht i opozitës për statusin. Pra është e qartë se bllokuesi i projektit të Shqipërisë Europiane është Saliu, i cili e do Shqipërinë për vete jashtë çdo kontrolli apo ndërvarësie institucionale me këdo qoftë, brenda apo jashtë vendit! Dhe tallet kaq keq me shqiptarët sa arrin të thotë se opozita po bllokon hapjen e vendeve të punës, rrugën e luftës me varfërinë, ndihmën ekonomike për të varfërit, punën me tunelin e Elbasanit, madje edhe vetë referendumin për imunitetin! Tallet sepse fatkeqësisht gjen veshë që e dëgjojnë deri edhe për rekordet imagjinare në një “sport” krejt qesharak, siç është qëndrimi sa më gjatë në ujë duke u llokoçitur këmbadorazi… Tallet me shqiptarët e tulatur prej rënies ekonomike, padrejtësisë e pasigurisë, ndërkohë që në asnjë vend normal demokratik ky lloj kryeministri s’do mund të rrinte dot mbi ujë asnjë ditë të vetme.
Barazimi i opozitës me qeverinë, kartë mbijetese për Saliun
Po hyjmë në një vit elektoral dhe natyrshëm përveç luftës me kundërshtarin lind edhe rivaliteti i brendshëm. Si paraqitet situata në PS-ajo e vërteta- dhe a keni skicuar në mendje një ekip bashkëpunëtorësh me të cilët do të hyni në këtë sfidë?
Partia Socialiste nuk vjen nga një periudhë rrugëtimi mbi një fushë me lule, po nga një rrugë jashtëzakonisht e vështirë trevjeçare në opozitë me një qeverisje të kthyer në regjim. Janë tre vite mundi e sakrificash të mëdha për të qëndruar drejt në emër të asaj që ne përfaqësojmë, në kushtet kur e gjithë ngrehinë e rezistencës së shoqërisë ndaj pushtetit është thuajse shpërbërë krejtësisht vit pas viti. PS-ja ka qëndruar drejt dhe ka mbetur faktikisht e vetmja pengesë reale për realizimin e ëndrrës së Saliut që është një demokraturë e ngjashme me ato të ish-republikave sovjetike. Rrjeti i kundërshtisë qytetare të Shoqërisë Civile që ishte aq aktiv deri ditën kur Saliu u rikthye në pushtet, është zhdukur pa nam e nishan. Bota mediatike është kapur për fyti dhe disa ishuj të mbetur jashtë kontrollit të plotë të qeverisë përpëliten prej etheve të mbijetesës. Sipërmarrja tërhiqet zvarrë pa mundur të bëjë as gëk as mëk për borxhet e panumërta të qeverisë që po i marrin frymën e për gjobat që po paguan përditë. Edhe vetë ndërkombëtarët duket sikur pajtohen më lehtë se disa vite më parë me paudhësitë e një qeverie shqiptare! Jo më kot kryeministri harxhon më shumë kohë e fjalë për të sulmuar Partinë Socialiste e mua personalisht,se sa për të bërë detyrën e tij. Jemi një pengesë që ai nuk e kapërcen dot në rrugën e marrëzisë së tij për pushtet absolut. Është e thjeshtë dhe e qartë: PS-ja nuk është një robot i përsosur, po një forcë politike shqiptare me të mirat e me dobësitë e saj. E si e tillë, është e vetmja shpresë reale për kthimin e Shqipërisë në rrugën e duhur. Të barazosh opozitën me qeverinë sot, siç bëjnë rëndom jo pak njerëz ndër ata që s’e durojnë dot Saliun, do të thotë thjesht t’i japësh Saliut një dorë për t’i mbijetuar disfatës që meriton në zgjedhjet e ardhshme.
Me Berishën, rrënim deri në ditën e fundit
Ndaj Kryeministrit keni një “shans” për të kontrolluar ende diçka. E kam fjalën për ndryshimin në Prokurori. A keni një strategji për të parandaluar që edhe ky organ të kalojë nën kontrollin e kryeministrit? Këtu mund të kujtohet se opozita e drejtuar nga Sali Berisha, shkarkoi shefin e SHISH-it, Prokurorin dhe "mori" edhe Presidentin…
Ngrihet rëndom një paralele mes opozitës sonë dhe asaj të Saliut dje. Dëgjoj të thuhet se ai bëri këtë e bëri atë, detyroi këtë e detyroi atë t’i hapte rrugë, sulmoi papushim këtë e s’la gjë pa thënë për atë, derisa e mori edhe pushtetin. Ose thuhet shpesh se po të kishte qenë ai në opozitë në atë rast, do kishte tundur dheun dhe në këtë rast do kishte bërë hatanë e zezë…Por përtej faktit të thjeshtë se ne s’jemi ajo opozitë dhe as duam të ngjajmë gjëkundi me atë lloj opozite barbare, ashtu sikundër unë vetë as në ëndrrën më të keqe s’do doja të ngjaja me Saliun, ka një të vërtetë shumë të thjeshtë. Kur Saliu ishte në opozitë Shqipëria qeverisej në rrugë demokratike nga socialistët. Pavarësisht të gjitha të metave e po të doni edhe mëkateve të qeverive socialiste, periudha e qeverisjes së Shqipërisë nga socialistët ishte periudha kur jo çdo gjë zgjidhej me tiraninë e kartonave. Nëse në krye të institucioneve u zgjodhën njerëz shumë më të pavarur se sa sot, të cilët morën edhe pëlqimin e opozitës e madje pikërisht asokohe u zgjodh edhe i vetmi president konsensual në këta njëzet vjet, kjo ndodhi jo sepse Saliu të punonte qindin, po sepse socialistët kishin një sens të bashkëjetesës demokratike e një farë respekti për institucionet që kryeministri i sotëm nuk i ka gjëkundi. E mos harroni, Saliu i fitoi zgjedhjet jo sepse tundi dheun me egërsinë opozitare që sot rëndom na e kujtojnë si një virtyt që ai e paskej patur kurse ne s’e paskemi. Gabim! Ai i fitoi zgjedhjet pikërisht kur u hodhi hi syve shqiptarëve se nuk ishte më egërsira që kishin njohur rrugëve të rrëmujave me gurë e me kallashnikovë. Dhe për më tepër ia doli mbanë jo falë votës popullore, po falë çarjes së saj majtas. Kështu që për sa kohë Saliu do të ketë numrat për të votuar dekretet e shërbëtorit të tij në Presidencë, s’duhet të ketë asnjë iluzion. Rrënimi i mëtejshëm i shtetit do të vazhdojë deri ditën e fundit të tij në kryeministri, pavarësisht se pa asnjë dyshim ne do të bëjmë gjithçka mundemi për ta penguar përshkallëzimin e kapjes së shtetit. Por, e përsëris, fatin e Shqipërisë Europiane të paktën për një dekadë tjetër do ta ndajë vota e qershorit 2013!
Intervista u botua sot në gazetën Shekulli
(sg/shqiptarja.com)