Disa studentë të qytetit të Shkodrës, kanë shfrytëzuar vizitën e kreut të qeverisë, Edi Rama në universitetin “Luigj Gurakuqi” për t'i parashtuar kërkesat dhe pakënaqësitë e tyre.

Studentët kërkuan një takim me kreun e qeverisë, kërkesë e cila u pranua nga Rama, para se të kryente inspektonte punimet e godinës së universitetit “Luigj Gurakuqi”.

Një prej përfaqësuesve nga grupi i të rinjve zhvilloi një bisedë të shkurtër "kokë më kokë" me kreun e qeverisë, që zgjati pak minuta, ku i parashtroi problemet me të cilët përballen studentët e qytetit të Shkodrës. Pas takimit, Rama tha se kërkesat e tyre do të realizohen brenda 45 ditëve.

Kryeministri ndodhet në qytetin e Shkodrës në kuadër të aktivitetit "Bashkia që Duam". Ai ka mbërritur në kryeqendrën e veriut në orën 11:00, ku ka zhvilluar një sërë takimesh.