Në fjalën e tij Rama parashtroi pikat kyce, në të cilat programi është përqendruar dhe mënyrën se si do ti jepet zgjidhje problemeve madhore që vendi po has sot. Rama shprehu indinjimin dhe keqardhjen e tij të madhe që vendi gjendet prej kohësh në një rrugë të gabuar dhe shkatërruese, gjithçka për faj të një qeverie klienteliste që bënë vetëm interesat e veta, duke e lënë vendin në mjerim.
Pikat kryesore ku programi do të sjell ndryshimet e mëdha, sipas Ramës, janë papunësia, shëndetësia, sistemi fiskal, mjedisi dhe turizmi, mediat dhe shërbimet diplomatike.
“Rruga e programit tonë ka nisur, dhe po punojmë pa pushim për implementimin e tij, sepse vendi po shkon në drejtim të gabuar me një shpejtësi të madhe për faj të një qeverie që punon vetëm për interesat personale dhe nëse nuk veprohet menjëherë do jetë tepër vonë. PS në zgjedhjet e ardhshme do të prezantohet me një program të detajuar, të kompiluar nga 21 grupe pune, i cili do ti japë zgjidhje problemeve të mëdha ekonomike dhe sociale.
Kemi ndërtuar një program që mbron realisht të drejtat e pronarëve. Jo si kjo qeveri që e ka kthyer pronësinë në një pretekst për të fituar vota, duke premtuar shumë në fushata elektorale dhe më pas duke i sorollatur pronarët në zyrat e hipotekave pa i dhënë një zgjidhje problemeve të tyre.
Jemi duke punuar për një politikë të re, një politikë të bashkëpunimit. Nuk do jemi vetëm për të qeverisur, por edhe për të dëgjuar njerëzit e thjeshtë, cdo person do të marri pjesë në vendimet tona politike, cdo zë do të dëgjohet” u shpreh Rama.
Rama foli mbi kushtet e tmerrshme të jetesës së popullit dhe plagën e papunësisë që ndëshkon cdo familje shqiptare, ai tha se “aktualisht në Shqipëri ka një milion të papunë dhe programi i ri i PS parashikon lehtësim e kësaj plage me krijimin e 300 mijë vende pune”.
Sistemi fiskal është një nga pikat kryesore ku PS dëshiron të veproj, duke eliminuar taksën e sheshtë dhe futjen e taksës progresive.
“Është një turp i vërtet që më i varfëri të paguaj më tepër se i pasuri, sistemi i taksës progresive do eliminoi këtë padrejtësi dhe do eliminoj gjithashtu edhe monopolet,” tha Rama.
Rama sulmoi fortë edhe mediat, të cilat e konsiderojnë veten të lira, por që janë bërë zëri i qeverisë që të kujton mediat e vendeve të lindjes së mesme para pranverës arabe. Ato pak media të vogla që kanë mbetur akoma të lira nga kthetrat e qeverisë janë margjinalizuar dhe izoluar, duke u detyruar të luftojnë cdo ditë për mbijetesën e tyre.
Gjatë fjalës së tij, kreu i PS sulmoi ashpër shërbimin diplomatik shqiptar, i cili është një turp i vërtet për vendin.
“Shërbimi diplomatik shqiptar është shëmbëlltyra e një pushteti nepotik dhe klientelist. Kemi ngritur një grup pune që po studion shërbimet diplomatike të vendeve të ngjashme me Shqipërinë nga ana e burimeve ekonomike, por që kanë një shërbim diplomatik të shkëlqyer. Do krijojmë një shërbim diplomatik të Shqipërisë dhe jo të qeverisë,” u shpreh kreu i PS, Edi Rama.