Kryeministri Edi Rama në vizitën e tij të parë në Bruksel ka marrë garanci për mbështetjen e Parlamentit Evropian për integrimin. Ai shprehu bindjen se në dhjetor Shqipëria merr statusin e vendit kandidat për në BE. Në një konferencë të përbashkët për shtyp, menjëherë pas takimit me Presidentin e PE Martin Schultz, kryeministri shqiptar tha se qeveria e re ka mandat për ndryshime, duke siguruar dhe reforma.
“Kam besim se filozofia jonë e qeverisjes është e drejta bazuar jo vetëm në atë çka bëjmë që evropiane të njohë progresin tonë, por që progresi ta bëjë Shqipërinë vend evropian. Integrimi evropian nuk është një udhëtim për në Bruksel, por udhëtim në veten tonë për të zbuluar energjinë pozitive e për të shndërruar Shqipërinë në vend me standardet evropiane dhe sapo ta bëjmë do të njihet nga Brukseli. Jam i bindur që do të marrim statusin e vendit kandidat brenda dhjetorit”, iu përgjigj Rama interesimit të gazetarëve.
Ai ka garantuar se do respektojë opozitën. “Risigurova presidentin siç sigurova dhe Komisionin e Jashtëm të PE se ne kemi mandat për ndryshime duke nisur që nga puna jonë për ti dhënë opozitës atë ç’ka na mohoi ne. Për të ecur më pas me reformat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Jam i lumtur që presidenti i i PE do vijë të vizitojë Shqipërinë para se të mbarojë mandatin e tij dhe do i japim rezultatet e para të ASHE”, tha Rama. Ndërsa kreu i PE Martin Schultz që vlerësoi kryeministrin e ri. “Folëm për zhvillimet ekonomike e politike në rajon.
Dëgjuam Edi Ramën për situatën në rajon për zhvillimet politike në Kosovë dhe ndamë pikëpamjet për ndërtimi ne paqes dhe besimit në rajon. U kënaqëm për ato që dëgjuam e na u dukën inkurajuese.
Si president i PE, ramë dakord të kryejmë një vizitë në Shqipëri në kohën më të duhur”, tha Schultz. Sipas tij, Fyle po bën të pamundurën për të ndërmarrë hapat e duhura për statusin por është e pamundur të caktojmë e parashikojmë afatet. “Qeveria e re ka zgjedhur një titull, “Qeveria për Aleancën Evropiane”, mendoj se është titulli është i zgjedhur vendi ka perspektivë të veçantë.
Duhet të shikojmë me kujdes zhvillimet në Kosovë e në këtë kornizë shpresoj se nuk do zgjasë shumë”, tha Schultz.
Shkrimi u publikua sot (17.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)