Rama: T'i kërkoj dorëheqjen
Fullanit, si t'ja kërkoja Nishanit

Rama: T'i kërkoj dorëheqjen<br />Fullanit, si t'ja kërkoja Nishanit
TIRANË - “Unë nuk mund t’ia kërkoj dorëheqjen guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, pasi është një institucion i pavarur”. Kështu është shprehur Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës së paralajmëruar për shtyp ku iu përgjigj pyetjeve online, lidhur me skandalin e vjedhjes së 713 milionë lekëve në thesarin e shtetit.

Rama theksoi se qeveria nuk ka heshtur.  Kryeministri e cilësoi vjedhjen e Bankës si një akt të madh kriminal, por shtoi se kjo është një sfidë e trefishtë e Prokurorisë, Bankës së Shqipërisë dhe vetë Qeverisë.

Megjithatë Rama shtoi se nuk mund të kërkojë dorëheqjen e guvernatorit Fullani, duke qenë një institucion i pavarur. Sipas tij, kërkesa për diçka e tillë do të ishte e njëjtë sikur t'i kërkonte dorëheqjen Presidentit Bujar Nishani

“Së pari sa i përket asaj që ndodhi me BSH nuk është e vërtetë që kemi heshtur por ka një ndryshim mes qeverisë e shoqërisë civile, pasi rolet janë të ndryshme dhe përgjegjësitë janë të ndryshme. Ne e kemi thënë qartë dhe prerë se për ne ky është një akt i madh kriminal, që përbën një sfidë të trefishtë, për Prokurorinë që t’i shkojë deri në fund hetimit, por në mënyrë gjithëpërfshirëse, dhe të nxjerrë nga pikëpamja e vetë çdo përgjegjësi. Është një sfidë për autoritetin e Bankës, dhe sigurinë e saj, që dua t’jua them qartë e prerë, është një institucion i pavarur. Pse nuk më pyesni pse nuk i kërkoj dorëheqje kryetarëve të gjykatave. Mund të kem shumë arsye për t’u kërkuar dorëheqje por çfarë do të thotë kjo? Si kryeministër s’mund ti kërkoj dorëheqjen e një institucioni të pavarur. Nga ana tjetër është një sfidë për kuvendin e qeverinë. Kuvendi dhe qeveria duhet të analizojnë, duke e ndjekur çdo ditë, dhe të konkludojnë në mënyrë konstruktive në bashkëpunim të ngushtë me institucionet financiare ndërkombëtare. Është njësoj si të më pyesni pse nuk i kërkon dorëheqjen Presidentit." theksoi Rama

Ai nënvizoi se qeveria do të flasë e fundit për këtë skandal duke pasur parasysh përfundimin e hetimeve, duke shtuar siç tha ai që të mos bëjmë një faj tjetër duke u munduar të ndreqim një faj.

"Kjo përgjigje nuk mund të gëzojë opinionin publik, por do të ishte një thirrje në boshllëk dhe nuk do të kishte asnjë lloj kuptimi nëse duam të respektojmë institucionet. Ne e kemi të domosdoshme të godasim në shenjë, duke nxjerrë çdo konkluzion të saktë. Dhe politika e jashtme ka treguar se kjo duhet trajtuar me vëmendjen maksimale dhe kujdesin maksimal. Thuhet shpesh gabimisht që qeveria duhet të flasë e para. Jo ne duhet të flasim të fundit për raste të tilla se ndryshe mund të bëjë një faj shumë më të madh për të ndrequr një faj të madh.” tha kryeministri

edi rama

Rama: Tre ligjet i ktheu PD, përmes Presidentit
Kryeministri Edi Rama u ndal edhe tek kthimi i ligjeve në Kuvend për rishqyrtim nga Presidenti Bujar Nishani. Sipa kryeministrit, tre ligjet janë kthyer mbrapsht nga Partia Demokratike nëpërmjet Presidentit. Ai nënvizoi se ligjet do të rivotohen sërish pasi Shqipëria nuk ka kohë për të humbur, duke paralajmëruar kështu edhe rastin e një kthimi të mundshëm të reformës territoriale nga Presidenti. Megjithatë Rama u shpreh se pavarësisht sulmeve të presidentit, që siç i cilësoi ai janë të parat në histori ndaj qeverisë, nuk do të ndodhë e anasjellta nga ana e mzhorancës.

“Unë nuk e besova dje që Presidenti kishte mbledhur të zgjedhurit vendor të PD për ndarjen e re territoriale dhe pata përshtypjen se zyra e shtypit kishte pasur ndonjë gabim teknik, që mund ta ketë bërë më parë, që Presidenti takon të zgjedhurit e PD dhe i pyet si e mendoni ju këtë. Presidenti ka të drejtën e tij të kthejë ligjet, por duhet ta dijë që do t’i kthehet mbrapsht çdo dekret, pa humbur kohë, me argumentat që vijnë nga goja e Presidentit. Të gjithë argumentat ishin të PD dhe kjo është për të ardhur keq. Koha kur nga kjo godinë hidheshin gjyle balte mbi godinën e Presidentit ka vdekur bashkë me qeverinë që iku më 23 qershor. Në nuk e sulmojmë Presidentin, ai është i pari në histori që sulmon qeverinë. Sa për dekretet ato do të kthehen menjëherë. Tre ligjet i ktheu PD nëpërmjet Presidentit.” nënvizoi në fjalën e tij kryeministri. 

Rama: Skandali i Sarandës i turpshëm, por më turp politizimi i i bërë nga PD
Rama kritikoi edhe Partinë Demokratike për politizimin e kësaj çështje duke shtuar se ajo nuk duhet përgjithësuar pasi është përgjegjësi individuale. Kryeministri nënvizoi se në ndryshim nga qeveria e mëparshme, që abuzuesi u mor në mbrojtje, referuar çështjes së Ylli Pangos, mazhoranca e sotme e dënoi aktin dhe abuzuesin.  

“Së pari më lejoni të jem i qartë, nuk ka turp më të madh se sa ai që pamë. Por nuk ka turp më të madh për të gjithë ata që shohin se sa ta ripërtypin përditë atë turp duke menduar se i bëjnë opozitë qeverisë, apo duke u përpjekur që rastin ta përgjithësojnë. Është një rast konkret dhe përgjegjësi individuale. Qeveria nuk gjykohet nga çfarë ndodh me 1 person, qoftë edhe në qeveri, që në përgjegjësi individuale shkel normat e bashkëjetesës. Qeveria gjykohet se si reagon ndaj rastit, dhe reagimi ynë ishte i qartë dhe i prerë si asnjëherë më parë. për mua është një temë e neveritshme. Të gjithë mund ta bëni paralelizmin me paraardhësit, ku u abuzua shumë më lart për një vend pune, dhe abuzuesi u mbrojt, dhe denoncuesit, konkretisht mbrojtja u sulmua dhe shkoi deri para detyrimit për të paguar gjibë, dhe abuzuesi u kthye në detyrë të lartë, ndërsa rasti është krejt i qartë për të bërë diferencën. “ nënvizoi Rama

Duke folur edhe për Zyrën e deputetit të PS, Koço Kokëdhima në Sarandë, kryeministri tha se është e drejtë e çdo deputeti të presë ankesat e qytetarëve dhe t’i ndihmojë ato.

“Zyra e deputetit u distancua dhe PS e përjashtoi nga radhët e anëtarëve të vetë. Sa i përket zyrave , çdo deputet duhet të ketë zyra. Edhe unë kam zyrë në Vlorë, jo me aq staf se nuk kam mundësi financiare. Deputetët kanë ndërhyrë dhe do të ndërhyjnë për të ndihmuar njerëz apo për të ndërmjetësuar, e rëndësishme është sa kjo mbetet në kufirin e detyrimit politik dhe moral. Kalimi i kufirit është i paarsyetueshëm. S’kemi qarkullime letrash e deputetësh, po të them që është zhdukur ju gënjej. Kemi pasur debate në mbledhje me deputetë, por kjo është një traditë, një rrëmujë e tërë që vjen me traditën. Për të gjitha do të gjykohemi në fund të këtyre 4 viteve. Siç meriton neveri rasti konkret, meritojnë neveri edhe ata që sot thonë po na diskriminojnë ata që thonë se nuk kemi të drejtë fjale.” tha Rama

Rama: Bashën nuk e zgjodhi populli por gjykata, ka lënë bashkinë pas dore
Rama duke folur për vendimin e Bashkisë për ndërtimin e pallatit te liqeni ka rikujtuar mënyrën se si Basha u zgjodh kryetar Bashkie. Gjithashtu  ai shtoi edhe se ai pasi pavarësisht se kishte premtuar se do të ishte në shërbim të popullit e jo politikës, jo vetëm që merret me politikë, por e ka lënë kryeqytetin pas dore.

Rasti në fjalë sipas Ramës është rasti i një dyfytyrësie që e karakterizon PD prej vitesh, “dëgjoni çfarë them unë, mos bëni si bëj unë.”

“Kemi një kryetar bashkie që nuk e ka zgjedhur populli por gjykata, dhe ka premtuar se do të ishte në shërbim të popullit e jo politikë, siç bënte ai i gjitha të këqijave përpara tij. Jo vetëm që merret me politikë, por e ka lënë Tiranën pas dore, dhe ky rast është i një dyfytyrësie që e karakterizon PD prej vitesh, dëgjoni çfarë them unë, mos bëni si bëj unë.”- tha Rama.

edi rama

Rama: Dhunë ndaj opozitës? Kjo opozita më llafazane!
Kryeministri Rama ka folur gjatë konferencës edhe dhunën në Parlament duek thyer edhe heshtjen të cilën prej 42 ditësh PD del në deklarata për media duke kujtuar incidentin mes demokratit Gent Strazimiri dhe disa deputetëve socialistë.  

Për Ramën këto ngjarje janë të dënueshme, por përgjegjësia është individuale dhe ndaj tyre që i kanë bërë janë marrë masat përkatëse sipas rregullores pa parë majtas-djathtas.

“Në rastet e ushtrimit të dhunës verbale në Parlament nuk meritojnë asgjë tjetër veç dënimit. Ne i kemi dënuar moralisht edhe sipas rregullores së Parlamentit pa parë majtas-djathtas të gjithë ata që janë përfshirë në raste dhune e që nuk i bëjnë nder Parlamentit shqiptar. Kur ata ndodhin përgjegjësia është individuale. Ajo që na takon është të sillemi me përgjegjësi. Ne e kemi bërë këtë gjë, të tjerat janë ‘dokrra hini’. Sa i përket opozitë më llafazane se kjo, në gjithçka përfshihet ky popull në formë thashethemi nuk ka, dhe për pjekje për t’i mbyllur gojën nuk ka. Opozita është përfshirë në këtë objekt vetë viktimizimi pasi i mungon një strategji. Nuk ka platformë, s’ka projekt, vjen e xhiron në boshllëk, duke akuzuar qeverinë, dhe gjykimet i bën secili por është një opozitë në hall të madh. Halli nuk jemi ne se ka përpjekje të hapura për t’i mbyllur gojën. Mjafton të merrni librin e Parlamentit për të parë minutazhin, dhe është opozita e parë në historinë e vendit që ka minutazhin më të lartë se qeveria. Jam i sigurtë se mund t’i thonë gjërat brenda të njëjtit minutazh.” tha Rama. 

Kryeministri shtoi se nuk ka nga ana e PS, persona të inkriminuar pavarësisht akuzave të opozitës, të cilat ai i cilësoi broçkulla.

“E vërteta është që për të gjithë, për grupin e PS, përpara se ne të miratonim listën kemi kërkuar dëshmitë e penalitetit, dhe është ajo që tregon se kush ka bërë çfarë. Nëse ka nevojë për të shtuar të tjera jemi gati, por për momentin ky është legjislacioni dhe nuk besoj broçkullat e PD.” tha Rama

Rama: Reforma në arsim, në bazë të ligjit të PD, kallëzim abuzuesve
Kryeministri Rama foli edhe reformën në arsimin e lartë, duke e cilësuar si një reformë të rëndësishme që i jep fund piramidave të shit-blerjeve të diplomave në universitete.
Rama tha se mbyllja e universiteteve është bërë pas kontrollit të bërë bazuar mbi ligjin ekzistues të miratuar nga qeveria e mëparshme. Kryeministri nënvizoi se do të bëhet kallëzimi penal për të gjithë drejtuesit e institucioneve të arsimit të lartë të cilët kanë rezultuar me shkelje.

“Për herë të parë 24 mijë maturantë plotësuan formularin A2 dhe i kishin të qartë universitetet që nuk plotësojnë kritetret dhe jo si deri dje që nuk u thoshte kush mos hidhni paratë në këto gropa të zeza e që kishin vite që qelbnin Shqipërinë. Të gjithë e dinin dhe askush nuk merrnin pjesë, e një qeverië që fshihte papunësine të rinjve. Në harkun e 6 muajve janë bërë 7 mijë orë pune inspektime për të verifikuar ligjshmërinë, bazuar në ligjin ekzistues, e miratuar nga qeveria paraardhëse, ku qeveria paraardhëse ishte shkelësja e parë e këtij ligji. Është propozuar mbyllje filialesh në rrethe publike të arsimit të lartë. Për ne universitetet janë njësoj dhe ne nuk mund të mbyllim sytë kur me paratë e shtetit bëhet hajgare, kur nuk kemi arsye kur me paratë e prindërve privati bën hajgare. Me këtë bëjmë të qartë se nuk ka më universitete private e shtetërore, ka universitete publike e private pa qëllime fitimi, siç e ka gjithë bota. Universitetet private nuk do t’i konsiderojnë si burime të ardhurash. Do të depozitohen kallëzime penale për të gjithë ato që kanë abuzuar në tregun e shitjblerjeve të diplomave.”  tha ai

Kryeministri tha se në të kaluarën është abuzuar në lidhje me kuotat e pranimeve në universitete duke e nxjerrë siç theksoi ai vendin tonë me më shumë universitete për 1 mijë banorë se të gjitha vendet e Bashkimit Europian.

“Dua të them se është bërë një spekulim i radhës me kuotat, ku janë raportuar 29 mijë kuota por realisht janë regjistruar 24 mijë, pasi qeverisë i interesonte të bënte publike kuotat në sy të botës. Këto shifra tregojnë se sa qesharake ishte e gjithë politika e arsimit të lartë dhe ajo e rritjes së studentëve për frymë, ku rezultoi se kishim 8 herë më shumë institucione për arsimin e lartë për 1 mijë banorë se Britania e Madhe dhe gjithë BE.” tha kryeministri

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja