Në takimin një orësh nuk morën pjesë 5 ministrat e zgjedhur nga radhët e LSI. Kështu, Rama priti dje Zv.Kryeministrin Niko Peleshi, ministrin e Financave Shkëlqim Cani, ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, ministren e Mbrojtjes Mimi Kodheli, ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati, ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj, ministrin e Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri, ministren e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Eglantina Gjermeni, ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja, ministri i Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolli, ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Erjon Veliaj, ministrin për Inovacionin dhe Administratën Publike Milena Harito, ministrin për Çështjet Vendore Blend Çuçi, ministrin për Marrëdhëniet me Parlamentin Ilirjan Celibashi.
Takimi ka qënë mëe dyer të mbyllura dhe madje as kamerat nuk janë lejuar që të marrin pamje nga kjo konsultë e kreut të ri të qeverisë me ministrat e tij, e cila deri në shtator mësohet se nuk do të jetë e para. Burime brenda selisë rozë deklaruan se kryeministri i ardhshëm u ka kërkuar ministrave nisjen menjëherë nga puna për ndërtimin e kabineteve respektive, përfshirë bërjen kujdes në krijimin e strukturave për çdo ministri, duke pasur parasysh se në shtator menjëherë pas betimit do të fillohet me qeverisjen e vendit.
Vetëm dy ditë më parë Edi Rama tha në deklarimin e tij për mediat, teksa bënte prezent përbërjen e qeverisë së re, se “ne duam që qysh në ditën e parë të fillojmë të qeverisim, jo të njihemi me punën që kemi përpara”. Kryeministri i ri i vendit u shpreh se është e udhës që të gjithë ministrat të marrin detyrat paraprake dhe të njihen me përmbajtjen e punës së tyre, të mendojnë dhe pastaj të punojnë bashkarisht për ato ndarje që i duhen bërë dikastereve ekzistuese. Në funksion të kësaj detyre ka shërbyer edhe takimi i djeshëm, për të cilin ministrat e rinj socialistë nuk kanë bërë asnjë koment për gazetarët, duke preferuar të lëvizin me të shpejtë jashtë selisë së Partisë Socialiste.
Në këtë takim kryeministri i zgjedhur priti vetëm ministrat socialistë dhe jo ata të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Burime nga PS bëjnë me dije se deri në betimin e qeverisë së re takime të tilla konsultative do të jenë të shpeshta me të gjithë anëtarët e kabinetit, përfshirë dhe ata të LSI, pavarësisht vendit ku do të takohen, për të koordinuar punën deri në fillimin e qeverisjes reale. Pasi deri më tani në kryeministri është kryeministri në detyrë Sali Berisha, i cili dhe dy ditë më parë ka mbledhur kabinetin qeverisës në ikje për të miratuar disa vendime shumë të rëndësishme.
Qeveria e ardhshme do të ketë një zv/kryeministër, 16 ministri dhe 3 ministra shteti pa portofol. Ndërkohë që LSI ka pesë portofole ministrore, ndërsa partitë e tjera aleate, PBDNJ, Kristiandemokratët që kanë nga një mandat deputeti s’kanë asnjë ministër.
Shkrimi u botua sot në gazetën “Shqiptarja.com” (print) 02.08.2013
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)