Rama takon Tony Blair, merr
mbështetjen e tij për qeverisjen

Rama takon Tony Blair, merr <br />mbështetjen e tij për qeverisjen
LONDËR - Kryesocialisti, Edi Rama, gjatë vizitës në Londër ka takuar ish-kryeministrin britanik, Tony Blair. Vetë Rama ka postuar i pari një foto në Twitter dhe Facebook me ish-kryeministrin britanik, ku kryesocialisti paraqitet me një pamje të qeshur dhe duke shtrënguar duart me liderin e politikës britanike, por dhe mikun e shqiptarëve, që pas luftës së Kosovës në 1999: “Me mikun tim Tony Blair - Tony Blair dhe ekipi i tij do të punojnë me mua për mirëqeverisjen”, ka kumtuar me dy rreshta Rama, ku rreshti i parë, "me mikun tim Tony Blair", është theksuar me gërma kapitale.

Sipas njoftimit më pas prej zyrës së Partisë Socialiste, kryetari i PS-së, Edi Rama zhvilloi një takim të rëndësishëm pune me ish-kryeministrin britanik, Tony Blair. Gjatë vizitës në Londër, Rama dhe Blair biseduan mbi situatën politike dhe ekonomike në Shqipëri. Rama e njohu Blair me programin për një “Rilindje Shqiptare” dhe prioritetet e qeverisjes së majtë pas 23 qershorit. Një temë e rëndësishme e bisedës ishte propozimi i Partisë Socialiste për taksimin e ndershëm, si dhe sistemin universal shëndetësor, bazuar në eksperiencën e suksesshme britanike.

“Një takim i shkëlqyer me Toni Blerin, njeriun që transformoi përgjithnjë të majtën europiane, njeriun që mbetet sot e gjithë ditën një pikë referimi për të gjithë ne dhe njeriun me të cilin ramë dakord që të punojmë nga afër pas 23 qershorit për të ndërtuar qeverisjen dhe për të realizuar programin tonë për një “Rilindje Shqiptare”. Me Toni Blerin dhe me skuadrën e tij ne do të kemi në krah një partner jashtëzakonisht të rëndësishëm me një eksperiencë unike dhe me të gjitha këshillat e duhura për të ndërtuar një proces qeverisës të suksesshëm dhe për të bërë realitet programin tonë të Rilindjes Shqiptare”, u shpreh pas takimit kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama.

Thithja e investimeve të huaja në Shqipëri, nxitja e turizmit dhe projektet e bashkëpunimit rajonal në kuadër të proceseve integruese ishin gjithashtu tema me interes të bisedës mes zotit Rama dhe Blair. Kryesocialisti Rama kërkoi mbështetjen e zotit Blair dhe ekspertizën e tij për qeverisjen e pas 23 qershorit, ftesë e cila u pranua me kënaqësi nga ish-kryeministri britanik. “Do të jem shumë i lumtur t’ju ndihmoj ju. Vendi juaj është një vend për të cilin kam shumë interes”, e ka siguruar kreun e PS, ish-kryeministri laburist.

Toni Bler ka hyrë në historinë e Partisë Laburiste përveç të tjerash si kryeministri britanik që ka qëndruar më gjatë në pushtet dhe që ka fituar tre zgjedhje parlamentare rresht. Qeverisja e tij u shënjua nga një sërë reformash të thella me karakter social, veçanërisht në fushat e arsimit dhe shëndetësisë, që e rritën ndjeshëm popullaritetin e qeverisjes laburiste dhe vetë zotit Blair.

Ndërsa në fund të muajit shkurt u gjend në Tiranë ish-drejtori i komunikimit në qeverinë e Tony Blair, Alastair Campbell, për të promovuar në Shqipëri librin: “Vitet me Tony Blair”. Ai shprehu ndër të tjera edhe opinionin e tij për Edi Ramën, duke kuptuar se Rama ka lexuar dhe është mbështetur në strategjinë e Tony Blair.

“Edi Ramën e njoh tashmë mirë, e për të cilin mund t’ju them se ka një program të vërtetë për ndryshim, përfshi energjinë për të ardhmen. Unë dua të them se, ai është një person, që i kupton ato që ne bëmë, që nga krijimi laburistëve të rinj, që në fakt ishte një akt i madh strategjik. Kur shikon programin që ai ka ndërtuar, ka ngjashmëri. Nëse e lexoni këtë libër është qartësisht e dallueshme se Edi Rama ka studiuar çfarë bëri Tony Blair, duke marrë vlerat e politikës së tij. Unë jam i majtë, por jeni ju ata, të cilët duhet të vendosni për fatet e vendit tuaj, se kush duhet të jetë kryeministër. Nuk është sekret t’ju them, se e pëlqej shumë Edi Ramën”, tha Campbell.

Redaksia Online
(ma/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Liverpool dhe Real Madrid ndeshen sot në Champions League, Slot: Janë ekip për t’u marrë shembull! Ancelotti: Përballen dy klube historike

Liverpool dhe Real Madrid ndeshen sot në Champions League, Slot: Janë ekip për t’u marrë shembull! Ancelotti: Përballen dy klube historike