Kryeministri Edi Rama nga Dibra ka sulmuar kandidatët e opozitës për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit. Teksa ju referua kandidatit të PD-së si dhe kandidatit të ‘Shtëpisë së Lirisë’ të Sali Berishës, tha se njëri ka dalë nga vrima e bravës dhe tjetri nga vareja. Duke i akuzuar si shpërndarës të një politike përçarëse, kryesocialisti tha se dibranët do të dinë t’i japin përgjigjen Bashës dhe Berishës.

‘Një ndarje për qëllime personale, nuk ka aty fare as Shqipëri as dinjitet as sovranitet. Ato janë të gjitha përralla, janë të gjitha tym për të fshehur të vërtetën. E vërteta është se janë dy njerëz në hall, njëri që do të marrë me insistim atë për 30 vjet. Tjetri nuk ka lidhje, është aty pa lidhje, i ka ngel në dorë ajo gjë dhe tani që duhet ta mbajë ne dorë nuk e mban dot. Kjo është politika e ndarjes në Shqipëri. Ndërsa politika kombëtare është bashkëqeverisja. Ndërkohë që votimi është çështje personale, hajdeni të punojmë për Shqipërinë. Nuk mund të angazhohet një milet i tërë për brava apo për varre. Një kandidat që ka dalë nga vrima e bravës dhe tjetri nga bishti i varës. Janë të dy produktet bravash dhe varesh. Janë e dalë nga brava dhe një bisht varaje. Dibra duhet të votojë për të zgjidh hallin a vlen më shumë brava apo duhet më shumë vareja. O do kapni bravën e t’ja vini tunelit atje, ose do merrni varenë e të hapni rrugën. E treta e vërteta është se vazhdojmë punën ne. Dibranët si ta kenë, por në vazhdojmë punën. Edhe në verë do të hapet tuneli i rrugës së Arbrit. Ata duhet të ikin të dy, të hapët brava dhe duhet futur vareja në magazinë. Qeshim se nuk qajmë dot për atë hall.’- tha Rama.

Më 6 Mars, kandidatët e Ramës, Bashës dhe Shtëpisë së Lirisë do të përballen në 6 bashki, Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë e Lushnje për një mandat 1 vjeçar, ndërsa fushata mbyllet të premten.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:24
Bashkëqeverisja, Rama shtron pyetjen për 'Këshillimin Kombëtar': A duhet t'u japim mundësi emigrantëve që të legalizojnë kursimet dhe t'i investojnë në Shqipëri

Duke folur nga Dibra për ‘Bashkëqeverisjen’, kryeministri Edi Rama tha se do të shtrojnë në pyetësorin ‘Këshillimi Kombëtar’ për qytetarët edhe nëse duhet që emigrantët të deklarojnë të ardhurat e tyre, në mënyrë që të kenë mundësi të investojnë në vendin tonë.

‘Çështja e kursimeve të emigrantëve. Ne e dimë shumë mirë historinë e emigracionit në Shqipëri, përpjekjet e jashtëzakonshme të tyre për të fituar duke punuar dhe për të kursyer për të ndihmuar dhe familjet. Ka pa diskutim shumë kursime të emigrantëve të bëra në vite të cilat nuk janë të formalizuara. Procedurat janë të tilla që kërkojnë justifikime nëpërmjet dokumenteve dhe që vënë përpara vështirësish të jashtëzakonshme për të justifikuar burimin e atyre të ardhurave. Këtu flasim për burim nga puna, jo për aktivitete kriminale. Përderisa në shumë vite dhe qeveri të mëparshme e kanë tentuar këtë vendim dhe nuk e kanë marrë, do të thotë që nuk është një vendim i lehtë. Për këtë arsye kemi vendosur të pyesim njerëzit, a duhet ne t’i japim mundësi emigrantëve të legalizojnë paratë e fituara nga puna dhe të kenë mundësi që këto para t’i depozitojnë në banka. Dhe pastaj përmes kësaj rruge t’i investojnë në mënyrë të pastër në Shqipëri që do të thotë në mënyrë të dokumentuar, apo nuk duhet. Ky është një vendim jo i lehtë për t’u marrë dhe ne do ta marrim bazuar në atë që do të thonë qytetarët. Ndaj i lutem të gjithëve ta plotësojnë pyetësorë.’- tha Rama.